Edhe ujku mburret që çan njëqind dele dhe ha vetëm një
Nuk mund t’i ngjajnë Rama dhe neo-bllokmenët Enver Hoxhës si dy pika uji. Të tjera kohë, të tjera huqe e marifete. Ndonëse është “njësh” si Dulla, Rama endé nuk ka mundur t’i bëjë shokët të flasin me vete. Por deputetët, amá, i mban “sus”. Ashtu si Enverit, Ramës nuk i duhen njerëz të “mirë”, por militantë, që t’ia duartrokasin humbjet si fitore. Se nuk e falin autoritarët atë që nuk u mbron pushtetin e pamerituar. Jo më kot i akuzon Rama komisionerët e vet. Pushtetet e padrejta, madjé, i shpallin armiq ata, që nuk u shërbejnë manipulimeve të tyre. Të gjithë “njëshat” modernë dinë t’i motivojnë urrejtjet e paarsyeshme ndaj kundërshtarit. Sipas tyre, të gjithë duhet të mallkohen, të përjashtohen, apo dhe të dënohen, nëse mendojnë ndryshe. Shkurt, për gjithë tiranët modernë qytetarët duhet të jenë ca “skllevër” të lirë për të mbrojtur padrejtësitë, që kërkon nevoja e garantimit të despotizmave “liberale”. Se si Enveri, edhe Rama, kur dështojnë, sajojnë armiq imagjinarë. Komunizmi nuk jetonte dot pa krijuar armiq. Por Enveri duke qenë krejt antishqiptar, më tepër se jetën u lakmonte kundërshtarëve dinjitetin. Amá edhe Rama nuk mbetet pas, për sa kohë mbledh rreth vetes sejmenë, që përgjërohen për prestigjin e tij fals. Se, për tiranítë të gjithë duhet të jenë fajtorë për vuajtjet, që u shkakton gënjeshtra dhe mashtrimi i tyre “idealist”. Ashtu si PPSH-ja, e gjithë partía socialiste duhet të marrë sot në shpinë mëkatet e Ramës. Parulla e Enver skizofrenit ishte: “Të gjithë kundër të gjithëve për të forcuar “unitetin” e partisë!”. Për Ramën të gjithë duhet të demonstrojnë shesheve për të justifikuar “krizat” e tij artificiale, që synojnë shndërrimin e humbjeve të tij në fitore. Ndërkohë që në diktaturën e “proletariatit” inkriminimi i njerëzve ishte kapitali më i çmuar (lexó: më i ndyrë!), fajësitë e komisionerëve dhe mëkati i bojkotit të pacak i deputetët duhet t’i shërbejnë mbajtjes gjallë të klimës konfliktuale, që kërkon marrjen e një pushteti të pamerituar. Si për Enverin, edhe për Ramën akuzat e rreme, shpifjet dhe urrejtjet e paarsyeshme kanë qenë në shërbim të politikës “Përçá e sundó!”. Mohimi i vlerave të kundërshtarit ka mbetur praktika themelore si e luftës së klasave të Enver xhahílit, ashtu dhe e konflikteve artificiale të E.Ramë anarkistit. Prova dhe fakte as që janë dashur as duhen për dënimet e “drejtësísë” së Enverit, apo të neobllokmenëve, të cilët, edhe këshillat e miqve ndërkombëtarë i interpretojnë vetëm në favorin e tyre. Si Enver frikacaku, edhe E.Rama “misionari” e do “peng” Shqipërínë, me qëllim që t’u bëjë presion botës dhe kundërshtarëve atdhetarë politikë t’i premtojnë një pushtet, që nuk buron nga vullneti i sovranit. Ashtu si tirani skizofren i diktaturës, që duke lënguar nga mania e persekutimit, forconte vazhdimisht luftën e klasave, Rama ka bërë vazhdimisht thirrje për rebelíme, demonstrata, djegie gomash, bllokim rrugësh dhe greva provokuese, etj. Se, si të terrorizuar, të dy despotët s’e kanë njohur mëshirën, madje, e kanë dënuar atë: njëri si zbutje të luftës së klasave, tjetri si braktisje të “kauzës” së sajuar për pushtet me dhunë. Të dy e kanë shfrytëzuar si burim terrori pasigurínë e njerëzve për të nesërmen. Veçse, ndërsa Enveri e krijonte vetë, Rama e monton me shpifje e trillime, të cilave mezí u beson vetë. Ashtu sikurse të gjithë duhej të ishin pjesëmarrës në krimin e madh të diktaturës, të gjithë socialistët urdhërohen të jenë sot “grusht” bashkuar rreth kryetarit për të penguar integrimin. Ashtu si të gjithë duhej të ndiheshin përgjegjës për poshtërsitë e tiranit, të gjithë socialistët lypset të mbështesin Ramën në shkatërrimin e vetë partisë socialiste. Ndërsa gjyqet e komunizmit lëvdoheshin që ishin shndërruar në farsa terrori, gjyqet e demokracisë po akuzohen për kanibalizëm zgjedhor, apo për krim elektoral (!). Të gjithë mëkatarët e Enverit, që hakmerreshin ndaj popullit për poshtërímin që u bënte diktatura, Rama dhe neobllokmenët “hakmerren” ndaj shqiptarëve, që nuk i votojnë duke u pakësuar investimet e huaja serioze, turizmin, zhvillimin e infrastrukturës rrugore, e tj. Kurse, izolimin që i bënte Enveri Shqipërísë, Rama me neobllokmenët e realizojnë duke trembur Europën me eksode biblike të shqiptarëve. Diktatura e garantonte pushtetin duke bërë autorë të ligësíve të saj të gjithë popullin, neobllokmenët - duke kontestuar çdo proces zgjedhor, sado i drejtë e transparent të jetë. Kështu, ndërsa komunizmi grabiste sheshit gjithë votat e shqiptarëve, Rama dhe neobllokmenët nuk pranojnë të numërohet vullneti i tyre i lirë. Ndërsa sistemi i garancisë së pushtetit nëpërmjet bashkautorësísë së njerëzve në krim, realizohet sot prej Ramës dhe neo-bllokmenëve duke mashtruar “bazën” se konflikti lypset mbajtur ndezur deri në pafundësí. Kur të gjitha vendimet antishqiptare, krimet dhe “reformat” antinjerëzore të komunizmit miratoheshin nga masat, kurse bllokimet, bojkotet, grevat dhe demonstratat kërcënuese të PS-së janë kryer nga njerëzit e mashtruar, edhe pse këta kanë dashur vetëm paqe dhe qetësí.
Mirëpo rruga e Ramës dhe e neo-bllokmenëve nisi ta mërziste elektoratin e PS-së, sa kishin nisur të ngriheshin zëra për ta ndryshuar. Të gjithë po e shihnin që kjo taktikë po pengonte progresin, fitoren e PS-së dhe integrimin e vendit. Ndaj Rama duket sikur i ka thirrur mendjes për të ndalur bojkotin. Mirëpo ambicia e tij për pushtet të pamerituar, ankthi i neo-bllokmenëve nga rreziku i ndëshkimit të krimit komunist dhe frika e miliarderëve hajdutë se mos humbasin pasuritë, i ka trembur aq sa po krenohen që “demokratizuan” jetën duke bllokuar reformat e duke penguar integrimin. Se dhe ujku mburret, kur çan njëqind dele dhe ha vetëm një prej tyre!