E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: S’besoj as tek OSBE-ja e as tek ODHR-i, janë spektatorë në një mort

16-06-2013 / Gazeta 55

Një javë para zgjedhjeve, del mbi ujë paniku i kryesocialistit. Ai s’duron dot dhe në një intervistë për Janush Bugajskin sulmon ndërkombëtarët, duke i quajtur si të panevojshëm e të paaftë për ta sjellë në pushtet me një vendim tavoline

Edi Rama i ka humbur zgjedhjet e 23 qershorit dhe i ka kontestuar ato. Ky nuk është një shkrim i bërë në vitin 2017, por është rrjedhoja logjike e asaj çka del nga intervista e djeshme e Edi Ramës për analistit Janush Bugajski në emisionin “Bugajski Hour”.
Edi Rama e fillon intervistën duke thënë se, “Mendoj se standardet s’janë plotësuar akoma, sa i përket pjesës së organizimit”. Më pas Edi Rama plas bombën duke u shprehur nuk ka pasur kurrë besim tek monitorimi i zgjedhjeve të misioneve ndërkombëtare të OSBE-së dhe ODIHR. “Nuk besoj në monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri. E kam thënë dhe më parë. Është opinioni im personal. Nuk besoj në monitorim në termat e nevojës për të parandaluar atë që mund të ndodhë. Sepse ajo çfarë ka ndodhur më parë ka qenë gjithnjë një fakt i kryer. Një fakt i kryer i shoqëruar me një ndjesi të tmerrshme dobësie nga ana e komunitetit ndërkombëtar përballë asaj që ka ndodhur. Pra, monitorët më duken si spektatorë në një mort”, kjo deklaratë e Edi Ramës përpara zgjedhjeve të 23 qershorit është e barabartë me deklaratën që bëri në 20 janar të 2011, nuk do të kalojmë mbi kufomat, pra e parashikonte ose e planifikonte sulmin dhe deklaratën akoma pa ndodhur ngjarja. Kryetari i Partisë Socialiste për motive të dobëta karriere po përgatit terrenin për një alibi humbjeje. Në intervistën për “Bugajski Hour”, Edi Rama kërcënon stabilitetin e vendit po nuk iu dha fitorja në tavolinë nga KQZ-ja.  “Të shpresojmë se KQZ-ja nuk do të luajë rolin që ne e kemi parë të luajë në të kaluarën, sidomos në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës dy vjet më parë, sepse kjo do të ishte katastrofale dhe pasojat janë të paparashikueshme”, deklaroi ai. Po ashtu, Edi Rama deklaroi se qëndrimet e LSI-së kundër taksës progresive janë hollësi. Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: Edi Ramës po lëviz dheu poshtë këmbëve. Paqëndrueshmëria e deklaratave të tij është një shenjë e kapërcimeve të njerëzve të opozitës pas 23 qershorit duke rrezikuar një 21 janar tjetër në bulevard.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›