E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe një Dëshmor nga dora kriminale!

 Tahiraj do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve, duke u bashkuar me ata që dhanë jetën e tyre jo në kohë lufte, por nga kriminelët. Miq, familjarët dhe kolegë i bënë nderimet e fundit kryekomisarit, duke e nderuar atë për përkushtimin e tij në shërbim të atdheut. Kreu i Komisariatit të Shijakut, u vra pasditen e së enjtes teksa po zhvillonte kontrolle rutinë të automjeteve për posedim armësh.

Autori i ngjarjes është shtetasi Ilir Xhajka, i arrestuar tashmë dhe me precedentë të shumtë penalë, si në disa vrasje dhe krime të tjera më të lehta. U desh vrasja e një drejtuesi të rëndësishëm të policisë, që të kujtohej se një person me presidentë të shumë penalë, jo vetëm që nuk ishte ndëshkuar nga organet e drejtësisë, por ai qëndronte në shtëpi dhe posedonte edhe armë dhe automjete të blinduara.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, duket se e vendosi gishtin tek gjykatat për lirimin e autorit të krimit, ndërsa Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të hetojë të gjitha dosjet gjyqësore që janë bërë ndaj shtetasi Ilir Xhakja. "Ilir Azem Xhakja, vjeç 38, banues në fshatin Katund Sukth, Durrës, person me precendentë të theksuar kriminal, i akuzuar për një sërë veprash penale të rënda, kryesisht vrasje. I dënuar me 21 vite burg në mungesë për vrasje nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, i arrestuar nga strukturat e policisë në vitin 2007 dhe i liruar nga burgu në vitin 2011", tha Burgaj, teksa shpjegoi para mediat të gjithë aksionin e policisë së ndërmarrë gjatë natës.

Kush është kryekomisari i Shijakut

Kryekomisar Adem Haxhi Tahiraj, i datëlindjes 01.09.1963, me arsim të lartë policor, titulluar punonjës policie në vitin 1986, në Komisariatin e Policisë Tropojë, ishte i martuar dhe kishte 3 fëmijë. Nga vitet 1986 deri në vitin 2008, ka shërbyer me detyra të ndryshme, si specialist i policisë në zonë dhe në detyrën specialistit të policisë kriminale në Komisariatin e Policisë Tropojë dhe Kukës. Nga viti 2008 deri më 1 shtator 2011, ka ushtruar detyrën e shefit të njësisë operative në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Nga 1 shtatori 2011, ushtronte detyrën e rëndësishme të Shefit të Komisariatit të Policisë Shijak. “Gjatë gjithë viteve të punës si punonjës policie në strukturat operacionale të rendit dhe sigurisë publike, të policisë kriminale dhe të shefit të komisariatit të policisë, është karakterizuar nga disiplina e lartë në përmbushjen e detyrës, për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, në luftën pa kompromis kundër elementeve kriminalë, si dhe është dalluar për marrëdhënie të mira me komunitetin, me kolegët dhe eprorët. Në datën 13. 09. 2012, humbi jetën në krye të detyrës”, bën me dije Policia e Shtetit.

Berisha: Drejtësia do të veprojë fuqishëm

Kryeministri Sali Berisha homazhe pranë trupit të ndjerë të kryekomisar Adem Tahiraj, duke deklaruar më pas se ky është dëshmori më i fundit i atdheut, teksa garantoi qytetarët se drejtësia do të godasë me forcën më të madhe të ligjit.

“Ai ra në krye të detyrës në përpjekje për të garantuar rendin dhe qetësinë. Adem Tahiri, ka qenë një kryekomisar shembullor, trim i vendosur dhe me sakrificën e tij sublime iu faktoi kolegëve të tij dhe mbarë shqiptarëve se cili ishte kuptimi i lartë i detyrës për të. Kjo është një humbje e madhe për familjen në radhë të parë. Me këtë rast i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Ngushëlloj forcat e rendit për humbjen e një prej kolegëve të tyre, por i siguroi ato për mbështetjen më të plotë të qeverisë dhe besimit të saj të palëkundur se me forcën e ligjit do të ndëshkojë krimin dhe kriminelët aty ku ndodhen. Dje, një vrasës i përsëritur goditi kryekomisarin”, tha kryeministri.

Sipas tij, “drejtësia do të thotë me rreptësinë më të madhe fjalën e saj, sikundër do të hetohet në çdo element ky akt i shëmtuar. Duhet të garantoj qytetarët se policia e shtetit do t’i japë përgjigjen e merituar të gjithë atyre që me veprime kriminale tentojnë të prishin rendin dhe ligjin”.

Homazhe bëri edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila theksoi se drejtësia duhet të japë dënimin më të rëndë për autorin e ngjarjes. “Sigurisht që lajmi ishte tronditës, shokues për të gjithë ne. Pashë shokët e tij që qajnë, pashë miqtë e tij që dridheshin. Sigurisht që drejtësia do të gjejë fajtorin dhe dënimi do të duhet të jetë mjaft i rëndë. Adem Tahiri ishte trim. Ai punoi me përkushtim dhe me dashuri për atdheun”, tha ajo.

 
Arrestimi/vetëdorëzimi i autorit të krimit

Në krim, përveç shtetasi Ilir Xhakja, është përfshirë edhe nipi i tij, i cili ende nuk është arrestuar nga policia. Në operacionin për kapjen e këtyre dy shtetasve u angazhuan të gjitha strukturat e Policisë së Qarkut Durrës, forcat e Repartit Special RENEA, si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. I gjendur i rrethuar, Xhakja, 38-vjeç, banues në fshatin Katund Sukth, u dorëzua. Policia thekson se ai ishte një shtetas me precedentë të theksuar kriminal, i akuzuar për një sërë veprash penale të rënda, kryesisht vrasje. Këtij shtetasi ju sekuestrua me cilësinë e provës materiale dhe arma e krimit.

 Ndërkohë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, një ndërtesë tip vil, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 automjetet me të cilët autorët janë larguar nga vendngjarja, 2 automjete të blinduara (një tip BMV dhe një furgon), një tjetër mjet fuoristradë, një armë zjarri automatik dhe rreth 170 fishekë të llojeve të ndryshme, një palë dylbi snajperi, si dhe disa targa automjetesh, të cilat janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme laboratorike. Strukturat e Policisë së Shtetit aktualisht vazhdojnë punën për kapjen e autorit tjetër të kësaj ngjatje, shtetasit Ledjan Krasnaj, të cilit gjatë kontrollit të ushtruar në banesë iu gjetën rreth 60 fishekë të llojeve të ndryshme. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-09-14 15:08
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›