E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulja e remitancave, në rrezik rritja ekonomike

14/11/2009  Banka e Shqipërisë vë në dukje se ky tregues është luhatur në rreth 10-15 për qind

BSH: Dërgesat e emigrantëve kanë ndjekur prirje rënëse gjatë tre viteve të fundit

Tre vitet e fundit dërgesat e emigrantëve kanë pësuar gjithnjë rënie. Kjo situatë sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë me vazhdimësinë e tendencës rënëse të remitancave vështirëson financimin e konsumit në ekonomi dhe rrit koston oportune të investimeve. “Në mungesë të balancimit të këtij faktori, kryesisht nëpërmjet rritjes së produktivitetit dhe të investimeve të huaja direkte, rritja ekonomike do të tentojë të ngadalësohet”, - theksohet në raportin më të fundit të BSH-së për politikën monetare. Në analizën e tyre ekspertët janë përqendruar në faktin se ecuria e mëtejshme e aktivitetit ekonomik mbart një pasiguri shtesë në terma të financimit të rritjes ekonomike në periudhën afatgjatë. Ata vlerësojnë se remitancat kanë qenë një nga burimet më të qëndrueshme të rritjes ekonomike në vitet e fundit, duke lënë mënjanë faktorët e tjerë si rritja e produktivitetit dhe zhvillimi teknologjik. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në terma të PBB-së remitancat janë luhatur në rreth 10-15 për qind. “Në tre vitet e fundit, megjithatë, ato kanë ndjekur një prirje të qartë rënëse nga 14.6 për qind të PBB-së në vitin 2005, në rreth 10.6 për qind në vitin 2008. Në terma vjetorë, në vitin 2008, remitancat shënuan një rënie prej rreth 6 për qind kundrejt vitit 2007, ndërsa për tremujorin e parë të vitit 2009 rënia vjetore ishte 7.7 për qind”, - thekson analiza e Bankës së Shqipërisë. Zhvillimet në tregjet kapitale ndërkombëtare dhe pasiguria e iniciativës sipërmarrëse pritet të veprojnë në ecurinë e ekonomisë reale në vend. Në prani të situatës së vështirë për likuiditet në tregjet e huaja dhe të rrezikut në rritje, lëvizshmëria e investimeve të huaja direkte dhe atyre kapitale nga jashtë kërkon norma më të larta kthimi. Për një ekonomi në zhvillim, kjo pasiguri e aksesit në tregjet kapitale të huaja përkthehet në vështirësi më të mëdha për ruajtjen e niveleve të mëparshme të investimeve. Prurjet financiare, në formën e investimeve të huaja direkte dhe kapitale, kanë financuar një pjesë në rritje të kërkesës në ekonomi. Kështu, në vitin 2008 niveli i tyre arriti në rreth 17 për qind në terma të PBB-së, përkundrejt 9 për qind në vitin 2007 dhe mesatarisht 5 për qind në vitet e mëparshme. Në kushtet e ngadalësimit të burimeve alternative të financimit, ruajtja e këtij niveli të prurjeve financiare përbën një sfidë për realizimin e një rritjeje ekonomike në nivelet e viteve të mëparshme. Zhvillimet aktuale financiare dhe ato makroekonomike vështirësojnë gjetjen e burimeve të brendshme për financimin e ritmeve ekonomike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›