Edhe në rrnofsh sa Isuf Rexha i Berishës
1. Nga rinia ime mbaj mend një thanie popullore të trevës së Malësisë së Gjakovës: ndokujt në oda malësore, në “rrugë të madhe” apo kur ndokush ndërmerrte ndonjë mision të vështirë e të gjatë, i thuhej ballëpërballë: nuk kie me mujt me e bă apo me pas kohë me e krye këtë apo atë punë “edhe në rrnofsh sa Isuf Rexha i Berishës”.
E kush ishte ky njeri emblematik popullor?
Babagjyshi i Sali Berishës, kryeministrit të sotëm të Shqipërisë.
Është Isuf Rexha, pa mëdyshje, një nga atdhetarët e njohur të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i lindun në kullën e Berishajve në Rrafshin e Tropojës (së Vjetër), në vitin 1793, para katër shekujve kalendarik dhe vdekë 120 vjeç, në fill të nëntorit 1913 kur Malësia e Gjakovës u bë muhaxhir në Shkodër, pasi 7 divizione me 12.000 forca serbo-malazeze të primë nga gjenerali sllav Vashoviq e oficer si Savo Lazaraviç (Savë Batarja) mësynë përgjakshëm dhe i dogjën kulla, stane, pemë.
Kombëtari Isuf Rexha kur ishte 52 vjeç iu prini berishasve të vet të Rrafshit të Tropojës (Ast) ashtu si Sylejman Abaz Lushaj i Gegajt (derë e parë e fisit shipshan) etj, të inkuadruem në flamurin e bajrakut të Shipshanit me Din Bajram Bajraktarin, përkrah 8.000 luftëtarëve të Malësisë së Gjakovës e të Rekës, mori pjesë në Kryengritjen kundër Reformave të Tanzimatit dhe i thyen në Qafë të Morinës (edhe në Qafë të Prushit, etj), mijëra forca otomane të Reshit Pashës duke i largue edhe nga qyteti historik i Gjakovës, i hapën burgjet e i liruan të burgosurit, etj. Kjo kryengritje malësore nuk i lejoi Portës së Lartë t’ia cënonte autonominë Malësisë së Gjakovës, etj.
Luftëtari aktiv Isuf Rexha (i Rexhë Ali Isufit të Mark Vatë Deskut) me berishasit e vet në territorin e bajrakut të Shipshanit, përkrah mijëra forcave të Malësisë së Gjakovës etj. mori pjesë edhe në disa luftna të viteve 1852-1854 dhe 1872-1875 në mbrojtje të Plavë-Gucisë deri në Moraç kundër forcave pushtuese serbe e malazeze, që sulmonin toka etnike e popullsinë vitale shqiptare të saj me bekimin e ndihmën e gjithanshme të Perandorisë së Rusisë, si dhe në kryengritjet e Malësisë (1867-1870) kundër otomanëve.
Ndonëse në moshë të thyeme, i hipun në kali shale, i fortarmatosun, bashkë me dy djemtë e tij, me Colin e Muslinë, mori pjesë me bajrakun e Shipshanit, të Gashit, etj. në Aksionin e Gjakovës në shtator 1878, ku u vra edhe Maxharr Pasha (Sharl Detua ose Mehmet Ali Pasha) pjesëmarrës në Kongresin e Berlinit.
2. Ky atdhetari Isuf Rexhë Berisha, babagjyshi i Sali Berishës, u bă mjaft i njoftun edhe për jetëgjatësinë e tij. 120 vjet jetë. Mbi një shekull. Dhe, si i thonë asaj shprehjes së mirë “pa iu bă nevojtar kurrkujt”. Edhe në vitfundin e jetës së vet, teksa ecte mbi kalë, e mbante trupin drejt dhe prej larg i shihte njerëzit dhe iu thirrke në emën. Pati një jetë aktive.
Edhe dy nipat e Isuf Rexhës, babagjyshit të liderit Sali Berisha, kanë jetue gjatë: Zeqir Halil Isuf Berisha 97 vjeç dhe Ram Halil Isufi Berisha 94 vjeç.
Në breza janë gjene jetëgjatë.
Lideri historik i shqiptarëve, prof. dr. Sali Berisha, iu përngjan brezave të vet paraadhës jetëgjatë e atdhetar si Isuf Rexha (babagjyshi), Halil Isufit (gjyshi), Zeqir Halilit (mixha), Ram Halili (baba). Iu ka ngjarë atyre në gene, në jetë e në veprimtari teksa ecë, sheh e flet si një i ri, teksa punon me vitalitet të lartë dhe nuk njeh moshë të tretë, me një memorie të admirueshme, me aftësi përkushtuese për njerëzit e të ardhmen, për kombin shqiptar.