Stefan Fyle apel opozitës shqiptare: Kontribuo në parlament për 12 rekomandimet, Shqipëria duhet të marrë statusin e vendit kandidat

Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fule në një intervistë dhënë për “Prague Post” në Pragë të Çekisë, deklaron edhe njëherë se Bashkimi Evropian ka lënë të hapur mundësinë e dhënies së statusit kandidat Shqipërisë brenda këtij viti. Komisioneri Fule thotë qartësisht se Tirana zyrtare duhet të përshpejtojë plotësimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, ndërsa i adreson një apel racional opozitës.
Bashkimi Evropian ndan një perspektivë të veçantë për të ardhmen e Shqipërisë.
“Në Shqipëri, Komisioni Evropian paraqiti opinionet vitin e kaluar, duke i adresuar qeverisë dhe klasës politike realizimin e 12 rekomandimeve. Ne Shqipërisë i kemi propozuar statusin e vendit kandidat dhe në vend të shtatë prioriteteve ne kemi shënuar 12 prioritete kyçe. Fakti se ne i dhamë statusin e vendit kandidat Malit të Zi dhe jo Shqipërisë, lidhet me problemet e brendshme politike, pra Shqipëria nuk plotësonte kriteret e Kopenhagenit, që lidhen pikërisht me stabilitetin politik dhe të institucioneve demokratike. Unë shpreh edhe njëherë besimin tim se qeveria dhe opozita e Shqipërisë janë në gjendje të gjejnë një mënyrë racionale, për të bashkëpunuar në parlament, pasi siç theksove ka një “ngërç” në këtë drejtim, duke filluar nga zgjedhjet parlamentare të 2009-ës. Megjithatë, Brukseli nuk është i interesuar të krijojë pengesa artificiale. Ato kanë të njëjtat mundësi sikurse edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, aspirante për në BE. E vetmja pengesë lidhet me “betejën” politike. Ata duhet të gjejnë zgjidhjen politike, për të adresuar kështu 12 prioritetet kyçe siç përcaktohen edhe nga Komisioni Evropian, në mënyrë që KE të rekomandojë dhënien e statusit të vendit kandidat, që i paraprin procesit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian”- u shpreh Fule.
Duke iu referuar zhvillimeve të mëtejshme të Bashkimit Evropian në ballkanin perëndimor, Fyle garantoi se me anëtarësimin e Kroacisë, procesi do vijojë me vendet e tjera të rajonit. “Kroacia është vetëm një hap larg anëtarësimit në Bashkimin Evropian”- tha Fule, i cili lajmëroi se BE do nisë procedurat për aderimin e plotë të anëtarit të 28 të bllokut Evropian. Ai tha se deri tani asnjë vend i Unionit nuk ka shprehur pakënaqësi ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke nënkuptuar kështu se Brukseli mbështet anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Unë doja t’i jepja fund spekulimeve se pas anëtarësimit të Kroacisë dera e Bashkimit Evropian për vendet e tjera aspirante do jetë e mbyllur. Më duhet të sqaroj se nëse BE i mbyll dyert, atëherë i ka mbyllur ato që tani. Unë besoj se Bashkimi Evropian nuk është i lodhur nga zgjerimi dhe si i tillë negociatat e aderimit do vazhdojnë me vendet e tjera, kryesisht ato të Ballkanit Perëndimor të cilat pritet të marrin statusin e vendit kandidat”- thotë Fule, duke nënkuptuar këtu edhe Shqipërinë.
Ai flet edhe për negociatat me Serbinë kur shton se mbeten edhe shumë detyra për t’u realizuar, krahas arrestimit të kriminelëve të luftës.
Gjithashtu, Fule shprehet me optimizëm lidhur me të ardhmen e Kosovës, duke deklaruar se vendi po përparon. “Prishtina ka shënuar një hap të madh porsa i takon axhendës evropiane. Megjithatë, ndryshe nga Bosnje Hercegovina, unë nuk mund të them se edhe për Kosovën ka një konsensus të fortë nga Unioni, pasi jo të gjitha vendet e BE e kanë njohur shtetin e ri. Megjithatë dua të garantoj se nga Brukseli nuk ka asnjë pengesë në këtë drejtim: Prishtina i ka të qarta detyrat!