E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe ekonomia me grip

Më shumë se 6 mijë persona kanë vdekur nga gripi i derrave që nga muaji prill i këtij viti në mbi 200 vende të botës. Por, nuk janë vetëm njerëzit që vuajnë pasojat e virusit AH1N1. Fort rënd po e pësojnë edhe ekonomitë e këtyre vendeve, në të cilat për shkak të epidemisë janë zvogëluar shkëmbimet tregtare, investimet dhe ekonomia në përgjithësi rrezikon të bie.

Zyrtarë të qeverisë dhe ekonomistë thonë se nga ky virus do të pësojë edhe ekonomia e Kosovës, në rast se gripi merr përmasat e epidemisë. Ndikimin e gripit të derrave në ekonomi e pati paralajmëruar kohë më parë edhe zëvendësdrejtor ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar, John Lipsky.

''Rreziqet e sjella nga gripi i derrave për rritjen ekonomike mbeten megjithatë të vështira për t'u parashikuar", pati thënë Lipsky, duke shtuar se epidemia e gripit të derrave mund të ketë efekte të ndjeshme mbi ekonominë botërore.

Megjithëse Kosova ka mbetur ndër vendet e pakta në rajon që nuk kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, pavarësisht se numri i të infektuarve ka shkuar në 32, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Lutfi Zharku, nuk përjashton mundësinë e zvogëlimit të aktivitetit ekonomik gjatë ditëve të ardhshme.

Sipas tij, me shtimin e masave për kontroll më të rreptë të njerëzve dhe mallrave do të reflektohen pengesat në shkëmbime tregtare. Në gjendjen e tanishme, ai thotë se nuk ka ndodhur diçka e tillë dhe gjithçka është duke shkuar normalisht.

Pos nëse kemi epidemi është krejt normale që forcohet kontrolli i mallrave dhe njerëzve dhe këto janë masa që pengojnë qarkullimin e lirë, thekson Zharku.

Ai pohon se ky virus nuk mundë të ketë ndikim të ndjeshëm në jetën ekonomike sa do të krijojë rezerva për grupet e interesit ndaj Kosovës. Edhe drejtori i Institutit për Studime të Avancuara, Shpend Ahmeti, thotë se gripi i derrave, në nivelin botëror shkakton problem për ekonominë sepse në përgjithësi paraqitet si pengesë në marrëdhëniet ekonomike.

Kjo, sipas tij, mund të ndodhë në disa rrafshe, duke zvogëluar tregtinë me shtetet e infektuara, në rënie të turizmit dhe njerëzit ikin nga vendet publike për shkak të frikës nga epidemia. Të gjitha këto nuk janë edhe aq problem për Kosovën, përveç sektorit të shërbimeve, në qoftë se ka epidemi të madhe, pohon Ahmeti.

Megjithatë, rreziku më i madh, ai thotë se qëndron në faktin se sa është e përgatitur Kosova në aspektin shëndetësor për tu ballafaquar me një epidemi të tillë, pasi që përveç kostove shëndetësore, kjo paraqet edhe një pengesë në efektshmëri të njerëzve. Në Kosovë kjo do të jetë problem shëndetësor dhe buxhetor se sa problem ekonomik, thekson Ahmeti.

Në anën tjetër zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave nuk kanë komentuar nëse po punojnë në parandalimin e ndikimit të gripit të derrave në ekonominë e Kosovës.
Ata nuk bëjnë të dituar as nëse do ti shtinë në funksion 200 milionë eurot e parapara në buxhet për gjendje krize.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›