E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Sllovakia përfshihet nga përmbytjet

Handlova, 16 gusht - Autoritetet lokale në Sllovaki bëjnë të ditur sot se përmbytjet si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm kanë shkaktuar të paktën një të vdekur dhe dhjetëra të evakuuar në disa qytete në pjesën qendrore të vendit.

“Situata është alarmante në qytetet Handlova, Ziar nad Hronom dhe Prievidza. Ka të paktën një të zhdukur, një burrë nga Prievidza dhe për fat të keq kemi edhe viktimën e parë. Bëhet fjalë për një burrë nga Handlova, i cili është marrë me vete nga rrjedha e ujit derisa përpiqej të shpëtonte veturën e tij”, njoftoi Lucia Garajova e shërbimit të shtypit të Ministrisë së Brendshme sllovake.

Sipas saj, rreth 30 persona janë detyruar të evakuohen nga Prievidza. “Janë regjistruar dëme të mëdha materiale”, u shpreh ministri i Brendshëm, Daniel Lipsiç, i cili shkoi në Handlova dhe Prievidza.

Në veri të Republikës çeke, pesë persona kanë gjetur vdekjen në fundjavë si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›