E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe leximi është bërë profesion...

Librat e bukur lexohen edhe pas shumë vitesh dhe ndoshta më shumë dhe më mirë dhe më me ëndje... Nga Fahredin Shehu më 20 mars 2011 në ora 14:39

Dikur libri i sapodalë lexohej nga kritikët për ta vlerësuar apo nxirë në rast guximi.

Pakëz më vonë se dikur garoheshe për të shkruar për librin ku tymni i ndërthurur qëllimi- klani- grupi i interesit- honorari qëndiseshin me emrin e kritikut.

Sot leximi është shndërruar në profesion dhe atë të papaguar por të kushtueshëm, lexohet nga pasioni për librin pa dalluar a segreguar atë në aspektin gjinor apo të zhanrit.

Poezia ende frymon madje fort. Libri duhet të jetë vërtet i shkëlqyer dhe cytës që të më detyroj të shkruaj për të.

Pas suksesit të Profetit, Khalil Gibran është pyetur për sa kohë e pat shkruar librin, dhe përgjigja e tij ishte; për 20 vjet...e kam sjellë nga B’shara e Libanit në Amerikë. Nga Libani ku erëmon cedri.

Edhe Naime Beqiraj sikur e ka ndërprerë heshtjen poetike dhe nuk shkruan poezi gjinore, feministe, por poezia e këtillë është androgjinike dhe na e sjell qysh në titull Fikun për, të cilin kam shkruar dikur me ëndje, një bimë Biblike dhe Kur’anore, e cila lulëzon nga brendia dhe shfaq mrekullinë e sajë.

Ai duhet të piqet mirë, të pëlcas e të shfaqet si rozetë. Një vrojtim të këtillë e do libri “Njomja e fikut”, i Naime Beqirajt. Ndryshe ky libër nuk lexohet.

Lexohet pa gjini, si shpirti, si jeta, si rruga drejtë dashurisë. Ajo thotë:
“Perëndia është Dashuri”. Kjo perëndi e lexuesit dhe e autores në të njëjtën kohë, por kjo; autorja na e kumton me krejt kuvetin prej artisteje, me krejt aftësinë prej mjeshtri, me krejt mallimin prej një vajze e cila ndjek rrugën, hapat në rrugëtimin e gjatë nga kërkimi estetik drejt amshimit, aty ku kërkon troha oksigjeni nga Babai dhe nostalgjia për aromën e bukës së gatuar nga duart e nënës.

Ai/ Ajo që lexon këto vargje e asnjë tejzë e zëmrës nuk i dridhet, druaj se vuan nga abstinenca totale e zemrës apo atë e ka por aq të ngurtësuar më të fortë se graniti dhe të paluhatshme.

Emocioni pëlcet pikërisht si fiku i pjekur dhe ky është misioni i poezisë, të pëlcas si fiku i pjekur në degë, të pëlcas nga origjinaliteti, harmonia dhe balanci dhe përfundimisht mjeshtëria e artikulimit të të gjitha këtyre.

Prapë zgjedhjen e përcakton shija.
Prapë zgjidhjen e dhuron Dashuria sepse, cito: “Perëndia është Dashuri”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›