E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Ngërçi politik do kapërcehet shpejt



Kreu i shtetit Bamir Topi shprehet optimist për kapërcimin e shpejtë të ngërçit politik. Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, në takimin me Raportuesin për Shqipërinë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, Nikolaos Chountis, Topi vlerësoi rivendosjen e dialogut politik mes opozitës dhe mazhorancës dhe shprehu optimizmin për kapërcimin e shpejt të ngërçit politik.
Topi shprehu besimin se shumë shpejt do të mund të merren dy vendime të rëndësishme për vendin tonë, ai i hartimit të Opinionit të Komisionit Evropian dhe vendimit për marrjen e statusit të vendit kandidat, si dhe ai i përmbylljes me sukses të procesit të liberalizimit të vizave.

Në këtë kuadër,kreu i shtetit vuri në dukje angazhimin për përfundimin e dorëzimin në kohë të pyetësorit të BE-së, duke shprehur bindjen se të gjitha vendet e rajonit ballkanik do të bëhen pjesë së shpejti e Bashkimit Evropian.

Chountis theksoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria politike në përmbushjen e kritereve integruese të Shqipërisë.
Ai vlerësoi përpjekjet e mëdha të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe shprehu besimin e plotë se vendi ynë do të përmbushë me sukses të gjitha detyrimet për të qenë pjesë edhe zyrtarisht e familjes evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›