E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: Kantrimen foli qartë, lexojeni të plotë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u shpreh dje në mbështetje të deklaratës së dhënë nga zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Tomas Kantrimen. “Nëqoftëse e keni lexuar me kujdes, në deklaratë nuk ka asnjë pyetje për sa i përket qëndrimit të SHBA për situatën në Shqipëri. Ajo që z. Kantrimen ka nënvizuar, është ajo që unë mendoj. Duhet lexuar e gjithë deklarata, për të marrë kuptimin e saj dhe jo vetëm pjesët që u interesojnë”, u shpreh Arvizu. Ai mori pjesë në betimin e 39 vullnetarëve të korpusit të paqes, i cili kryhet për çdo vit në Elbasan. Betimi u krye pas përfundimit të trajnimit dhe duke nisur nga nesër, vullnetarët do të nisin të punojnë në bashkitë, komunat, shkollat dhe qendrat shëndetësore në mbarë Shqipërinë. Gjatë dy viteve të ardhshme, ata do të punojnë si mësues të gjuhës angleze, edukatorë për promovimin shëndetësor, këshilltarë në fushën e zhvillimit organizativ të komunitetit. Në këtë ceremoni ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini, i cili falenderoi vullnetarët e korpusit të paqes. Ai ka vlerësuar asistencën e vullnetarëve dhe nënvizoi se vullnetarët do të jenë gjithnjë të mirëpritur në këtë qytet

Vullnetarët e Korpusit të Paqes e nisën aktivitetin e tyre në vendin tonë në vitin 1992, me ftesë të Qeverisë shqiptare. Deri më tani, në vendin tonë kanë shërbyer 310 mijë vullnetarë. Korpusi u themelua në vitin 1961 nga Presidenti amerikan John Kennedy dhe që nga ajo kohë, ai është i shpërndarë në më shumë se 140 vende të botës dhe ka si synim promovimin e vlerave dhe dhënien e ndihmës dhe kontributit konkret për popujt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›