Edhe raundi i katërt drejt dështimit?

Tryeza e takimit Berisha - Rama

Artan Hoxha
Nuk ka fund pritja për ti dhënë vendit një president.
Pikërisht atëherë kur dukej se mungonte vetëm votimi në Kuvend, seanca e sotme është mbyllur, ndërsa shkaqet nuk janë ende të qarta.
Ndërkohë, kanë nisur të qarkullojnë zërat e parë për një tërheqje të Hoxhës nga kandidatura, por deri tani asgjë nuk është konfirmuar.
Burimet flasin për një kundërshtim të fortë të kandidaturës së Hoxhës në radhët e maxhorancës.
PS merr pjesë, por nuk voton
Partia Socialiste do të marrë pjesë në seancën e sotme, ku pritet të votohet kandidatura e Artan Hoxhës si presidenti i ri i vendit.
Vendimi për pjesëmarrjen e PS-së në seancën e zgjedhjes së presidentit u mor gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist që u mbajt në orën 09:00.
Maxhoranca çon sot për votim në Parlament kandidaturën e Artan Hoxhës.
Tryeza e katër liderëve të partive kryesore në Parlament, e mbajtur mbrëmë, nuk ka arritur të gjejë një kandidat konsensual për president.
Në fund, mazhoranca ka propozuar për president pa konsensusin e opozitës, Artan Hoxhën. Në përfundim të takimit Berisha, Rama, Meta dhe Idrizi, u bë e ditur se në raundin e katërt, mazhoranca do të dalë me Hoxhën për shkak se nuk u arrit konsensusi për asnjë emër të diskutuar në tryezë.
“Qeveria erdhi me një ofertë të kufizuar brenda oborrit të saj, e cila ishte një ofertë që praktikisht e bënte të pamundur mbështetjen me votë, të cilësdo nga kandidaturat e ofruara”, tha Rama.
Rama ka refuzuar cdo kandidaturë të paraqitur nga mazhoranca. Hoqëm dorë nga kandidatura politike, megjithatë Rama nuk pranoi as juristin Xhezair Zaganjori dhe as analistin Artan Hoxha, tha Berisha në përfundim të takimi.
Me 11 qershor në Kuvend do të mbahet raundi i katër, ku për miratim kërkohen 71 vota. /F.S/
* * *
Kryeministri Sali Berisha ka anuluar në momentin e fundit takimin e paralajmëruar me aleatët e tij, përpara se të takohej me kreun e opozitës Edi Rama.
Pritet takimi mes kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS-së, Rama, në ambientet e kryesisë së Kuvendit. Gjithashtu mësohet se, në takim, krahas krerëve të grupeve parlamentare Gramoz Ruçi e Astrit Patozi, të cilit do të shoqërojnë në takim Ramën e Berishën, do të jetë i pranishëm edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Takimi Rama-Berisha vjen vetëm disa ditë pas dorëheqjes së kandidatit të mazhorancës për president, Xhezair Zaganjori, që u refuzua që në fillim nga opozita si një kandidaturë e njëanshme.
Berisha ka ripërsëritur se kishte sakrifikuar tre raundet e para Topallin si kandidaturë dinjitoze, vetëm për konsensusin me opozitën, ndoshta për të dhënë ndonjë sinjal se mund ta hedhë në tavolinë nëse nuk gjen konsensusin me Ramën. Për një kandidaturë politike janë shprehur dhe eksponentë të lartë të PD-së, të cilët thanë se për shkak të përpjekjeve të Rmës për bllokim, por dhe për shkak se kandidatët politikë e mbajnë presionin, duhet patjetër të garojë një potencial politik.