Kurthi i gjeneralit famëkeq të Srebrenicës
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, njoftoi dje zyrtarisht arrestimin e personit të kërkuar prej vitesh për krime lufte, Ratko Mlladiç, ish-komandant i serbëve të Bosnjës. Njoftimi i Presidentit serb mbi arrestimin e Mlladiç-it është përshëndetur nga shumë liderë botërorë dhe duket se ka afruar tashmë Serbinë në Bashkimin Europian. Presidenti Tadiç tha se Mlladiç u arrestua në territorin serb dhe ka nisur procesi i dorëzimit të tij te Gjykata e Hagës, për krimet e luftës. Më herët, një zyrtar i Ministrisë së Brendshme tha se ishte arrestuar dikush që i ngjante Mlladiç-it dhe se ata po bënin identifikimin e nevojshëm. “Mlladiç u arrestua në Serbi, pas një njoftimi anonim”, - tha zyrtari i Ministrisë së Brendshme. Gazeta kroate “Jutarnji List”, ishte e para që publikoi lajmin, duke iu referuar burimeve nga policia serbe. Gazeta shkruante se personi në fjalë i kishte udhëzuar shërbimet sekrete dhe policinë se i ashtuquajturi Milorad Komadiç kishte shumë ngjashmëri me Mlladiç-in. Radio B92 theksoi se Mlladiç u arrestua dje në një fshat pranë qytetit verior të Zrenjaninit. Mediat serbe raportojnë se Ratko Mlladiç nuk ka bërë rezistencë, në momentin kur forcat serbe i shkuan në shtëpi për ta arrestuar. Ai, sipas radios B92, dukej mjaft i plakur, ndërkaq njërën dorë e ka të paralizuar. Po ashtu, thuhet se gjatë momentit të arrestimit, ai nuk ishte i maskuar. Kur forcat e sigurisë hynë në shtëpi, aty ndodhej edhe fqinji i parë i Mlladiçëve. Ai ka rrëfyer se rastësisht është gjendur aty dhe ka ndihmuar gjeneralin famëkeq të vishet. Gjenerali plak, i cili jetonte te kushëriri i tij në fshatin Lazarevo, me emrin Milorad Komadiç, u mor dje në pyetje në një stacion policor në Beograd. Sipas autoriteteve serbe, procedura për ekstradimin e tij në Hagë mund të zgjasë disa ditë. Sipas tyre, do të ndiqet e njëjta procedura sikurse në rastin e Radovan Karaxhixhit, i arrestuar në vitin 2008. Mlladiç gjatë ditës do të dalë para një gjykatësi, i cili do ta njoftojë atë për fletë-arrestim e lëshuar nga Tribunali i Hagës. Rasti do t’i kalojë Ministrisë serbe të Drejtësisë, e cila jep fjalën e fundit për dërgimin e tij në Hagë. Ndaj këtij vendimi, Mlladiç ka tri ditë kohë që të ankohet. Sipas autoriteteve serbe, tërë kjo procedurë nuk mund të zgjasë më shumë se shtatë ditë, kështu që autoritetet presin që Mlladiç të dërgohet në Hagë brenda pak ditësh. Në lidhje me këtë arrestim të bujshëm, presidenti Boris Tadiç është shprehur: “Serbia ka mbyllur tani një kapitull tjetër në historinë e saj, gjë që do ta sjellë vendin një hap më pranë ripajtimit të plotë. Çdo vend, tha ai, duhet të jetë përgjegjës për të mbyllur kapitullin e tij.” “Të gjitha krimet duhet të hetohen plotësisht dhe të gjithë kriminelët e luftës duhet të përballen me drejtësinë.”- tha presidenti serb. Por ai paralelisht bëri thirrje për hetime të pavarura me mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, lidhur me akuzat për trafikim organesh në Kosovë, të ngritura në raportin e parlamentarit zviceran Dik Marti. Tadiç premtoi se do të kryhet një hetim për çështjen se përse u deshën 16 vjet për arrestimin e 69-vjeçarit Mlladiç. Ish- shefi i ushtrisë së serbëve të Bosnjës ka qenë në arrati që nga viti 1995, kur gjykata e Hagës ngriti akuza kundër tij për gjenocid, në masakrën e 8 mijë burrave dhe djemve në Srebrenicë. Ai kërkohet gjithashtu për krime të tjera të kryera gjatë konfliktit boshnjak në vitet 1990. Javën e kaluar kryeprokurori i gjykatës së Hagës, Serzh Bramerc, tha se Serbia nuk ka bërë sa duhet për të kapur Mlladiç-in dhe të dyshuarin tjetër për krime lufte, serbo-kroatin Goran Haxhiç.