Edhe Gadafi ruhet se mendon se do e vrasin libianët
Këto ditë në media po raportohet për masat e shtuara të sigurisë për kryeministrin Sali Berisha, përfshi këtu jelekun antiplumb, apo kontrollet e rrepta kudo që shkon kryeministri. Kështu, gjatë një vizite në Neës24, ambienti më përpara është kontrolluar me qen anti-minë, gjithçka është bastisur, deri edhe tek çantat e gazetarëve. Po ashtu kryeministri ka blerë një makinë super të blinduar 700 milion lekë dhe ka blinduar zonën ku banon, duke ia kaluar edhe diktatorit Hoxha.
Por nuk rezulton të jetë i vetmi. Sot mediat britanike shkruajnë se kolonel Gadafi po fshihet me sa mundet se ka frikë se do e vrasin. Madje, siç raporton Daily Mail, Gadafi ka frikë më shumë se do e vrasin libianët se NATO. Shefat e spiunazhit britanik i kanë thënë kryeministrit Kameron se Gadafi çdo natë ndërron spital nga frika e vrasësve libianë.
Një burim diplomatik tha: Ky është një njeri shumë paranojak. Regjimi i tij po ndjen presionin dhe ka nisur të shkërmoqet.
Ndërkohë, Britania ka urdhëruar përdorimin e helikopterëve Apache në Libi, çka do e bëjë betejën më efikase.