Leksioni nga zgjedhjet e 2011-s: E majta e përçarë mund të humbasë edhe më 2013...
Jam sot këtu për të marrë pjesë në këtë seancë të Kuvendit, ndër të tjera për dy arsye. Njëra madhore dhe tjetra dytësore dhe ndoshta për shumë vetë jashtë PS-së e parëndësishme. Ndryshe do të thosha që arsyeja madhore lidhet me thelbin e këtij vendimi, ndërkohë që arsyeja e dytë, thjesht procedurale, ka një karakter ndoshta më pak të rëndësishëm ose banal të themi, por jo në kuptimin negativ të kësaj fjale.
1. Bojkoti dyvjeçar dështoi...
E para, lidhet me bindjen time të thellë për të kundërshtuar qëndrimet ekstreme dhe radikale që ka aplikuar PS-ja gjatë dy vjetëve, të tilla si bojkoti, bllokimet e rrugëve, protestat me elementë dhune, greva e urisë deri te veprimet e pajustifikueshme dhe provokative para KQZ-së. Këto qëndrime kanë qenë fillimisht brenda institucioneve dhe forumeve të PS-së dhe më tej kur janë mbyllur të gjitha hapësirat dhe ka pasur edhe raste kërcënimesh, ato kanë qenë publike. Por asnjëherë mendimi i ndryshëm për këto sjellje nuk është kthyer në qëndrim ndryshe, duke pritur që lideri Rama do të reflektonte, në mënyrë të veçantë me rastin e zgjedhjeve vendore të 8 Majit 2011. Pra, unë dhe kolegët e mi kanë respektuar disiplinën partiake, ndonëse kemi qenë të bindur se po ecet e veprohet gabimisht. Koha na dha të drejtë, të gjitha këto veprime dështuan dhe për më tepër rezultati zgjedhor tregoi se votuesit nuk e miratojnë një sjellje radikale.
2. Qëndrimi antibojkot në rezonancë me atë të faktorit ndërkombëtar
Në mënyrë specifike qëndrimi ynë ka qenë kritik lidhur me marrëdhëniet me Parlamentin. Besoj dhe vazhdoj të besoj se bojkoti apo shpikja e ”marrëdhënieve të kushtëzuara” me Kuvendin ka qenë të pajustifikueshme, të gabuara dhe jo efikase, për të mos thënë e kanë dëmtuar imazhin e PS-së dhe kanë ulur mbështetjen e saj elektorale. Fatmirësisht, ky qëndrim kritik ndaj bojkotit ka rezonuar me qëndrimin e të gjithë partnerëve ndërkombëtarë, duke rezultuar jo i suksesshëm e besoj në të ardhmen do të jetë akoma më i pasuksesshëm e deri i dënueshëm; prandaj gjykoj dhe kërkoj reflektim nga Rama, që kjo sjellje të stopohet.
3. Kantrimen, vlerësim i balancuar dhe i saktë, mesazh i qartë dhe direkt
Arsyeja madhore apo thelbësore që jam sot këtu lidhet pikërisht për të demonstruar një veprim ndryshe ndaj këtij vendim të gabuar, që në kontekstin aktual është jo vetëm naiv dhe i pakuptueshëm, por edhe pa sens. Për më tepër, vij sot këtu jo vetëm nga mesazhi që dhanë shqiptarët më 8 Maj, por me kënaqësi të veçantë që ky mendim dhe qëndrim rezonon plotësisht me qëndrim e zyrtarit më të lartë amerikan, zoti Kantrimen, për zgjedhjet në Shqipëri dhe mesazhet e tij për popullin shqiptar dhe politikën shqiptare. Qëndrimi i zotit Kantrimen është jo vetëm i qartë e i saktë, por përbën përshkrimin më realist për zgjedhjet në Shqipëri, për rezultatin zgjedhor dhe deri për problemet që kanë shoqëruar zgjedhjet në Tiranë. Pa modesti mund të them që rezonoj plotësisht me mendimet e tij për zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri dhe për pozicionin që duhet të mbajnë forcat politike; kjo ka qenë një shtysë tjetër e madhe për mua për të thyer bojkotin, këtë veprim të gabuar të PS-së, sidomos pas këtyre zgjedhjeve. Zyrtari i lartë amerikan ka qenë shumë direkt dhe i qartë lidhur me bashkëpunimin që duhet të kenë forcat politike bazuar në një reflektim të thellë mbi rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe cilësisë së këtyre zgjedhjeve, përfshirë dhe problemet që kanë pasur. Prandaj sot kam marrë edhe guximin dhe kam bërë sakrificën, ndoshta më të madhe në jetën time, duke ardhur sot në Parlament dhe thyer në mënyrë simbolike një vendim të gabuar dhe për më tepër për të treguar se ka dhe njerëz të tjerë në këtë vend, me dinjitet e integritet, që mendojnë ndryshe e veprojnë ndryshe nga shumica në PS; besoj dhe shpresoj sinqerisht që një ditë do të vijë në këtë pozicion normal e të matur, konstruktiv e të drejtë, e gjithë Partia Socialiste.
4. Rama nuk fton ata që mendojnë ndryshe në mbledhjet e grupit kuvendor
Arsyeja e dytë apo banale, që duhet thënë dhe duhet marrë vesh nga publiku, ka të bëjë me faktin se ka disa mbledhje të grupit parlamentar që unë dhe kolegu im Andis Harasani pa asnjë arsye dhe çuditërisht, nuk ftohemi në mbledhjet e grupit dhe askush nuk jep asnjë shpjegim. Mund të kishim heshtur, duke luajtur naivin dhe duke bërë sikur nuk kuptojmë dhe sot të vinim këtu duke thënë se nuk kemi dijeni për vendimin e grupit për të rifilluar bojkotin, sepse nuk kemi qenë të ftuar në mbledhjen e grupit parlamentar. Natyrisht, po të isha ftuar në mbledhjen e grupit parlamentar, do të kisha thënë ekzaktësisht këtë që po them sot para jush, pra do të isha kundër këtij vendimi, megjithëse siç më tregojnë që klima ka qenë relativisht e rënduar dhe e karakterizuar nga një konkurrencë e lartë propozimesh sa më radikale deri te lënia e mandateve, që besoj nuk përbën mendim serioz.
5. Forumet e PS-së janë të paralizuara, PS-ja sillet më shumë si një parti private
Forumet në PS nuk funksionojnë, sekretariati nuk thirret nga Rama që prej dy vitesh, kryesia mblidhet shumë rrallë, formalisht, ndërkohë që Asambleja mblidhet vetëm për të dëgjuar fjalën e kryetarit. Hapësirat e debatit racional janë mbyllur tërësisht, ndërkohë që klima ndaj mendimeve ndryshe është kërcënuese.
6. Incident që të kujton revolucionin kulturor kinez... por jo vetëm... edhe kërcënues për fjalën e lirë e mendimin ndryshe...
Po ju kujtoj vetëm një shembull, sa komik aq edhe tragjik për PS-në. Një incident fare të vogël, të përgatitur me porosi të Ramës dhe zbatuar nga dy personazhe, njëri deputet dhe tjetri gazetar, që përgatisin faqen e parë të një mediaje të shkruar. Një profesor si unë që ka 20 vjet që kontribuon sa askush tjetër në PS (më falni për mungesën e modestisë), që është formuar dhe kualifikuar në Perëndim dhe ka pasur vazhdimisht projekte për të punuar e jetuar në Francë, Gjermani apo kudo në Europë, por që ka preferuar së bashku me familjen e tij dhe fëmijët të qëndrojë në Shqipëri dhe të japë kontributin e tij, shkruan një artikull që ka thjesht analizë racionale dhe matematikë, pa përmendur asnjë emër dhe pa asnjë kritikë apo sharje, dhe parashikon një rezultat për Tiranën, ku më tepër i tërhiqet vëmendja PS-së dhe Ramës, duke i kujtuar të ketë kujdes nga përçarja e së majtës, e cila mund të jetë, dhe kështu doli, arsyeja që në Tiranë nga 9 me 2 minibashki për PS më 2007 do të përfundohet në 7 me 4 minibashki në favor të PD-së më 2011. Dhe a dini cili ishte incidenti? Një grup i vogël i instruktuar në mënyrë mediokre dhe me orientim direkt nga Rama dhe me një stil të gardistëve të revolucionit kulturor kinez, vjen poshtë shtëpisë, i bie ziles dhe kërkon të zbres poshtë dhe t’i shpjegoj artikullin. Dikush pas dy ditësh doli në televizor, një “kapter stalinist”, duke më kërcënuar “me dënim për përjashtim nga PS-ja, për parashikim të gabuar”. Edhe vetë shoku Mao do ta kishte pasur zili këtë skenar. Pra, sa dramatike aq edhe qesharake e gjithë kjo ngjarje tregonte panik një javë para zgjedhjeve.
7. Në PS klima është mbytëse dhe kërcënuese për mendimin ndryshe...
Më shqetësues është fakti që tregon sesa larg ka shkuar Rama dhe një pjesë radikale rreth tij në krijim e pengesave e kërcënimeve për të shprehur lirisht opinionet dhe mendimet në një parti që modestisht u reformua nga Partia e Punës, partia më e rrënuar e sistemit komunist më të dështuar në Europë më 1991. Një reformim i vështirë dhe plot sakrifica, gati i pamundur në atë kohë, që u krye nga një grup intelektualësh, si nga më të moderuarit që vinin nga Partia Komuniste, qoftë nga ata që nuk kishin lidhje me PP, por ishin të formuar në Perëndim, si dhe nga një grup të rinjsh me shumë energji që kishin prirje për të besuar majtas e transformuar në një parti socialdemokrate Perëndimore Partinë e vjetër të Punës.
8. PS-në e modernizuan profesorët dhe të rinjtë, kurse sot po e shkatërrojnë radikalët
Kjo parti për 5 vjet jo vetëm u transformua, duke u bërë anëtare të Internacionales Socialiste, jo vetëm arriti të vinte në pushtet 5 vjet nga fillimi i reformimit të saj, por gjatë tetë viteve në pushtet në sajë të këtyre figurave kjo parti ndërmori reforma të mëdha, të paimagjinueshme më 1991 për ish-Partinë Komuniste, nga e cila kjo kishte lindur. Kjo parti do kryente reforma kolosale për ta sjellë Shqipërinë afër NATO-s; 8 cikle të NATO-s janë kryer nën drejtimin e qeverisjeve socialiste dhe të majta. Kreu reforma të vështira, duke e marrë vendin nga humnera e 1997-s dhe bërë gati për ta futur në BE. Dha një kontribut të vyer për luftën në Kosovë dhe pavarësinë e Kosovës. Transformoi ekonominë dhe përfundimisht e futi në shinat e një ekonomie tregu dhe një stabiliteti makroekonomik e rritje të qëndrueshme. Ishte pikërisht kjo parti me gjithë liberalizmin e saj dhe frymën e përfshirjes, që mbështeti një kandidat për Bashkinë e Tiranës siç ishte Edi Rama, që nuk kishte asnjë lidhje me PS-në.
9. Rama me ardhjen në PS, me një strategji makiavelike, ka larguar të gjithë vlerat e PS-së dhe ka prishur sistemin e karrierës...
Ishte kjo frymë liberale dhe demokraci e brendshme që i dha mundësi zotit Rama të vinte nga jashtë dhe të vendosej në krye të PS-së. Dhe sot, 6 vjet pasi Rama ka ardhur në krye të PS-së, pikërisht këta njerëz që e kanë transformuar këtë parti dhe krijuan mundësinë që Rama të vijë në krye të PS-së, jo vetëm nuk lejohen të thonë mendimin e tyre, por kërcënohen deri në përjashtim nga partia. Pra, a kuptoni se çfarë transformimi negativ ka ndodhur në PS? Në PS nuk është prezent dhe konsiderohet tradhtar ish-kryetari i saj dhe ish-kryeministri Fatos Nano. Në PS nuk është më ish-kryeministri dhe kryetari i FRESSH, Ilir Meta, dhe konsiderohet tradhtar e i thuhet “qoftë largu”, duke i kujtuar vdekjen politike, kur dihet shumë mirë që e majta e përçarë do të shkojë nga humbja në humbje. Nuk është më ish-presidenti i Republikës dhe nuk konsiderohet si një vlerë Rexhep Meidani. Kërcënohet për përjashtim dhe thirren me muhabete lagjesh nga Rama të tilla si “hurdha e partisë” apo “ka shkuar te Saliu” për ish-kryetarin e Kuvendit të parë pluralist, Kastriot Islami. Përjashtohet nga lista e kandidatëve për deputetë ish-kryeministri Ylli Bufi. Eliminohet kryetari legjendar i PS-së së Tiranës, Musa Ulqini, e tjerë e tjerë pa fund. Po përmend vetëm këto figura, për mos përmendur një numër mjaft të madh qoftë ministrash, qoftë personalitetesh të PS-së në nivel qendror lokal, të qeverisjes vendore dhe të partisë, që ndiehen të përzënë nga PS-ja që kur ka ardhur në PS Rama. Për të mos përmendur ngjarjen e dalë në shtyp për Gramoz Ruçin, që nuk e besoj dhe nuk do besoja kurrrë.
10. PS-ja duhet të reflektojë thellë pas rezultatit zgjedhor në shkallë kombëtare dhe për Tiranën
PS-ja ka nevojë në këtë moment paszgjedhor dhe pas dy vitesh veprimesh radikale, të reflektojë thellë dhe këto që them unë nuk janë në funksion as për të mbështetur Sali Berishën dhe as për të kritikuar Edi Ramën. Unë nuk kam ardhur këtu në Parlament për të mbështetur Sali Berishën dhe as kundër Edi Ramës, por për t’i dhënë një mesazh të gjithë socialistëve, për të reflektuar thellë, sepse PS-ja është në rrugë të gabuar dhe nëse nuk reflekton, me siguri më 2013 do të humbasë përsëri. Por edhe për t’iu kujtuar se kjo që po u them, u tha mbrëmë për t’u dëgjuar nga të gjithë shqiptarët nga zyrtari më i lartë amerikan që merret me Shqipërinë dhe që ka dy vjet që shqetësohet me sjelljen e PS-së. Kërkohet një reflektim i thellë për të ndryshuar kursin e PS-së, për të ndryshuar deformimin që ajo ka pësuar gjatë këtyre dy viteve. Për ta kthyer PS-në në një forcë alternative të shpresës dhe për më tepër për të menduar për një bashkim të së majtës.
11. Leksioni më i qartë nga 2011-ta: E majta e përçarë mund të humbasë edhe më 2013.
Leksioni më i rëndësishëm dhe më i qartë i këtyre zgjedhjeve është që e majta e përçarë nuk fiton. Dhe kjo ka qenë motoja e gjithë analizave të mia 2-vjeçare, për të cilat unë mund të jem konsideruar dhe tradhtar, duke më thënë pse flet për LSI-në. Nuk kam folur për LSI-në, nuk kam folur as për PD-në, nuk kam folur as kundër PS-së apo Edi Ramës, por kam folur për të majtën e bashkuar, sepse kam bindjen e thellë se vetëm e majta e bashkuar fiton. Kam thënë që e majta e përçarë nuk i fiton zgjedhjet. Është vërtetuar më 2005, 2009, u vërtetua me saktësi matematike më 2011. Është vërtetuar dhe më 2007 pozitivisht sesi një e majtë e bashkuar mund të jetë e suksesshme.
12. Përfundimisht, Rama nuk e bashkon dot të majtën...
Por përfundimisht jam i bindur se Rama nuk e bashkon të majtën dhe nëse nuk ndërgjegjësohen të tjerët, PS-ja në këtë rrugë dhe me Ramën përçarës të së majtës humbet edhe më 2013. Pra ky është mesazhi im, kjo është arsyeja ime që po vij në Parlament me sakrificën përkatëse, sepse asnjëherë në jetën nuk i kam thyer rregullat dhe kam respektuar disiplinën, por natyrisht nuk mund të duroj as kërcënimet dhe klimën që më pengon të them atë që mendoj. Do të ishte turp po të veproja ndryshe dhe është turp për Ramën që ka transformuar PS-në deri në këtë gjendje.