Zyrtare, miqësore Azerbajxhan - Shqipëri, më 19 nëntor
Përfundimisht është zgjidhur edhe emri i kundërshtarit për miqësoren e 19 nëntorit. Azerbajxhani, një kundërshtar me të cilin jemi përballur më parë tri herë (3 fitore, 4 gola të shënuar, 1 i pësuar), pranoi ftesën e Shqipërisë, por me veton për të luajtur në Baku, në kryeqytetin azer.
Trajneri holandez Ari Han do të jetë kështu tekniku i katërt që drejton Shqipërinë në një ndeshje kundër Azerbajxhanit, pas shqiptarëve Medin Zhega e Sulejman Demollarit, si dhe gjermanit Hans Peter Brigel.
Edhe takimi i parë historik midis dy vendeve, ai i 8 shkurtit të vitit 2000, ka qenë një ndeshje miqësore, por e luajtur në Valeta të Maltës, në kuadër të Turneut "Kupa Rothmans", ku përveç Shqipërisë e Azerbajxhanit, morën pjesë edhe Malta e Andora.
Shqipëria, e drejtuar nga Medin Zhega e fitoi atë takim të zhvilluar në "Ta'Qali" me rezultatin 1-0. Golin e vetëm të takimit e shënoi Edvin Murati në minutën e 37-të. Në këtë turne, Shqipëria ka fituar trofeun e dytë ndërkombëtar, pas atij në Kampionatin Ballkanik të vitit 1946.
Në përballjen e dytë, më 27 mars 2002, Shqipëria e drejtuar nga Sulejman Demollari fitoi me të njëjtin rezultat 1-0, falë golit të Igli Tares në minutën e 39-të. Në atë takim janë aktivizuar edhe Arjan Beqaj, Altin Lala, Ervin Bulku, Klodian Duro dhe Erjon Bogdani, të cilët ende luajnë për fanellën kuqezi.
Takimi i tretë daton, më 17.08.2005 dhe sërish Shqipëria e drejtuara nga gjermani Hans Peter Brigel ka dalë fituese nga skuadrës azere: 2-1.
Azeri Takishzahda shënoi në minutën e 2-të për miqtë, ndërsa për Shqipërinë realizuan Alban Bushi në minutën e 28-të (goli i 13 i tij me fanellën e Shqipërisë) e Lorik Cana në të 72' (goli i parë i tij me kuqezinjtë). Nga lojtarët e tjerë që ka në dispozicion Hani për përballjen e katërt miqësore me skuadrën azere, ka luajtur në atë takim Hidi e Kapllani.
TRI NDESHJET MIQESORE ME AZERBAJXHANIN
08.02.2000
Shqipëri - Azerbajxhan 1-0
Shënues: Edvin Murati 37'
27.03.2002
Shqipëri - Azerbajxhan 1-0
Shënues: Igli Tare 39'
17.08.2005
Shqipëri - Azerbajxhan 2-1
Shënues: Bushi 28', Cana 72'/ Takishzahda 2'
Energi humbet, por Skela prek 72 topa
Edhe pse Energi Kotbus i Ervin Skelës siguroi një avantazh të dyfishtë brenda 15 minutave të para (Rangelov 8’ e 15’), ish-skuadra e fantazistit shqiptar, Eintraht i Frankfurtit arriti të përmbysë gjithçka e të fitojë takimin 3-2, pikërisht në “Stadion der Freundschaft” (Stadiumin e miqësisë). Skela dha krosimin e golit të dytë të Rangelovit, topi i harkuar prej tij nga goditja e lirë, kaloi nga Ilievi te koka e Mitko Rangelovit, i cili shumë afër portës shënoi. Gjithsesi, Ervini ishte dhe lojtari me më shumë kontakte nga ekipi i tij: 72 topa të prekur, por duke mos e kaluar kundërshtarin e tij te Frankfurti, mbrojtësin Spiher me 82. Në minutën e 35-të, Ervin Skela tregoi magjinë e tij, kur me një gjuatje standarde shumë të zgjuar kaloi topin mbi murin kundërshtar, po pa mundur të mposhtë portierin e Eintrahtit, Nikolov.
26 Tetor 2008