E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe një herë për raportin famëkeq me stampën “Dick Marty”

11-01-2011 / Nga Eden Babani

Edhe një herë, edhe dy, edhe tre, deri në pafundësi ia vlen të reagojmë bashkërisht si vëllezër të një gjaku, kur ndokush, qoftë ky edhe ndonjë personazh i njohur në nivele ndërkombëtare si, fjala vjen, zviceranët Marty e Del Ponte, synon të na e turbullojë gjakun fisnik që na rrjedh në deje. Kjo çka them, nuk është as propagandë shoviniste, as folklor politik, falë të cilit do të na përqeshka bota e civilizuar. Pa guxo të prekësh gjermanin, francezin, italianin, rusin, kinezin, cilindo - europian, afrikan, amerikan, aziatik, australian a arktikas qoftë - në sedrën e vet kombëtare! Pse neve, shqiptarëve na u dashka të heshtim kur dikush na përbalt me ç’i vjen përdorësh? Aq më tepër kur akuzat tejkalojnë në mënyrë paradoksale çdo kufi të arsyes. Të hedhësh dyshime në tym për operacione kirurgjikale që do të kërkonin sterilitet të jashtëzakonshëm, në një vend ku steriliteti do të ishte ëndërr, hë për hë e paarritshme, është më tepër sesa papërgjegjësi, është dashakeqësi, prag marrëzie. Kush nuk e njeh thënien për atë të marrin që hodhi një gur në lumë, pa u deshën mijëra të mençëm që ta nxirrnin nuk e nxorën dot? Për të riparuar dëmin e shkaktuar imazhit tonë si komb prej dukurisë Marty, do të na duhej mund jo më pak i vogël se nxjerrja e gurit nga lumi,
Nëse zviceranët Marty e Del Ponte e shpërfillin përkatësinë e tyre kombëtare dhe ndihen mirë në tollovinë e kozmopolitizmit, për shkak të federatës shumëkombëshe që i përkasin, kjo nuk do të thotë se kanë të drejtë të shpërndajnë mjegull për njerëzit me kombësi të përcaktuar prej qindra dhjetëvjeçarësh. Nëse ata, jo për faj të tyre, por për shkak të kushteve historike të cilave u janë përshtatur si ariu polar bardhësisë së akullnajave, nuk i njohin ndjenjat kombëtare, kjo nuk do të thotë se kanë të drejtë të vihen në shërbim të një kombësie kundër një tjetre, t’u shërbejnë ëndrrave shoviniste të serbomëdhenjve, që të fundosin njërën palë e të shpëtojë tjetrën, në mbytje e sipër.
Kam bindjen e palëkundur: folklor politik, jo e jo, por as nacionalizëm nuk është reagimi ndaj një dukurie të tillë dashakeqe. Në fund të fundit, çdokush le ta quajë si të dojë. Është e drejta jonë të reagojmë bashkërisht, madje fuqimisht, me të gjitha të mënyrat që na garanton prejardhja dhe lidhja jonë e gjakut shqiptar. Në zhurmënajën që ka ngritur Raporti Marty dhe kur, pas dy javësh, më 24 janar, do të mblidhet Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës që të kalojë projektrezolutën përkatëse, nuk bëhet më fjalë për interesa partiake e për ngjyrime politike. Tashmë, kush i thotë vetes shqiptar, duhet të ndiejë përgjegjësinë që i takon.
Ndoshta është rasti më fatlum për opozitën tonë të majtë,  që të dalë, më së fundi, nga plogështia e “kutive” dhe nga qerthulli i protestave qesharake dhe të flasë me një zë të besueshëm për elektoratin e vet. Është rasti më oportun që të heqë dorë nga shpifjet dhe sulmet pafund ndaj shumicës qeverisëse, të cilat, më së shumti e kanë dëmtuar imazhin e saj, në veçanti, të vendit, në një plan më të gjerë, dhe të kombit, në përgjithësi. Nëse, përkundrazi, krerët opozitarë të Tiranës janë verbuar deri në atë masë sa nuk arrijnë ta shohin kërcënimin që i bëhet së ardhmes europiane të Kosovës, si shtet i ri, dhe integrimit të vendit amë, Shqipërisë, në BE, paçin faqen e zezë! Historia do t’i damkosë me vulën e turpit për jetë të jetëve.
Tashmë ka kaluar koha e cicmiceve dhe e dasive. Ajo po na bën thirrje më shumë se kurrë t’i përgjigjemi të bashkuar një kërcënimi të ri, gjunjëzimi ndaj të cilit për interesa të vogla partiake a personale, do të ishte fatal. Ky nuk është slogan patriotizmi të shtirë siç, ndoshta, do të ngërdheshte buzët  ndonjë “kozmopolit”, skllav i modernizmave të shpëlara që po përjetojmë. Marty “po synon të shndërrojë në dokument politik, në rezolutë të KE-së, një tekst plot akuza për kombin shqiptar dhe Perëndimin.” Ai dhe zonja Del Ponte kanë hedhur një gur në lumë. A do të arrijmë ta nxjerrim këto dy javë që kemi në dispozicion?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›