Edhe një ‘Scarface’
Filmi “Scarface”, që fillimisht u xhirua në vitin 1932, e pastaj u ribë në vitin 1983, duket se tashmë do të ketë edhe versionin e tretë.
Marc Shmuger dhe Martin Bregman, nga studioja Universal, do të jenë producentë të filmit për të cilin thonë se nuk paraqet “as vazhdim e as ribërje të dy filmave të mëhershëm”.
Sipas fjalëve të dy producentëve, filmi i ri “Scarface” do të jetë njëlloj freskimi i filmit origjinal, përderisa rrëfimi i tij, për ngritjen dhe rënien e kriminelit me prejardhje kubaneze (Tony Montana) duket se do të mbetet pjesë e pandryshuar e ngjarjes.
Mirëpo, aktori Robert Loggia, i cili në versionin filmik të vitit 1983 interpretoi rolin e baronit të drogës, Frank Lopez, u shpreh kundër këtij projekti. Sipas tij, “Scarface është një klasik që duhet të lihet rehat”.
Para një muaji në Los Angeles është prezantuar një ‘blue-ray’ version i kult filmit, me Al Pacinon në rolin kryesor.