E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja socialiste, teatër kukullash poshtë varrezave

03-07-2011 / Gazeta 55

Përplasjet brenda gardhit u vërtetua se ishin një lojë buratinësh, për të prodhuar alibinë që Edi Rama të shpëtohet politikisht, jo veç nga humbja, por edhe nga izolimi ndërkombëtar. Kukullat premtojnë se do ta ndihmojnë atë edhe për përfundimin e privatizimit të partisë, me fshesën e kongresit të nëntorit, muajit të paracaktuar nga diktatori për grupet armiqësore
 
Përfundoi edhe pjesa e dytë e Asamblesë së PS-së. Sikurse edhe pjesa e parë e kësaj Asambleje, edhe ajo e djeshmja, konfirmoi se e gjithë kjo “lojë e vendimmarrjesh me mbledhje strukturash” i duhej Edi Ramës, veçse për pak kohë më shumë, midis të tjerave edhe për të emëruar “zërat kundër”, për të “dëgjuar”, platformën e tij, të lexuar prej “zërave kundër”, si edhe për të “vendosur”, më pas, për këtë platformë të tijën, të lexuar nga “zërat” kundër.
Kjo dukshëm bie në sy, po të krahasohen “vendimet” e dy pjesëve të Asamblesë së PS-së.
Ndërsa në pjesën e parë të Asamblesë, në 18 qershor, Blendi Klosi deklaronte se, “Në këto kushte u vendos që në dyjavëshin në vazhdim të ketë një shpërndarje të të gjithë anëtarëve të asamblesë, të deleguar në të gjithë strukturat e PS për të filluar analizën me këto struktura, për të filluar debatin me këto struktura dhe natyrisht për të bërë atë më të rëndësishme për një parti politike, dëgjimin me vëmendje të çdo mendimi, ideje apo kontributi që do të japin mbështetësit e partisë sonë për të përgatitur një strategji të re elektorale për zgjedhjet e ardhshme”, dje në pjesën e dytë të Asamblesë, Blendi Klosi nuk tha asgjë se çfarë mendimesh kishin dhënë mbështetësit e partisë në këto dy javë bashkëbisedimi. Në fakt, Blendi Klosi zbuloi një gjë “të rëndësishme” dje, se vendimet e rëndësishme, që pritej të merreshin dje, sepse kështu kishte “paralajmëruar” vetë në 18 qershor 2011, do të shtyhen e do të merren në 5 nëntor, ditën e Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së. Shumë cinike e shumë tallëse, tingëllon kjo vendimmarrje e Asamblesë me dy pjesë të PS-së..., ku në pjesën e parë vendoset që do të merren vendime në pjesën e dytë të saj..., ndërsa në pjesën e dytë, vendoset se vendimmarrja “e rëndësishme” do të shtyhet për në 5 nëntor, ditën e mbledhjes së Kongresit të Jashtëzakonshëm.
Përpos këtij cinizmi dhe tallje, një gjë është e sigurt..., Edi Rama, ia doli që t’i japë kohë vetes, për të sajuar strategjinë e përballimit të kundërshtimeve të mundshme në PS. Për këtë ai sajoi (vërtetimi ndodhi dje në pjesën e dytë të Asamblesë së PS-së) “përplasjet” si një lojë buratinësh, role të cilat këtë herë i luajtën Maqo Lakrorët, Erion Braçe e Arben Malaj. Nëpërmjet këtyre “përplasjeve”, Edi Rama ia doli, sikurse kishte parashikuar, që t’i hapte rrugë ndryshimit të kursit. Këtë e bëri më së miri falë “presioneve’ të Erion Braçes e Arben Malajt, që “kërkuan” hyrjen e PS-së në parlament. Këtë bëri edhe Edi Rama dje, “u shkoi pas avazit” (të porositur prej atij vetë) Erion Braçes e Arben Malajt dhe “vendosi” sipas “kërkesës” së tyre, të hyjë në parlament...
A thua, se ky është problemi i vetëm i PS-së dhe Edi Ramës..., (mos)hyrja në parlament, përballë humbjes së radhës të zgjedhjeve të radhës... Apo..., apo..., për gjetjen e mundësive për mosdhënien e llogarisë së radhës... Sa të ketë Maqo Lakrorët, Erion Braçe e Arben Malaj, Edi Rama nuk ka pse trembet, sa do herë të humbasë në zgjedhje. Janë ata, që bëjnë “të zemëruarin”, “zërin kundër”, “propozuesit e platformave” dhe Edi Rama, nuk e ka për gjë, “të pajtohet” me të gjitha këto sajesat e veta, biles..., biles..., të shkojë edhe më larg, sa të hartojë “grupe pune”, për hartime statutesh e programe për PS-në dhe në kuadrin e “gjithëpërfshirjes”, për ironi, cinizëm tallje, apo edhe grotesk, të fusë në këto grupe edhe Ben Blushin e Marko Bellon, të cilët nga ana e tyre, nuk janë në gjendje as të pranojnë e as të mohojnë këtë “përfshirje” në listën e Maqo Lakrorëve të PS-së.
Nejse, ky është problemi i tyre...
Ndërsa për deri sa Edi Rama ka zgjedhur që për të shpëtuar politikisht, jo vetëm nga humbja, por edhe nga izolimi ndërkombëtar, “të mbështetet”, te këta buratinë të tipit Maqo Lakrorë, ai (Edi Rama), është në rregull, të paktën deri në 5 nëntor, datë deri në të cilën ai ka boll kohë, që ti flakë këta burtainë, e të zgjedhë të tjerë Maqo Lakrorë, të cilët, nuk kanë pse të mos jenë kaq të gatshëm sa Erion Braçe, Arben Malaj, Marko Bello, apo Ben Blushi, për ta ndihmuar atë (Edi Ramën) të thellojë privatizimin e partisë dhe të përfundojë fshesën në Kongresin e Jashtëzakonshëm të nëntorit, kohë, që për koincidencë përkon me kohën kur i mbante kongreset edhe merhumi i komunizmit...
... Pas kësaj Kongresit të jashtëzakonshëm të PS-së, i thonë një fjale të urtë popullore..., “o gomari o i zoti”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›