E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Deri tani s’kemi nevojë për para

 

Për qeverinë shqiptare kërkesa për kredi nga FMN-ja është akoma e panevojshme. Në një dalje publike, zv.ministri i Financave theksoi se me Fondin aktualisht nuk ka asnjë marrëveshje, dhe se buxheti nuk ka shfaqur akoma shenja për një ndihmë emergjente. I pyetur lidhur me deklaratën e Guvernatorit, se duhet kërkuar hua nga mungesa e likuiditetit, Sherefedin Shehu theksoi se për një gjë të tillë duhet të kesh një marrëveshje me FMN-në. “Që të bashkëpunojmë me FMN-në duhet të kesh marrëveshje e ne momentalisht nuk kemi marrëveshje me ta. Por kjo nuk do të thotë që nëse situata është e tillë, që ne të kemi nevojë për mbështetje, të mos shkojmë e të bashkëpunojmë me FMN-në e BB-në. Kemi një program mbështetjeje paraprakisht nga BB-ja, që quhet huaja për ‘politikat e zhvillimit’, që është mbështetje buxhetore. Të shpresojmë që nuk do kemi nevojë”.
Por raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë për ndërhyrjet në tregun e parasë paraqet një situatë tjetër. Gjatë tremujorit të fundit të 2008-ës, kur filloi edhe të ndjehet kriza, bankat kanë kërkuar mesatarisht 10 milionë dollarë në ditë likuiditet nga Banka e Shqipërisë. “Për të injektuar likuiditetin, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor mesatarisht 9.33 miliardë lekë në javë. Për të normalizuar sjelljen e bankave ndaj normave të interesit të ofruara për marrjen e likuiditetit nga Banka e Shqipërisë, Banka e Shqipërisë ndryshoi formën e ankandit të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes me maturim njëjavor në ankande me çmim fiks, si dhe përdori marrëveshjet e anasjellta të riblerjes me maturim më të gjatë se një javë dhe instrumentet e përhershme. Konkretisht, u injektuan mesatarisht 3.2 miliardë lekë në tre raste përdorimi të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes me maturim njëmujor dhe 3.25 miliardë lekë në dy raste përdorimi të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes me maturim tremujor. Banka e Shqipërisë bleu me të drejta të plota bono thesari nga bankat e nivelit të dytë në nivelin 11 miliardë lekë (vlerë nominale).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›