E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Vitia ndihmon shkodranët

Nga Express më 09 janar 2011 në ora 20:25

Biznesmenët e komunës së Vitisë vazhdojnë t`iu dalin në ndihmë rajoneve të goditura nga vërshimet në Shqipëri. Nëpërmjet Komitetit komunal për ndihmë Shqipërisë, ata këto ditë kanë dërguar edhe kontigjentin e dytë me ndihma në ushqim për bagëti. Sipas Naser Hazirit, koordinator për ndihmë rajoneve të goditura nga përmbytjet në Shqipëri, ndërmarrja "Migros" ka siguruar dy maune me ushqim për bagëti për fermerët e rajonit të Shkodrës.

"Ndërmarrja Migros, e cila para disa ditësh kishte përcjellë për në Shqipëri një maune me ushqim bagëtish, këto ditë ka dërguar edhe dy maune tjera, po me ushqim bagëtish, njëra me sanë, kurse tjetri me krunde", ka thënë Haziri. Ai ka theksuar se shpenzimet e derivateve për transportimin e kësaj ndihme i ka hequr kompania "Euro-Abi" dhe KK i Vitisë. "Komiteti për ndihmë Shqipërisë, pos nga biznesmenët, është duke grumbulluar ndihma edhe nga ekonomitë familjare, në mënyrë që krahas fermerëve të ndihmohen edhe familjet që kanë nevojë", është shprehur Haziri.

Vitia dhe fshatrat e kësaj komune edhe në fillim të muajit shkurt të vitit 2010 kishin ndihmuar rajonet e goditura nga vërshimet në Shqipëri, ku krahas Komunës, e cila kishte kontribuar me 10 mijë euro nga buxheti i saj, ishin dhënë ndihma edhe nga ekonomitë familjare në artikuj si miell, patate etj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›