E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe një vit në Oldham?

Shefki Kuqi mund ta vazhdojë karrierën edhe një vit. Sulmuesi kosovar ka mundësi t’i mbrojë ngjyrat e Oldham Athletic edhe sezonin e ardhshëm. Këtë mundësi nuk e ka përjashtuar as menaxheri Paul Dickov, i cili e konsideron 35 vjeçarin lojtar të rëndësishëm.

Edhe pse në moshë të shtyrë, Shefki Kuqi nuk e ka ndërmend të ndalet. Sulmuesi kosovar mund ta vazhdojë karrierën edhe për një vit dhe atë me klubin aktual Oldham Athletic. Sipas medieve britanike, ‘Latics’ e kanë në opsion vazhdimin e bashkëpunimit me ish përfaqësuesin finlandez deri në fund të sezonit 2012/2013.

Deri tash nuk është nënshkruar asgjë, por palët po shkojnë drejt kësaj rruge. Menaxheri i klubit nga liga e tretë angleze, Paul Dickov, ka konfirmuar se ekziston një mundësi që Kuqi të luajë edhe një sezon me ekipin e tij.

“Ne e kemi pëlqimin e Shefkiut, të cilin e kemi në opsion. Është një futbollist që, edhe pse është në fund të kontratës, klubi e ka opsionin e vazhdimit të bashkëpunimit me të”, ka thënë trajneri Dickov për Oldham Evening Chronicle.

- “Ne dëshirojmë t’i mbajmë të gjithë lojtarët tanë më të mirë, ata e dinë këtë. Shpresojmë që t’u ofrojmë atyre diçka që do t’i bindte të nënshkruajnë me ne për një vit. Në javët e ardhshme do të ulemi dhe të bisedojmë se çka mund dhe s’mund të bëjmë”, përfundoi ai.

35 vjeçari ishte transferuar në Oldham vitin e kaluar, pas eksperiencës së fundit që e pati me Newcastlen. Këtë sezon, Kuqi ka realizuar 16 gola, të fundit më të bukurin në karrierë ndaj Rochdale. Aktualisht Oldhami gjendet në pozitën e 14-të në Ligue One.

Gjatë karrierës së tij, futbollisti vushtrrias kishte luajtur me ekipet MP, HJK, Jokerit, Stockport County, Sheffield Wednesday, Ipswich Town, Blackburn Rovers, Crystal Palace, Fulham, TuS Koblenz, Swansea City, Derby County e Newcastle United.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›