Edhe pas humbjes në Kolegj, Rama s’heq dorë nga hileja e shtatorit, që e mban peng marrjen e statusit kandidat
Cilido qoftë vendimi i Kolegjit më 6 korrik për ne është e qartë detyra që kemi ndaj njerëzve të këtij vendi dhe përgjegjësia që mbajmë si partia më e madhe e Shqiptarëve për të mos lejuar largimin e Shqipërisë nga rruga e vetme e Bashkimit Evropian. Kemi pjesën tonë të patjetërsueshme në paktin e vete Shqipërisë me Bashkimin Evropian duhet të afirmohen prej nesh si pjesë përbërëse e programit tonë të ri por dhe si angazhim konstant parlamentar përmes nismash të reja ligjore. Vetëm një javë më parë kryetari i partisë Socialiste, Edi Rama paralajmëroi se grupi i tij parlamentar do të kthehej në parlament cilido të ishte vendimi i Kolegjit Zgjedhor për zgjedhjet e Tiranës dhe kjo me funksionin e vetëm për të ndihmuar në proceset integruese të Shqipërisë. Kolegji tashmë e ka dhënë vendimin e tij dhe Edi Ramës si mbetet tjetër gjë veçse të lejojë grupin parlamentar socialist të japë kontributin e tij për një çështje kaq të rëndësishme për të ardhmen Europiane Shqipërisë, ashtu siç ka deklaruar dhe ai vetë. Burime brenda grupit parlamentar socialist thonë se sipas të gjitha gjasave socialistët mund të rikthehen në kuvend në shtator siç u shpreh dhe vetë Rama në Asamblenë Socialiste. Por thyerja e bojkotit në nisjen e sesionit të ri parlamentar duket teper i vonuar për statusin e Shqipërisë. Rikthimi i të zgjedhurve të majtë në parlament në vjeshtë nuk do të ndihmonte që progres raporti i ardhshëm që Bashkimi Evropian do të hartojë mbi hapat që vendi ynë ka hedhur në drejtim të përmbushjes kushteve për t’u integruar në familjen evropiane të ndizte dritën jeshile për Shqipërinë. Kjo pasi piketat e para për draftin e opinionit për statusin e vendit kandidat që merr formën e plotë në muajin tetor do të hidhen vetëm 10 ditë më vonë.
Në 19 korrik në Bruksel do të mbahet një takim i një niveli të lartë Shqipëri – BE ku mes të tjerash bazë e diskutimeve do të jenë 12 prioritetet e përcaktuara për vendin tonë. Prioritete këto që përmbajnë reforma që duhet ë përmbushen duke u votuar në parlament një sërë ligjesh të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Mungesa e gjatë e socialistëve në kuvend dhe mosdhënia e garancisë për të bashkëpunuar me mazhorancën për përmbushjen e 12 kushteve të cilat janë kryesisht politike vendosin një pikëpyetje të madhe për procesin e integrimit. Kthimi i grupit socialist të hënën në jetën parlamentare do të shënonte një hap pozitiv pasi nga Brukseli pavarësisht jetës së tensionuar politike në Shqipëri vijnë sinjale shpresë dhënëse për të akredituar Shqipërinë një nivel më lart në rrugën evropiane.
Socialistët kanë në dorë shansin për të treguar se nëse vërtet janë pro integrimit të vendit në Bashkimin Evropian apo do të vazhdojnë ta përdorin këtë proces për qëllime të ngushta politike në funksion të aksioneve të kupolës drejtuese të selisë rozë.
Kryetari i partisë Socialiste ka në dorë t’iu tregojë shqiptarëve se në funksion të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian është i aftë të kapërcejë dhe hidhërimin e humbjes së Tiranës ose të vërtetojë se nekropolitika e tij shkon deri në caqet e errëta të aksionit për të penguar ardhmërinë Evropiane.