Speciale/ Ish-strukturat e krimit, të vetmet që po trashëgojnë në Ish-Jugosllavi taktikat e Vëllazërim-Bashkimi mafioz

Zeljko Milovanovic është një kriminel lufte për të cilin Gjykata Komunale në Osijek ka lëshuar fletarrestim, sepse në uniformën e formacioneve paramilitare serbe digjte fshatrat e Sllovenisë gjatë Luftës atdhetare. Veç kësaj, ai është një ish-pjesëtar i Njësitit elitar të policisë serbe, Beretat e Kuqe, komandanti i të cilit, Milorad Ulemek - Legija, vuan dënimin me burg për shkak të pjesëmarrjes në likuidimin e ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Djindjic.
Piramidat e krimit/Ai është njeriu që për Klanin e Zemunit, sipas të gjitha gjasave, i kryente punët nëpër BeH e ndoshta edhe nëpër Kroaci, prandaj edhe rangohet diku në majën e piramidës kriminale të atyre që dyshohen se i likuiduan Ivo Pukanic dhe Niko Franjic. Ai është njeriu që ditëve të fundit, sipas mediave nga të dy anët e kufirit,
lidhet me Sreten Jocic, i njohur si Joca Amsterdam. Me njeriu që mediat serbe e cilësojnë
si 'serbi më i rrezikshëm dhe bosin më të fortë mafioz në gjithë Ballkanin". Të gjitha këto mund të thuhen për Zeljko Milovanovic, pronarin e nënshtetësisë boshnjake, kroate dhe serbe, të cilin momentalisht po e kërkojnë policitë e të tri shteteve, dhe për njeriun që, sipas asaj që dihet deri tani, në ikjen nga drejtësia pothuajse sigurisht se po e mbrojnë
grupe të ndryshme nëntokësore-mbitokësore në rajon. Mirëpo, përveç të gjitha këtyre virtyteve të numëruara, Milovanovic paraqet një shembull fantastik të vëllazërim-bashkimit mafioz, i cili, mbijetoi në këto hapësira në 18 vjetët e kaluara, pavarësisht luftërave të përgjakshme. Sepse mafia askund në botë, e as në këto hapësira, kurrë nuk udhëhiqej sipas interesave nacionale. Atë gjithmonë e interesoi vetëm një gjë - profiti.
Vëllezër sipas krimit/Profiti e interesoi edhe gjatë viteve të luftës, kur pjesëtarët e grupeve të ndryshme mafioze të të dyja anëve të kufirit tregtonin mes veti naftë dhe armë, përderisa shtetet e tyre laheshin në gjak. Profiti e intereson edhe sot, kur kriminelët
serbë në Kroaci shpërlajnë paratë e pista dhe të përgjakura përmes punëve legale, përderisa të njëjtën gjë kroatët e bëjnë në Serbi. Profiti dhe vetëm profiti i interesoi edhe atëherë kur kroatët në Zagreb i fshihnin "vëllezërit serbë sipas krimit", përderisa në Beograd strehim kërkonte shumëkush që luftoi kundër retorikës luftarake të Beogradit.
Profiti i interesoi edhe kur forcat e bashkuara kriminale serbo- kroate, të udhëhequra nga veterani kroat i luftës në Split, kryen plaçkitjen e shekullit, duke vjedhur plotë 15 milionë kuna. E profiti i intereson edhe sot, kur po këto forca të njëjta të bashkuara kriminale, nga të dy anët e kufirit, nëse për asgjë tjetër atëherë të paktën përmes mbështetjes logjistike dhe realizimit qëndrojnë prapa likuidimit të Ivo Pukanic dhe Niko Franjic. Dhe, pikërisht për shkak të gjithë këtyre gjërave, askënd nuk do të duhej ta habiste fakti se, për dallim nga strukturat juridike dhe policore të ish-shteteve, lidhje shumë më të mira, dhe atë për
vite të tëra, kanë strukturat mafioze. Sepse, përderisa strukturat e ish-shteteve luftonin mes vete, mafia ishte rigrupuar dhe riorganizuar, duke vlerësuar drejt se paratë, legale apo ilegale, nuk kanë as religjion as komb. Kriminelët nga hapësira e ish-shteteve moti janë të lidhur ose të grindur mes vetes, pavarësisht nga përcaktimi i tyre fetar, ideologjik, kombëtar ose politik. Dihet se kroatët, por as serbët ose malazezët, s'mund të furnizohen me heroinë nga Kosova ose Maqedonia po qe se ndërmjetësit e tyre nuk janë përfaqësues
të qarqeve kriminale shqiptare. Shqiptarët s'mund t'i kontrabandojnë bashkëqytetarët e tyre përmes Kroacisë dhe Sllovenisë drejt Evropës Perëndimore po qe se nuk u sigurojnë përkrahje "vëllezërit sipas krimit" nga ish-shtetet perëndimore të Jugosllavisë.
Lidhja e Frankfurtit/Ky vëllazërim-bashkim mafioz, që u konfirmua gjatë ngjarjeve të përgjakshme të muajve të fundit, në njëfarë mënyre paraqet njëlloj trashëgimie nga dy legjendat tashmë të vdekura gangstere për të dy anët e kufirit - Ljubo Magas Zemunac dhe Zlatko Bagaric. Rrëfimi i tyre i përbashkët, i cili gjatë vitesh u shndërrua në legjendë, fillon viteve ‘80 në Frankfurt. Fillimisht vetëm të njohshëm, e
pastaj miq dhe kumbarë, Magas dhe Bagaric mblodhën nën komandën e vet gjithë elitën
kriminale të ish-Jugosllavisë, duke dëshmuar kështu atëherë, njësoj sikurse edhe sot, se në botën e errët të nëntokës nacionaliteti dhe interesat e tij nuk paraqesin kurrfarë faktori vendimtar. Ngase në të kundërtën, vështirë se këto dy botë ideologjikisht të ndryshme - ajo e Magas, i cili, pavarësisht babait kroat, gjithë jetën deklarohej si çetnik, dhe ajo e Bagaric, i cili lavdërohej me nacionalizmin kroat dhe me miqësinë e tij me presidentin Franjo Tudjman - do të mund të takoheshin ndonjëherë, e lërë më të ndërthureshin mes
veti. E ishin pikërisht këta të dy, Zemunac - të cilin e adhuronin kriminelët e hapësirës së ish-Jugosllavisë, pavarësisht nga cila pjesë e saj vinindhe Bagaric - i cili me rikthimin e tij në Zagreb në vitet ‘90 fitoi titullin e mbretit të nëntokës zagrebase - krijuan një lidhje të pashkëputshme, e cila në botën mafioze mbijetoi deri sot. Nën udhëheqjen e atyre
dyve, në Frankfurt u formua grupazhi i fuqishëm kriminal i cili kontrollonte atëherë, por
edhe sot, një pjesë të madhe të punëve ilegale të gjithë Evropës. Në kuadër të këtij grupi fshiheshin edhe shumë ekzekutorë të UDB-së - si Zeljko Raznatovic (Arkan) - ose edhe karaktere tjera të errëta me dokumente të Sigurimit Shtetëror serb. Shumë nga këta 'heronj' të nëntokës evropiane kanë pasur role të rëndësishme kriminale në shpërbërjen e përgjakshme të ishshtetit. Por, po ashtu, për shumicën e këtyre 'heronjve' epiteti i kriminelëve të luftës - natyrisht, i fituar me meritë - nuk i pengoi, por përkundrazi, vetëm sa iu ndihmoi edhe më shumë në krijimin e mëvonshëm të mbretërive kriminale. Në vitet që pasuan shumë nga këta djelmosha të rrezikshëm humbën jetët e tyre në pusitë e ndryshme, në asfaltin zagrebas ose beogradas. Atyre që mbijetuan, sot si trashëgim
nga dy legjendat e vdekura të gangsterëve u mbeti lidhja e Frankfurtit, e cila ende funksionon për mrekulli.
Kutia e Pandorës/E se ky funksionim gjatë viteve pothuajse u perfeksionua u dëshmua edhe në rastin Pukanic. Sepse, del se është plotësisht e logjikshme që njeriut të dyshuar për përfshirje në likuidimin e tij gjatë ikjes i ndihmon njeriu që në Serbi perceptohet si dorë e djathtë e Sreten Jocic. Sikurse që është logjike që edhe aparaturën shpërthyese të montuar në motoçikletë ta sillte njeriu që, mes tjerash, ishte një ish-pjesëtar i njësitit famëkeq të Legijas. Vëllazërim-bashkimi mafioz kështu, në mënyrën më të keqe të mundshme, u shfaq në vepër, duke zbuluar njëkohësisht gjithë pafuqinë dhe dështimin e aparateve frymëmarrëse të shteteve nga të cilat vijnë këto karaktere. Sepse, për këto marrëveshje dhe likuidime, por as për kalimet e papenguara të kufijve të kriminelëve që buzëqeshin nga fletarrestet e Interpolit, shërbimet sekrete nuk dinin gjë. Ose nuk donin të dinin. E si edhe do të dinin, kur pipthat e oktapodëve mafiozë kaherë i
kanë pushtuar të gjitha poret e shoqërisë, sepse mafiozët e tregimeve të luftës nga persona të këqij u shndërruan në njerëz afaristë me atributin kontrovers. Përderisa strukturat
shtetërore, të rrënuara dhe të lodhura nga lufta, e kuptuan se çfarë po ndodhë, mafiozët u
rigrupuan dhe u forcuan, duke u bërë një faktor i rëndësishëm social me ndihmën e bollshme të disa individëve, qoftë të skenës politike apo të elitës informative. Të dala si rezultat i shkatërrimit të ish-shtetit, të bashkuara falë betejave për profit dhe interes, grupazhet mafioze u bënë kështu më të fuqishme se shtetet, nën ombrellën e të cilave u
krijuan. E se kjo punë s'ishte më hajgare Serbia e kuptoi në çastin kur grupet mafioze ia vranë kryeministrin, ndërkaq Kroacia kur në mes të Zagrebit u likuiduan Ivana Hodak, Ivo Pukanic dhe Niko Franjic. Elitat e frikësuara politike të të dy shteteve, iniciuan aksionet e gjera antimafioze, qëllimi përfundimtar i të cilave ishte shfaqja e fuqisë shtetërore dhe dëshmimi se, megjithatë, shteti është më i fuqishëm se bandat kriminale. Se, po ato banda që i kishte krijuar vetë. Duke hapur kështu Kutinë e Pandorës, përplot marrëdhënie të ndërthurura mafiozo-politiko-informative. Të këqijat që dolën nga kjo kuti në 20 vjetët e fundit vështirë se do të mund të futen sërish brenda, përkundër aklamacioneve politike.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”
...