Xherdani i Kosovës, njeriu i vitit

Viti 2010 do të mbetet gjatë në mendjen e Xherdan Shaqirit. Në vitin e parë në futbollin profesionist, talenti kosovar fitoi titullin dhe Kupën e Zvicrës me skuadrën e Baselit.
Jo vetëm kaq. 19 vjeçari, pas paraqitjeve të shkëlqyeshme në futbollin zviceran, u ftua nga selektori Ottmar Hitzfeld në përfaqësuesen e Zvicrës, në Kampionatin Botëror Afrika e Jugut 2010.
Pas Botërorit, mesfushori me prejardhje nga Gjilani vazhdoi me suksese. Ai arriti të luajë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, derisa shënoi edhe një gol në ndeshjen Basel – Roma (1:3).
Me paraqitjet e shkëlqyeshme në fanellën e Baselit, Xherdan Shaqiri tashmë është bërë objektiv i disa klubeve të mëdha evropiane, si Bayern Munchen, Inter, Juventus, Liverpool, Hamburg, Dortmund, Wolfsburg etj.
Mesfushori shtatshkurtër paralajmëron se gjatë afatit kalimtar të janarit mund të largohet nga Baseli, derisa preferon të luajë në Bundesligë.
Shaqiri, i cili si model ka dy yjet e futbollit botëror, Messi e Ronaldo, nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta veshë fanellën e përfaqësueses së Kosovës kur kjo e fundit të pranohet në FIFA e UEFA.
Xherdan Shaqiri flet ekskluzivisht për Express.
Express: A keni pritur se do të keni paraqitje të mira në vitin e parë te Baseli, duke pasur parasysh nevojën tuaj për adaptim në skuadrën e parë?
Shaqiri: Realisht unë nuk kam pritur të kem një sezon të mirë në vitin tim të parë në Basel, pasi unë vija nga ekipi i juniorëve. Mirëpo, qe një vit e gjysmë me ekipin e parë më ka shkuar mirë dhe kam kaluar shumë mirë deri më tani.
Express: A keni besuar se për një kohë shumë të shkurtër do të bëheni lojtar i rëndësishëm i skuadrës?
Shaqiri: Jo, nuk kam pritur që brenda një kohe të shkurtër do të bëhem lojtar i rëndësishëm i Baselit.
Express: Si e keni pritur ftesën për pjesëmarrje në Kampionat Botëror 2010.
Shaqiri: Unë luajta mirë sezonin e kaluar, dhe Ottmar Hitzfeld më vëzhgoi në disa ndeshje, e po ashtu mediat shkruanin se trajneri duhet të më ftojë për Kampionatin Botëror. Nuk e kam pritur se do të më ftojë, pasi ka pasur edhe lojtarë të tjerë që kanë luajtur mirë. Unë jam shumë i lumtur që luajta në Botërorin 2010, me vetëm 19 vjet dhe ishte viti i parë që unë luaja me ekipin e parë të Baselit.
Express: Basel është në pjesën e epërme të tabelës. A besoni se do ta mbroni titullin e kampionit në Zvicër?
Shaqiri: Ne e kemi ekipin shumë të fortë, me të cilin duhet ta fitojmë Kampionatin dhe Kupën. Edhe në Champions League kemi treguar se kemi ekip shumë të mirë dhe për pak nuk kemi arritur ta kalojmë grupin.
Express: Çfarë synoni në Europa League?
Shaqiri:Në Ligën e kampionëve e kemi treguar veten se mund të fitojmë kundër ekipeve të mëdha. Tash në Europa League synojmë ta eliminojmë Spartak Moskën.
Express: Pas paraqitjeve tuaja të mira, kanë qarkulluar zëra se ekipe të mëdha si Bayern, Inter e Juventus janë të interesuar për shërbimet tuaja. A ka gjasa që në dimër t’i bashkoheni njërit nga këto klube?
Shaqiri: Duhet ta shikoj se çfarë do të ndodhë këto ditë. Kur të ketë diçka konkrete, atëherë duhet të shikojmë bashkë me Baselin, që të jetë mirë për mua dhe për klubin. Nëse në janar ka diçka konkrete dhe klubi i interesuar arrin marrëveshje me Baselin, nuk e përjashtoj mundësinë që gjatë janarit të transferohem, mirëpo deri pas dimrit, vështirë se do të ketë diçka.
Express: A ka ndikuar interesimi i madh i klubeve në paraqitjet e tua, pasi kohëve të fundit jeni kritikuar nga trajneri?
Shaqiri: Normal, trajneri nuk flet mirë për lojtarët e rinj, pasi ata mund të dështojnë nëse marrin lëvdata. Unë nuk i shikoj këto gjëra, luaj futboll dhe nuk mendoj se interesimi i klubeve ka ndikuar në paraqitjet e mia.
Express: Ku e shihni veten në një të ardhme të afërt?
Shaqiri: Kam potencial të madh dhe të gjithë e dinë se me potencialin që kam mund të luaj në një klub të mirë evropian. Mirëpo, unë nuk dëshiroj nga një klub i vogël të kaloj te një klub i madh, pasi shumë futbollistë kanë dështuar. Synim imi është transferimi në një klub pak më të vogël, ku mund të tregoj lojëra të mira dhe më pas të transferohem në ndonjë klub më të madh.
Express: Në cilën ligë preferoni të luani pas Zvicrës?
Shaqiri: Më pëlqen Spanja, mirëpo Gjermania për momentin do të më përshtatej më së miri, po ashtu, atje flasin të njëjtën gjuhë, sikurse në Zvicër. Gjithashtu, edhe Bundesliga është njëra nga ligat më të mira.
Express: A mendoni se do të vazhdoni me ritmin e njëjtë edhe në pjesën e dytë të kampionatit?
Shaqiri: Deri tani kam luajtur mirë, besoj se edhe në pjesën e dytë të sezonit do të vazhdoj me këtë ritëm.
Express: Cilin lojtar e ke model, që në të ardhmen dëshiron të bëhesh sikurse ai?
Shaqiri: Messin dhe Cristiano Ronaldon.
Express: Aktualisht luani për Zvicrën. Nëse Kosova pranohet në FIFA e UEFA, a do të vazhdoni të luani për Zvicrën, apo do të ktheheni?
Shaqiri: Kur të pranohet Kosova në FIFA e UEFA, duhet të vendos. Unë jam i lindur në Kosovë dhe këtë vend nuk e harroj asnjëherë, por deri atëherë, do të presim dhe do të marrim vendimin e duhur.