PDK-ja kërkon ndihmën e OSBE-së, të BE-së dhe SHBA-ve për zgjidhjen e krizës
Partia Demokristiane i ka bërë apel faktorit ndërkombëtar, OSBE-së, Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ushtrojnë ndikimin e tyre për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri. Nënkryetari i PDK-së, Vladimir Beja, e cilësoi absurde seancën plenare dhe dënoi indiferentizmin e shprehur nga ana e dy partive kryesore për grevën e 10 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. “Dënojmë me forcë deklaratën e përfaqësuesit të Partisë Socialiste, se ‘mbi interesat e partisë nuk ka interesa të tjera’. Kështu mund të shprehet vetëm Partia e Punës së Edi Ramës. Gjithashtu dënojmë edhe deklaratën e Leifenit të përfaqësuesit të G99-s, për të cilin nuk dua të shtoj asnjë koment tjetër. PDK-ja i bën thirrje kreut të Ekzekutivit shqiptar, të gjykojë me realizëm krizën e krijuar, sepse është përgjegjësi e tij e drejtpërdrejtë kushtetuese, si dhe t’u japë garanci shqiptarëve se zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme dhe se vota e tyre nuk do të preket. PDK-ja gjykon se e vetmja garanci për zgjedhjet është përfshirja e PDK-së dhe e LSI-së në procesin e administrimit të zgjedhjeve, si parti që kanë treguar se nuk bëjnë pazare politike me votën e qytetareve për përfitime partiake. PDK-ja apelon faktorin ndërkombëtar dhe përfaqësuesit e tyre në Tirane, OSBE, BE, SHBA, të ushtrojnë të gjithë ndikimin e tyre për zgjidhjen e krizës politike të krijuar dhe garantimin e një procesi zgjedhor dhe gjithëpërfshirës”, - tha Beja.
15 Nentor 2008