E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Irani drejt reformës dhe ndryshimit?

Jordan Jorgji/PhD për Marrëdhënie Ndërkombëtare

-Presidenti i ri i Iranit duket se do të jetë 65 vjeçari Hasan Rouhani. Mbështetës i regjimit të revolucionit islamik të Homeneit, klerik i lartë shiit, i cili disponon master dhe doktoraturë nga universitetet e Skocisë, si dhe ka mbajtur një numër të madh postesh të larta politike në Iran. Rouhani njihet ndryshe si “sheiku i diplomacisë”, teksa drejtoi grupin negociator të Iranit për problemin e energjisë atomike, nga viti 2003 deri në vitin 2005, kur Mahmud Ahmadinexhad u zgjodh për herë të parë President. 

Në ndryshim nga kursi i presidentit në ikje dhe nga kandidatët e tjerë konservativë, Rouhani i mëshon të drejtave të njeriut në politikën e brendshme dhe emancipimin e gruas në shoqëri. Ai mbështet barazinë e qytetarëve dhe atë gjinore, respektimin e të drejtës së protestës dhe mbrojtjen e minoriteteve. Rouhani gjithashtu premton krijimin e një ministrie për gruan dhe  institucionalizimin e një karte për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut. 

Qëllimi i presidentit të ri është përmirësimi i imazhit që shoqëria iraniane ka në perëndim, si një shoqëri konservatore ku vlerat perëndimore janë të huaja. Gjithashtu, Rouhani kërkon të zbusë qëndrimet e kundërshtarëve të regjimit islamik, të cilët protestuan më shumë se kurrë në zgjedhjet e kaluara presidenciale të vitit 2009, në mbështetje të kandidatit të atëhershëm për president, reformatorit Mirhosejn Musavi dhe që duket se këtë radhë përkrahën klerikun reformator Hasan Rouhani. Pikërisht ky kapitull, duket si më i rëndësishmi, duke pasur parasysh protestat për më shumë demokraci në vendet arabe dhe aktualisht në Turqinë fqinjë. Në protestat e vitit 2009, Rouhani kritikoi presidentin e atëhershëm Ahmadinexhad për shtypjen e tyre. 

Për sa i përket ekonomisë, Rouhani kërkon më shumë stabilitet financiar, duke shmangur krizat e shpeshta të periudhës Ahmadinexhad dhe mosqenien e energjisë atomike si faktori i vetëm i ekonomisë së vendit. Ai gjithashtu kërkon heqjen e barrierave të shumta ekonomike dhe politike me perëndimin, duke i dhënë diplomacisë iraniane më shumë nota kompromisi dhe më pak kundërshtimi. Sheiku i diplomacisë, do të kërkojë të heqë Iranin nga izolimi ndërkombëtar, duke i dhënë vendit të tij autoritetin e një vendi të madh dhe të rëndësishëm në rajonin e Gjirit Persik, lindjes së mesme si dhe në politikat globale. 

Me shumë rëndësi pritet të jetë ecuria e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e qasjes që kjo e fundit pritet ti bëjë presidentit të ri të Iranit, për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet me perëndimin.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›