Edhe Nikoliç e vë në pikëpyetje identitetin e Maqedonisë; e quan pjesë të rëndësishme të historisë serbe
Presidenti serb, nacionalisti ekstrem, Tomisllav Nikoliç po zhvillon një vizitë të nivelit të lartë në Maqedoni. Për habinë e të gjithëve, presidenti maqedonas, Ivanov nuk ka reaguar ndaj paraqitjes së Nikoliçit, duke konfirmuar kështu problemet ekzistenciale të shtetit maqedonas
Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliç ka përdorë fjalorë të njëjtë për Maqedoninë, sikurse përdorin zyrtarët serbë kur flasin lidhur me të kaluarën historike të Kosovës. Një paraqitje të tillë Nikoliç ka pasur në Shkup, pas takimit me presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov duke folur lidhur me 100 vjetorin e fillimit të luftërave ballkanike. Nikoliç, Maqedoninë e ka përmendur si ‘pjesë të rëndësishme historike për Serbinë’. “Falënderoj Maqedoninë që më mundësoi të marr pjesë në shënimin e 100 vjetorit të fillimit të luftërave Ballkanike. Të gjitha luftërat e mëdha Serbia i ka zhvilluar në territorin e Maqedonisë”. Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov nuk ka reaguar ndaj kësaj paraqitje të Nikoliqit. Ivanov foli më tepër lidhur me proceset integruese. “Maqedonia dhe Serbia kanë pengesa në rrugën drejt eurointegrimeve, mirëpo të gjitha problemet që ekzistojnë mund të zgjidhen me dialog, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrihen zgjidhjet për problemet”. Ndryshe kontesti kishtar mes Kishës Ortodokse Serbe dhe Kishës Ortodokse Maqedonase ka qenë tema qendrore në takimin e presidentëve të Maqedonisë dhe Serbisë, Gjorge Ivanov dhe Tomislllav Nikoliq. Ky ka qenë takimi i parë në të cilin nuk janë theksuar dallimet mes Maqedonisë dhe Serbisë për shkak të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Shkupit zyrtar, por theki është vendosur te kontesti kishtar dhe te kontesti rreth cështjes së emrit që ka Maqedonia me Greqinë. Për shkak të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë, Nikoliq në kohën kur ishte në opozitë pat deklaruar se nëse vjen në pushtet do të vendoset në anën e Greqisë sa i përket çështjes së emrit. Mirëpo pas takimit të sotëm me Ivanov, ai nuk ka hezituar të pranojë se ndryshe mendon si politikan në opozitë, kurse ndryshe punon kur është në pushtet.
...