Edhe një libër për Podrimjën

“Me rastin e humbjes se papritur të poetit tonë të madh Ali Podrimja, Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, në përkrahje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, Drejtoria për Kulturë, organizojnë promovimin e librit ‘Dhimbë e bukur’”, thuhet në një njoftim të dërguar nga ky union.
Promovimi i librit ‘Dhimbë e bukur’ organizohet sot, më 28 gusht, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar në orën 11:00.
Libri ‘Dhimbë e bukur’ përmban poezi, ese dhe evokim kujtimesh kushtuar Ali Podrimjës.
Më 28 gusht 2012, Ali Podrimja do ta kishte festuar 70-vjetorin e lindjes, por vdekja e mori pak ditë më herët.
Në këtë promovim (28 gusht 2012, në Teatrin Kombëtar) do të marrin pjesë një numër i konsiderueshëm i personaliteteve kulturore si dhe politike nga Kosova dhe Shqipëria.
Poezia e Podrimjës është ndër poezitë shqipe më të përkthyera, ndërsa këtë vit pritet edhe përkthimi i një vepre të tij në gjuhen malazeze.