E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bankat të nxisin "rritjen ekonomike", leva e Arkimedit për të sfiduar krizën

27-10-2012 / Gazeta 55

Konferenca e 10-të ndërkombëtare e Bankës së Shqipërisë  


Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në Konferencën e 10-të të Bankës së Shqipërisë se Shqipëria ka nevojë për një horizont të ri bankar. Kreu i qeverisë theksoi se monedha shqiptare, leku, është monedha më qëndrueshme në Evropë dhe sistemi bankar i konsoliduar, ndërsa theksoi se është koha për modernizimin e shërbimeve bankare në vend dhe një mbështetje më e madhe e tij, për të nxitur rritjen ekonomike, pasi sipas Kryeministrit bankat shqiptare janë leva e Arkimedit për të përballuar pasojat e krizës, për më tepër që ekonomia kërkon oksigjenin e nevojshëm. “Thirrja ime për bankat e Shqipërisë është të bëjmë gjithçka, në mënyrë që të nxisim rritjen ekonomike, sepse kjo është sot, leva jonë e Arkimedit, për të përballuar pasojat e krizës. Kjo ekonomi është ekonomi vibrante, dinamike, reale, me një proporcion të shkëlqyer midis pagave dhe produktivitetit dhe me një treg pune ndër më fleksibël. Kjo ekonomi do oksigjenin e nevojshëm që ajo të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë rritjen. Unë jam i bindur se ju do ta përmbushni këtë mision me sukses të plotë, siç keni përmbushur deri më sot, misionin tuaj në Shqipëri”, u shpreh Berisha. Në fjalën e tij, shefi i ekzekutivit vlerësoi rolin e Bankës së Shqipërisë në stabilitetin monetar të vendit, e cila pas 20 vitesh vjen si “një histori e madhe suksesi”. Gjithashtu, kreu i qeverisë veçoi se sot vendi ka një nga sistemet më të mira bankare, ndërsa monedha shqiptare leku, është një nga monedhat më të qëndrueshme jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë. “Në këto 20 vite, shumë gjera kanë ndryshuar në Shqipëri, por asgjë nuk ka ndryshuar më shumë se Banka e Shqipërisë. Ajo e ka nisur rrugën e saj 20 vjet më parë, me 4 milionë dollarë rezervë valutore dhe sot, ajo ka në rezervat e saj rreth 2 miliardë euro. Banka e shtetit shqiptar vjen sot, me një histori të madhe suksesi, në këto 20 vite. Ajo kryesoi likuidimin e një borxhi që ishte i ndaluar me Kushtetutë dhe e likuidoi në mënyrën më të vendosur e të shpejtë, mbrojti stabilitetin monetar dhe prej më se 18 vitesh, leku është një nga monedhat më qëndrueshme të Evropës e më gjerë. Banka e shtetit shqiptar është shndërruar në një katalizator të madh të zhvillimit të sistemit bankar në Shqipëri. Sot, Shqipëri ka një nga sistemet më të mira bankare. Sistem, i cili, duke iu përmbajtur standardeve më serioze të funksionimit të sistemit bankar, nuk shkau për asnjë çast në aventura financiare që rrënuan ekonominë e miliona e miliona qytetarëve në mbarë botën, që rrënuan në mënyrë të pamerituar, reputacionin e bankave dhe sistemeve bankare. Në Shqipëri, bankat dëshmuan një përkushtim të madh e seriozitet të plotë në veprimtarinë e tyre. Ato funksionuan mbi bazën e parimeve më të shëndosha. Ndaj sot, jo vetëm që nuk patën problemet e mëdha të bankave të disa vendeve, por, përkundrazi, ato po përballojnë me sukses krizat monetare të sotme, veçanërisht krizën e euros që vështirëson në mënyrë serioze funksionimin e bankave bija nga vendet anëtare të Zonës së Euros”, tha ai. Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e një strategjie mbështetëse nga Komisioni Evropian dhe institucioneve financiare të Bretton Woods, të vendeve jashtë Zonës Euro, të cilat përballen me pasojat e krizës financiare të kësaj Zone, në mënyrë që të parandalohet përhapja e saj. “Kjo krizë është krizë afatgjatë, që në të vërtetë ka të bëjë me thelbin e konkurrencës. Një krizë që kërkon reflektim të thellë për zhvillimet e dy dekadave të fundit”, u shpreh Kryeministri, duke shtuar se përqendrimi për zgjidhjen e krizës së euros është jetike jo vetëm për vendet e Zonës së Euros, por për të gjitha vendet e Europës dhe më gjerë, për shkak të peshës së madhe që euro ka në tregun monetar botëror. “Mirëpo zona jashtë saj (Zonës Euro) përballet me pasojat e kësaj krize dhe e vërteta është se përqendrimi për ta kufizuar këtë krizë në zonën ku ajo ndodhet, është pothuaj inekzistent. Ndaj, thirrja ime si për Komisionin Evropian e në mënyrë të veçantë për institucionet e Bretton Woods është që të përpunojnë një strategji ndihme, në mënyrë që të kufizohet kriza ekzistuese e të parandalohet përhapja e saj”, theksoi më tej, kryeministri Berisha. Ndërkaq, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani deklaroi gjatë fjalës së tij, se në kushtet aktuale, sistemet bankare në të gjithë globin përballen me sfidën e marrjes së masave ekstreme, për të shmangur krizat e borxhit. “Bankat janë detyruar të marrin masa ekstreme, të cilat tejkalojnë kufijtë e imagjinuar të politikës. Çelësi i politikës ekonomike është rebalancimi afatgjatë përmes shkurtimit të borxheve. Ankorimi i së ardhmes fillon nga dita e sotme. Kriza aktuale ndodh kur harta ekonomike globale po ridimensionohet. Ta hapim një bashkëpunim të ri rajonal. Të lemë konkurrencën dhe të hapim rrugë bashkërendimit dhe bashkëpunimit financiar. Duhet të rrëzojmë barrierat”, theksoi Fullani. Gjatë konferencës kombëtare të Bankës së Shqipërisë me temë “Politika monetare nga e shkuara drejt së ardhmes”, guvernatori Fullani lajmëroi inaugurimin e qendrës logjistike në BSH, që do shërbejë edhe si qendër krediti për institucionet e tjera simotra.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›