Edhe Gjermania nis procedurat për ratifikimin e Protokollit për pranimin e Shqipërisë në NATO

Qeveria gjermane i paraqiti dje Bundestagut projektligjin për ratifikimin e protokollit të pranimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Mazhoranca e kancelares Merkel është e bindur se hapja e dyerve të NATO-s për anëtarët e rinj, sidomos pranimi i Shqipërisë e Kroacisë, do të luajë një rol thelbësor në forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në hapësirën euro-atlantike
Shqipëria dhe Kroacia kanë bërë përparime shumë të rëndësishme. Presioni i reformave po tregon efekte pozitive. Ky është vlerësimi i qeverisë gjermane, për dy vendet ballkanike, për të cilat dje ka paraqitur në parlament (Bundestag) projektligjin për ratifikimin e protokollit të pranimit të tyre në NATO.
Bashkë me këtë konstatim të qeverisë gjermane, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Bundestag-u ka sqaruar se projektligji i referohet vendimit të samitit të NATO-s në prill të këtij viti në Bukuresht, ku Kroacia dhe Shqipëria morën ftesë për bisedat e anëtarësimit.
Në seancën e djeshme projektligji iu dorëzua për konsultime komisioneve përkatëse pa debat plenar. Sipas qeverisë gjermane dy vendet ballkanike kanë bërë përparime shumë të rëndësishme, thuhet në një deklaratë për media të lëshuar nga Bundestag-u. Disa nga këto përparime janë mënjanimi i konflikteve të jashtme dhe të brendshme, forcimi i të drejtave të njeriut dhe i kontrollit demokratik mbi forcat ushtarake. Qeveria gjermane konstaton më tej, se presioni i reformave po tregon efekte pozitive. Aleatët edhe qeveria gjermane janë të bindur se hapja e dyerve të NATO-s për anëtarët e rinj, sidomos pranimi i këtyre dy shteteve, do të luajë një rol thelbësor në forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në hapësirën euro-atlantike.
Në deklaratë gjithashtu thuhet, se Gjermania i ka përkrahur këto vende qysh në fillim si politikisht ashtu edhe me ndihma materiale dhe konsulta, dhe shprehet vullneti për ta vazhduar këtë ndihmë edhe në të ardhmen
...