E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Shakespeare ballkanik

Teatrot kombëtare të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë do të bashkëpunojnë në Trilogjinë Ballkanike, e cila do të jepet vitin e ardhshëm në festivalin londinez The Globe to Globe. Shfaqja realizohet për nder të shkrimtarit të njohur britanik, William Shakespeare. Nga Express më 29 shtator 2011 në ora 11:57

Shfaqja “Trilogjia Ballkanike” paraqet një lexim të ri të veprës së Shakespeare “Henri i VI’të”, e cila trajton çështjen e luftës dhe të identitetit kombëtar, shkruan gazeta britanike ‘Daily Telegraph’. Kjo do të jetë shfaqja e 37’të e festivalit The Globe to Globe, i cili mbahet mes datave 23 prill dhe 3 qershor 2012, dhe shfaqjet e të cilit do të jepen në po aq gjuhë.

Organizatorët e festivalit që mbahet në kuadër të Olimpiadës Kulturore, një program ky përcjellës i Lojërave Olimpike të Londrës, dëshirojnë që në këtë mënyrë të tregojnë aftësinë e veprave të Shakespeare për të komunikuar në cilëndo gjuhë botërore, dhe në cilëndo periudhë kohore.

Kjo do të jetë hera e parë që një vepër e Shakespeare do të shfaqet me gjuhën e shenjave. “Gratë e Lumtura të Windsore” do të shfaqet në gjuhën suahili, përderisa “Komedia e Hutimit”, do të jepet për herë të parë jashtë Kabulit, nga kompania teatrore afgane Roy-e-Sabs.

Në kuadër të këtij projekti të pazakontë do të marrin pjesë edhe dy shtetet me popullatën më të madhe në botë, Kina dhe India, ndërkohë që komedinë “Cymbeline” do ta shfaq shteti më i ri botëror, Sudani.

“Dëshira e tyre e madhe për të ardhur këtu ishte e parezistueshme”, theksoi Dominic Dromgoole, drejtor artistik i festivalit.

Ndryshe, në ditëlindjen e William Shakespeare, më 23 prill, festivalin The Globe to Globe do ta hapë shfaqja “Troj dhe Kresida”, të cilën do ta ekzekutojë trupa teatrore e kompanisë nga Zelanda e Re Ngakau Toa.

Ndërkaq, në ditën e mbylljes së festivalit, më 3 qershor, publiku do të ketë rastin të përcjell shfaqjen “Makbeth”, në interpretim të teatrit kombëtar të Polonisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›