Dëgjoni Guvernatorin!
Nikollaq Neranxi
Ndryshe nga shumë deputetë të Kuvendit, seancën në të cilën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani mbajti raportin e institucionit që drejton, e ndoqa me shumë vëmendje. Thelbi i fjalimit të Guvernatorit në Kuvend lidhej me lëvizjen e qeverisë shqiptare për të kërkuar jo vetëm ndihmë nga donatorët dhe institucionet financiare europiane dhe ato botërore, por edhe si një apel emergjence për masa dhe përgatitjen e një pakoje të posaçme. Në zërin e guvernatorit, ishte ankthi i personit zyrtar që njeh të vërtetat që lidhen me financat e vendit, me ekonominë dhe asetet, me sistemin bankar në të gjitha nivelet, me tregun ndërkombëtar dhe atë rajonal, me eksport-importet dhe me shkëmbimet e gjithëfarllojshme të tregtisë dhe financave. Guvernatori është personi që ndjen çdo lëvizje dhe aq më tepër “sizmike” në financat dhe sistemin bankar të vendit.
Kurrë ndonjëherë Guvernatori i vendit s’ka qenë kaq i drejtpërdrejtë në kërkesat, sugjerimet dhe apelin për emergjencë në një dalje para Kuvendit dhe në komunikimin publik me qeverinë. Ky nuk është kompliment, por sipas gjykimit tim, është një drejtim gishti pa hezitim.
Guvernatori Fullani pohoi zyrtarisht: ”Në optikën e Bankës së Shqipërisë, problemi kryesor me të cilin do të përballet ekonomia shqiptare gjatë vitit në vijim është mungesa e likuiditetit dhe, i lidhur me të, shtrëngimi i kushteve të financimit të aktivitetit”. Për çdokënd që njeh biznesin dhe realitetin konkret ekonomik, mendon se kaq është pak. Domethënë nuk mjafton për të fituar shpresën apo për të ngjallur besim, përkundrazi, kjo të shton frikën, sepse vonesa është shumë evidente.
Po kush duhet ta dëgjojë më tepër Guvernatorin? Cilat janë rreziqet që kanë mbërritur në realitetin dhe sistemin e paqëndrueshëm shqiptar?
Këtyre pyetjeve në një mënyrë të drejtpërdrejtë u është përgjigjur vetë Guvernatori. Ai ndër të tjera shtoi se: ”Shtrëngimi i kushteve financiare në ekonomi, pamjaftueshmëria e burimeve të brendshme dhe problemet e tregut financiar ndërkombëtar, e bëjnë të nevojshme gjetjen e burimeve të huaja të financimit. Për këtë qëllim, duhet vlerësuar çdo opsion i mundshëm, përfshirë dhe programet e mbështetjes nga institucionet ndërkombëtare të specializuara”. Më tej guvernatori pohoi se aktualisht: “Banka e Shqipërisë gjykon se Shqipëria duhet të përfitojë medoemos nga fondi ndërkombëtar i krijuar nga mbledhja e njëzet vendeve më të zhvilluara, pasi ajo plotëson të gjitha kushtet”. Mirëpo që të ndodhë kjo, duhet që së pari politika dhe qeveria e zotit Berisha të rikthehen në një akt korrigjues. Pak kohë ka që ata e përcollën gati me refuzim prepotent Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke e konsideruar deri edhe naivisht si mision të panevojshëm për Shqipërinë.
Atëherë si mund t’i kthejnë ata shpinën vetes? Nëse nuk bëhet kjo, atëherë Shqipëria ka shumë gjasa të humbë një ndihmesë emergjence, madje deri tani nuk ka asnjë shpresë, për të përfituar nga paketa e emergjencës që G20 miratoi për përballimin e krizës globale. Deri tani, FMN-ja ka ndihmuar Serbinë, Hungarinë, Rumaninë dhe padyshim së afërmi edhe disa vende të tjera fqinje me ne, përfshi edhe Kosovën.
Po Shqipëria? Pse nuk dëgjohet Guvernatori? Pse nuk dëgjohen zërat e shumtë (dhe jo vetëm ata opozitarë) prej më tepër se një vit që kanë dhënë dhe vazhdojnë të tërheqin vëmendjen për efektet e krizës, pasojat dhe parashikimit e pabëra për të).
Guvernatori është zyrtari më i rëndësishëm i deritanishëm që ka dhënë alarmin për zhvlerësimin e monedhës kombëtare, ndërkohë që ministri i Financave e ka pranuar disi me vonesë deri diku këtë gjë. Kjo flet shumë për çdo qytetar që ka kulturë dhe formim ekonomik dhe financiar. Vendet që kanë përfituar ndihma dhe borxh ndërkombëtar, kanë pësuar deri tani zhvlerësimin e monedhës së tyre në masën 25 për qind. Kjo është një katastrofë me ndikime dhe efekte të shumta. Ne jemi pashmangshmërisht të kërcënuar prej këtij procesi apo prej kësaj dallge. Por qeveria mesa duket po fiton me vonesë dëgjueshmërinë. Edhe pse ka nisur mësymjen elektorale për të trumbetuar parajsën berishiane, së fundi ka gjetur pak arsye për të mos i thënë të zezës, je e bardhë. Për hir të politikës, qeveria po tenton të zhvlerësojë besueshmërinë e institucioneve të specializuara. A nuk tingëllojnë të pabesueshme raportet dhe të dhënat që publikoi këtë fundjavë INSTAT, për rritjen ekonomike, e cila paska thyer rekorde në një vit krize globale.
Guvernatori duhet dëgjuar me urgjencë minute dhe ore dhe jo më mujore. Kjo duhet bërë së pari prej qeverisë dhe gjithë sistemit të institucioneve financiare dhe ekonomike të vendit. Prej kohësh do të duhej të ngrihej një komision miks ekspertësh dhe parlamentarësh për të studiuar dhe planifikuar masat dhe efektet reale të krizës në ekonominë dhe financat e vendit. Çdo orë është e humbur dhe pesha e saj nuk ka lidhje me fushatën dhe zgjedhjet, por me të nesërmen fizike të vendit. Ekspertët e ekonomisë europiane dhe në veçanti ata të Ballkanit flasin për rreziqe të shumta dhe me pasoja. Mirë që ndaj tyre e kemi humbur aftësinë për t’i dëgjuar, së paku le të dëgjojmë Guvernatorin tonë. Zëri dhe raporti i tij janë një pjesë e së vërtetës së pambulueshme. Nëse vazhdojmë të mos dëgjojmë më edhe autoritetet tona zyrtare, atëherë mendoni se çdo të ndodhë me besimin dhe interesin e investitorëve që pretendojmë të mbërrijnë në Shqipëri.
E gjithë kjo situatë kërkon vetëm pak realizëm dhe angazhim të sinqertë institucionesh. Anashkalim dhe ndëshkim politikës apo politikanëve elektoralë, pasi kriza kur mbërrin, nuk bën asnjë selektim e as një favorizim. Guvernatori duhet si kurrë ndonjëherë më parë të dëgjohet me katër veshë kësaj here. Kjo është jetike dhe përbën një domosdoshmëri për shoqërinë dhe shtetin, për ekonominë dhe familjet tona.