E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe INSTAT pranon rënien ekonomike

Share

Rënia ekonomike për Shqipërinë gjatë muajve të parë të këtij viti është zyrtarizuar edhe nga Instituti i Statistikave, ku përmes një konference për shtyp, INSTAT ka pranuar se rritja e Shqipërisë për tremujorin e parë të këtij viti ka rezultuar në vlerën negative -0.2%, raporton Vizion Plus.

Sipas INSTAT, sektorët të cilët kanë shënuar rënien më të madhe ekonomike janë ai i industrisë dhe i ndërtimit, ku mesatarisht potenciali i tyre vlerësohet të jetë afërsisht 20% më pak se një vit më parë. Rënie kanë shënuar edhe sektorët e tjerë siç janë ai i post telekomunikacionit dhe i transportit.

Të vetmet kategori që kanë shënuar një rritje modeste janë bujqësia dhe grupi i shërbimeve. Për ekspertët, goditja nga kriza e fushave më të rëndësishme të vendit do të sjellë efekte zinxhir, të cilat do të prekin si konsumatorin ashtu edhe financat.

Është hera e parë që institucioni zyrtar i statistikave në Shqipëri pranon një rritje ekonomike negative, ndërkohë që vonesa në publikimet që duhet të bëjë INSTAT ka sjellë herë pas here debate mes ekspertëve dhe politikanëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›