Feith: Nuk do të tolerohen mashtrimet

Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Piter Feith ka vizituar të dielën qendrën e votimit në shkollën fillore “Rasim Kiqina” në Drenas, me ç’rast ka dhënë porosinë se procesi zgjedhor duhet të përmbyllet mirë, sepse kësaj radhe nuk do të tolerohen mashtrimet dhe parregullsitë.
Edhe pse nga vizitat e bëra në disa qendra të votimit, Feith nuk ka parë ndonjë parregullsi, ai nuk është ngutur të japë vlerësimet e tij për gjithë procesin para se të përmbyllen votimet.
“Unë e vizitova këtë qendër të votimit dhe kam vizituar edhe në komuna tjera. Gjërat po shkojnë mjaft mirë, atmosfera është pozitive dhe punët po shkojnë në rregull. Megjithatë dita është shumë e gjatë, kështu që ne do të përmbahemi nga gjykimet sa i përket cilësisë së votimeve deri në rezultatet e fundit që do t’i marrim. Unë jam siguruar që të ketë numër të mjaftueshëm të vëzhguesve dhe mediave, në mënyrë që mos të ketë parregullsi tjera në këto komuna”, ka thënë ai.
Por sikur edhe më parë shefi i ICO-së ka dhënë porosinë se procesi zgjedhor duhet të përmbyllet mirë, sepse kësaj radhe nuk do të tolerohen mashtrimet dhe parregullsitë.
“Porosia ime është që nuk do të tolerojmë ndonjë parregullsi ose mashtrim në qendrat e votimit sot dhe pjesa tjetër është për nesër”, është shprehur Feith.
Ndërkaq duke parë nga afër votimet e sotme, Feith i ka lavdëruar institucionet e Kosovës dhe KQZ-në për përgatitjet e mira, ndërsa shprehu qëndrimin e tij se pret që të respektohet vendimi i gjykatës dhe të merret një vendim edhe për Mitrovicën.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të marrë një vendim edhe sa i përket vendimit të Gjykatës Supreme për Mitrovicë dhe shpresojë që shumë shpejtë certifikimi të bëhet në mënyrë që qeveria e re të fillojë të punojë në çështjet tjera”, ka thënë ai, ndërsa vlerësoi se vonesat në ndërtimin e institucioneve të reja nuk do të prishin reputacionin e Kosovës në Evropë dhe më gjerë.
Ndërkohë qendrën e votimit në shkollën fillore “Rasim Kiqina” në Drenas e ka vizituar edhe ambasadori i SHBA-së, Christopher Dell.
Ambasadori Dell nuk ka pranuar të deklarohet për media, por ka bashkëbiseduar me shumë qytetarë që kishin dal të votonin. /kosovapress/