Edhe Flamengo në garë për Ronaldinho

Flamengo ka paralajmëruar ekipin Gremio se edhe ata kanë arritur marrëveshje me mesfushorin në largim të Milanit, Ronaldinho.
“Ne kemi një marrëveshje sa i takon kërkesave të Ronaldinhos. Tani duhet të merremi vesh me Milanin, se çfarë dëshiron të bëjë klubi italian në gjashtë muajt e fundit të kontratës, e cila e lidh me klubin”, ka thënë presidenti i Flamengos, Patricia Amorim.
“Propozimi ynë është i qëndrueshëm dhe ne kemi zgjidhur një gjë që nuk është edhe aq e vogël. Nuk e di nëse Ronaldinho do të përfundojë duke luajtur për ne, por sigurisht do të luajë në Brazil”.
“Ai është i prirë për Gremio për shkak se ka një dashuri për këtë klub, pasi ai ishte vendi ku ai filloi karrierën, por me ne ka më shumë negociata në aspektin ekonomik. Po ashtu ne kemi në favor qytetin, pasi Ronaldinho e sheh Rio de Janeiron magjepsës”, ka thënë Amorim.