E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur Bruti vriste bashkë me shokët

Andis Harasani 

Edhe ti, o Brut?” Klithma e vjetër dhe dëshpëruese e Jul Çezarit kur pa thikën në dorën e mikut të tij, kujtohet sot, do të kujtohet dhe nesër si simbol i dhembjes për tradhtinë, si simbol i asaj çfarë të detyron pushteti të bësh dhe si simbol i shumëllojshëm, varësisht shpjegimit që i jepet skenës së famshme, kohës kur bëhet ky shpjegim apo situatave të ndryshme që i referohen asaj.
Eshtë padyshim një nga skenat më epike dhe tragjike që ka shkruar ndonjëherë gjeniu anglez, Shekspiri, që nëse e sheh me kujdes, herë të duket se “qorton” dhe mbas vdekjes diktatorin, e herë sikur i dhimbset njeriu i vrarë nga miqtë e tij në emër të lirisë, në emër të luftës kundër tiranisë. Por kësaj radhe, do të tentoja të jepja një tjetër shpjegim për atë akt (të më ndjejnë shkrimtarët që kuturisem të hyj në viset e tyre, me atributin e paplotë të ekonomistit e juristit), do të tentoja një shpjegim sesi mund të lexohet kjo pjesë e tragjedisë këtu në Shqipëri. Me aktorë shqiptarë, me Çezarë të gjallë dhe Brut ende jashtë akuze.
Ka ditë, ka javë dhe muaj që kryeministri Berisha duket se ka marrë nën sqetullën e tij të madhe ministrin e tij Basha, e pas tij me radhë të gjitha zullumet e tjera që kanë ndodhur në këto katër vjet zullumesh në qeverisje, që nga Gërdeci, Fazlliçi, Fahriu e me radhë. Në të gjitha rastet teknologjia e mbrojtjes ka qenë e njëjtë: Fillimisht kryeministri vetë kishte lënë përshtypjen se mbronte bashkëpunëtorët e tij, por me kalimin e ditëve, një tjetër e vërtetë nisi të dalë gjithmonë e më në pah. Një e vërtetë e trishtuar, një e vërtetë tronditëse që nuk ka të bëjë as me miqësinë e kryeministrit me vartësit e tij shtetërorë e shpirtërorë dhe as me justifikimin e varësisë nga vartësi: kryeministri Berisha po tenton të mbrojë, as më shumë dhe as më pak, por vetëm veten e tij në të gjithë këto histori me vrasje masive, me dhjetëra milionë euro të devijuara s’dihet se ku, në këto histori me sekserë apo me keqqeverisje e qeverisje kuturu të dalë ku të dalë.
Kryeministri ka nisur të përmendë gjithmonë e më shpesh se nuk mund të gjykohen vepra dhe akte kolektive. E thënë thjesht, kryeministri thotë se nuk ishte individi apo ministri Iks, që hodhi një hap që si pasojë krimin, të fshehur mbas vendimeve problematike të qeverisë. E thënë shkoqur, në të gjitha këto histori, kryeministri ka hallin e tij: shpesh dhe jo vetëm në një rast, qeverisja e tij ka marrë përsipër të firmosë vendime kriminale dhe ai kërkon të shpëtojë prej tyre me teknologjinë e mospenalizimit të aktit kolektiv.
Edhe Enver Hoxha vriste me ligj, sepse Hoxha i vriste kundërshtarët e tij e këdo tjetër që i fanepsej atij si armik me kushtetutë e ligj, problemi është se vetë diktatori kishte firmosur për kushtetutë e ligje kriminale. Zot na ruaj, nëse diskutohet nëse duhet ndëshkuar apo jo diktatori e sivëllezërit e tij, si Stalini, Hitleri e të tjerë.
Po Çezari, Çezari ku hyn këtu në këto histori banale shqiptare, me individë që sillen sikur janë çezarë, në këtë prag zgjedhjesh? Komplotistët që i ngulën thikat vrastare, ata që i nëmi dhe mallkoi pastaj Mark Antoni, miku i Çezarit, ishin të “bindur” se askush nga ta nuk mund të konsiderohej vrasës. Secili nga ta pretendonte se nuk ishte thika e tij që i kishte shkaktuar vdekjen e Çezarit: Unë vetëm e kam plagosur!!! Sipas kësaj logjike, askush nga ta, nuk duhej të ndjente brejtje ndërgjegjeje, askush nga ta nuk do të lejohej të shkonte për ndjekje penale nga Berisha ynë Çezar i rremë, sepse thikat e tyre, ngulja e tyre në mish, ishte një akt kolektiv. Zoti na ruajt prapë!
Për t´u rikthyer dhe njëherë në Tiranë nga Roma, më duhet të them se rreshtimi i listës së ministrave tanë dhe përqasja e tyre me cilindo nga atentatorët e Çezarit, do të ishte një mundim i kotë. Edhe pse dy mijë vjet larg nga ai, ata janë edhe shumë më larg atij ambienti me makutërinë, verbësinë, servilizmin dhe nënshtrimin pastaj ndaj Çezarit të tyre.
Dua ta mbyll këtu duke ju kërkuar ndjesë dhe njëherë shkrimtarëve për këtë kuturisje në viset e tyre në mënyrën time të palatuar prej ekonomisti: po sikur Berisha dhe të tijtë, në një moment të caktuar të vendosin të shpërblejnë veten me nga 20 milionë euro secili, a do të quhej kjo gjë grabitje? A do të mbrohej Berisha duke thënë se ky është një veprim kolektiv i pagjykueshëm dhe i pahetueshëm? A do ta konsideronte vrasje Berisha atë çfarë i ndodhi Çezarit? Dhe për ta bërë më të kuptueshme për të, a do të vazhdonte ta quante Enver Hoxhën, idhullin dhe modelin e tij diktator sepse edhe ai vriste me ligj, grabiste me ligj dhe na la të gjithëve trashëgim varfërinë gjithashtu me ligj?
Shumë pyetje për kryeministrin që tashmë është në prag të qershorit të vetmisë së tij të madhe. Ai është në dilemë: ka kuptuar se nuk i bën dot kartat e identitetit dhe prapë insiston me kokëfortësi në detyrimin që u shton qytetarëve për të paguar taksën e votës. Ai e di se pa karta nuk ka zgjedhje të ndershme e të lira. Ai e di se pa zgjedhje të ndershme dhe të lira, do të tregohet brenda e jashtë si autori që i dha goditjen fatale me thikë këtij institucioni sovraniteti të qytetarëve. Por a e di se në këtë rast, nuk do të mbulohet dot mbas përgjegjësisë kolektive? Se kësaj radhe përgjegjësia e tij do të jetë vetëm dhe direkt individuale?
Shumë pyetje për kryeministrin. Ndoshta nesër, pra shumë shpejt, kur të shkruajë kujtimet e tij, do të ketë kohë për të dhënë dhe këto përgjigje. Duke nisur nga fundi i qershorit do të ketë po aq kohë sa do t´i lerë në dispozicion i Gjithëfuqishmi. Por atëherë, me siguri, kur të tijtë do ta lënë në vetminë e tij, do t´i duhet të thotë shpesh: edhe ti o Brut?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›