E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sedorf: "Me Interin do të jetë një derbi i përjetshëm”



Holandezi i Milanit, Klarens Sedorf, e konsideron Interin si skuadrën që duhet mundur. “Zikaltërit janë në krye dhe janë favoritë”, - pohon holandezi, - “ne duhet të rifitojmë praninë tonë të fortë pas disa vitesh mungese. Interi është duke luajtur shumë mirë, ashtu si ne. Jemi në rritje. Kemi karakteristika të ndryshme nga skuadra e Murinjos dhe e Juventusit, pasi loja jonë bazohet në zotërimin e topit. Jam i kënaqur për atë që kemi bërë e kemi arritur. Me Interin do të jetë një derbi deri në fund të kampionatit, por dhe Juventusi është mirë, kështu që do të jetë një kampionat i bukur”. Sedorf bekon dhe mbërritjen e Devid Bekamit. “Jemi të gjithë të entuziazmuar ta kemi këtu për t’u stërvitur e të punojë me ne. Jemi duke e pritur. Do ta ndihmojmë të arrijë objektivat e tij, duke e ditur se është një profesionist i madh dhe ai do të na ndihmojë ne të bëjmë të njëjtën gjë”. Sedorf jep edhe konsideratën e tij për Zhoze Murinjon. “Kur je i ndryshëm nga shumica e personave, je më shumë i ekspozuar ndaj kritikave. Ky vend është duke humbur një mundësi me një person të veçantë dhe një vlerë shtesë për futbollin italian”.
PIRLO - Rikthimi i Andrea Pirlos është shndëruar në një temë të bukur në Itali. Por, regjisori i Milanit thotë për “Milan Chanell”: “Ndoshta është akoma shpejt. Kësaj jave jam stërvitur gjithmonë me skuadrën, të shhohim ditë pas dite se si do të shkojë. Të dielën mbushen dy muaj nga dëmtimi im. Kaloi pak kohë, por shpresoj të rikthehem sa më shpejt që të jem e mundur, pasi kam shumë dëshirë të luaj”. Pirlo analizon edhe paraqitjen e skuadrës së tij, e dyta në klasifikim, edhe pse ka kontributin e tij. “Janë duke luajtur shumë mirë”, - mbështet ai. “Do të hyj në një moment të zjarrtë të kampionatit dhe do të kërkoj të jap kontributin tim. Kemi dëshirë të fitojmë titullin. Është objektivi kryesor i sezonit, kështu që motivimi është akoma më i lartë”.

Mediat italiane: “Filipi, një matador i vërtetë”

“Është koha të korrim atë që kemi mbjellë”. Kjo është ajo që kërkojnë te Ravena Calcio në Itali. Trajneri Aztori e ka të qartë dhe pret nga të gjithë lojtarët e tij, por dhe nga Brian Filipi, i cili është shndërruar në një lojtar përcaktues. “Corriere Romagna” e “La voce” shkruajnë se në barazimin 1-1 kundër Reggio Emilia, asistin e golit të realizuar nga Zizari e pati dhënë me shumë zgjuarsi Brian Filipi.
TRAJNERI - “Skuadra reagoi mirë, e kuptoi se duhej të luftonte deri në fund, është një meritë më shumë për lojtarët, por kontributin e vërtetë e dha Brian (Filipi), i cili gatoi dhe golin”. Filipi është një lloj “Ervin Skele” i ri, me të njëjtat karakteristika e nuhatje për gol. Mesfushori i ri i avancuar shqiptar ka fituar zemrat e stafit teknik të Ravenës, tifozëve të saj, por dhe vëmendjen e shtypit italian, që e ka vlerësuar në vazhdimësi si një lojtar që premton shumë. Vetë autori i golit, Francesko Zizari, thotë gjatë një ndërhyrjeje në specialen e Radio International. “Për golin tim u tregua shumë i zoti Filipi, i cili ma pasoi topin në atë mënyrë që e godita pa asnjë stërmundim. Për të ardhur keq është fakti që nuk u fitua, pasi patëm tre apo katër raste për të shënuar”.
SHQIPTARI – Të premten, Ravena do të luajë në transfertë kundër Peruxhias për turin e tretë të Lega Pro. Para pak ditësh, Brian Filipi u shndërrua në një personazh në Ravena. Autori i dy golave, që i dha edhe lejën Ravenës të presë biletën për në turin e tretë të fazës finale të Kupës së Lega Pro, Brian Filipi, tha për Radio International: “Në golin e parë më duhet t’i lejoj vetes edhe ndonjë kompliment, ndërsa në të dytin u tregua i zoti Trota, që më dha edhe atë top të cilin nuk duhet ta gaboja”. “Sulmuesi shqiptar”, - shkruhet në sitin e Ravenës, - “e ka gjetur bluzën e titullarit pas disa paraqitjeve të shkurtra në kampionat”. Brian Filipi: “Gjatë ndeshjeve kundër Lumezane e Spal hyra gjatë lojës, në këto kushte nuk mund të kesh edhe kohën e mjaftueshme të bësh gjëra të mëdha, por në fakt ia dola të tregoj se çfarë di të bëj. Trajneri mund të besojë tek unë”. Filipi tregon besim te skuadra e tij. “Jemi të vetëdijshëm se jemi një skuadër e madhe dhe se do të bëjmë përpara. Nëse do të luajmë mirë, mund të bëjmë pikë me të gjithë”.
ANZALONE - "Brian Filipi është një lojtar i mrekullueshëm". Konkluzionin për "matadorin" e ri shqiptar e jep Fabrizio Anzalone, mbrojtësi i Ravenës e shok skuadre i talentit shqiptar. Lezhjani Brian Filipi, sulmues i Ravenës në Serinë C1/A dhe Kombëtares U-21 të Shqipërisë (luajti kundër Kroacisë e Azerbajxhanit), shënoi dy gola në Kupë kundër Spal dhe mediat italiane rajonale e më gjerë nuk i kursyen elozhet. “Brian është i ri, ka grinte dhe shpejtësi, është një lojtar shumë i mirë. Duhet vetëm të rritet dhe të disiplinohet nga pikëpamja taktike”, - - citohet Anzalone, duke folur për Radio International.

14 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›