E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha, më 25 nëntor në Shkup, për kremtimet e 100 vjetorit të Pavarësisë

27-10-2012 / Gazeta 55

Kreu i Ekzekutivit Berisha takon kreun e BDI, Ali Ahmeti
 
Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi dje me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti vlerësoi arritjet e rëndësishme që shqiptarët e Maqedonisë kanë shënuar gjatë gjithë kësaj periudhe në shumë fusha.
Nga ana e tij Ali Ahmeti e falënderoi Kryeministrin për pritjen dhe e ftoi për të marrë pjesë në koncertin e madh festiv, i cili do të zhvillohet me rastin e kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë në Shkup me 25 nëntor, duke theksuar se nderimi me pjesëmarrjen e tij është njëkohësisht dhe dëshira e të gjithë shqiptarëve në Maqedoni.
Kryeministri Berisha e falënderoi Ahmetin për këtë ftesë duke theksuar se, për të do të jetë një kënaqësi e veçantë që së bashku me gjithë shqiptarët e Maqedonisë të festojnë ngjarjen më të madhe në historinë e kombit. Në këtë kontekst kryeministri Berisha vlerësoi edhe njëherë përpjekjen, sakrificën, urtësinë dhe kontributin e burrave dhe grave më të shquar të kombit nga të gjitha trevat e tij, çka bënë të mundur kurorëzimin e përpjekjeve shekullore të kombit për liri, pavarësi e dinjitet më 28 nëntor 1912, pavarësisht se vetëm në një pjesë të territoreve që populloheshin nga shqiptarët.
Kreu i qeverisë gjithashtu shprehu vlerësimin e tij për përkujtimin dhe nderimin që qytetarët maqedonas po i bëjnë në këtë përvjetor të pavarësisë figurave të larta të kombit si Hasan Prishtina, Josif Bageri etj.
Kryeministri ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e jashtëzakonshme të heqjes të të gjitha barrierave për të konsoliduar gjithnjë e më shumë lidhjet vëllazërore, kulturore e të gjithanshme nën moton “një komb i bashkuar në BE”, por edhe bashkëpunimin në të gjitha fushat në dobi të interesit më të mirë të tyre, paqes, bashkëpunimit e miqësisë në rajon.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›