E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Të ardhurat e shqiptarëve rritje zero %

Ky është shqetësimi i ngritur sot nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe. Sipas tij, varfëria ne Shqipëri po thellohet çdo dite e me shume dhe pjesa me e madhe e qytetareve te ardhurat e tyre i përdorin për ushqim dhe energji elektrike. 

TIRANE- Të ardhurat e shqiptarëve janë rritur me zero përqind, dhe pasiguria është më e lartë se kurrë. Ky është shqetësimi i ngritur sot nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe. Sipas tij, varfëria ne Shqipëri po thellohet çdo dite e me shume dhe pjesa me e madhe e qytetareve te ardhurat e tyre i përdorin për ushqim dhe energji elektrike.
Varfëria ka qenë një fenomen në rritje gjatë vitit 2007 dhe 2008 dhe kjo ka dalë edhe nga raportet e publikuara nga ndërkombëtarët. Braçe është shprehur se FMN duhet të qëndrojë në Shqipëri edhe vitin e ardhshëm, pasi është një vit elektoral i mbushur me zhvillime. Ndërkohë buxhetin e qeverisë ai e ka krahasuar me skemat piramidale të 97-ës. “Qeveria po shpërdoron paratë dhe borxhet e marra po e fusin vendin në krizë të pashmangshme” – tha ai. Sipas tij investimet publike kanë rënë në 1.2% të Produktit të Brendshëm Bruto.

“I kërkojmë qeverisë që të rinovojë mandatin dhe marrëveshjen me FMN. FMN duhet të mbetet këtu. Kjo është si garanci për buxhetin 2009, i cili është një vit elektoral dhe që shoqërohet me rënie ekonomike në tërë botën. Ne kërkojmë garanci për zbatimin e këtij buxheti që reflekton çoroditje totale”. Sipas Braçes të gjithë treguesit ekonomikë janë në rënie. “Qeveria ka parashikuar rritje ekonomike 6%, rritja të të ardhurave 0 përqind, rritje të të ardhurave nga doganat dhe tatimet zero%”- tha ai.

Qeveria kërkon borxh nga bankat vendase

Sipas bankierëve, stuhia që po kalojnë bankat botërore do t’i bëjë ato që ta kenë të pamundur mbulimin me fonde të investimeve të qeverisë shqiptare. Kështu që, e vetmja derë ku ekzekutivi mund të “trokasë” mbeten bankat që operojnë në Shqipëri.

Të ardhurat e buxhetit për vitin 2009 parashikohet të jetë në shifrat e 333 miliardë lekëve, ndërsa shpenzimet llogariten 383 miliardë. Në këto kushte, deficiti buxhetor, arrin në 50 miliardë lekë. Kjo është edhe arsyeja që e kanë shtyrë qeverinë të kërkojë financime alternative për të përmbushur investimet e parashikuara në buxhet.

Ministri i financave, Ridvan Bode, theksoi se, "projektbuxheti i shtetit për vitin 2009 merr në konsideratë zhvillimet dhe ecurinë e ekonomisë shqiptarë në vitet e fundit, por dhe ato në tregun e jashtëm në kuadrin e disa ndryshimeve që ka pasur ekonomia botërore për shkak të krizës së sistemit financiar".

Situata e ndërlikuar ekonomike në botë, e cila vështirëson së tepërmi gjetjen e fondeve dhe zhvillimi i zgjedhjeve elektorale vitin e ardhshëm, janë shkaqet që e kanë detyruar qeverinë, që investimet për 2009-ën t’i ulë me 60 milionë dollarë në krahasim me vitin e kaluar. Në projektbuxhet është parashikuar një nivel investimi në masën e 940 milionë dollarëve, ku 400 milionë dollarë do të sigurohen direkt nga arka e shtetit dhe diferenca do të merret hua nga donatorët ose bankat tregtare.

(Orjeta Zhupa BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›