Serbia e Madhe dhe Shqipëria Etnike
Brenda një kohe të shkurtër kreu shtetëror serb, doli me dy deklarata të cilat në shikim të parë e kundërshtojnë njëra-tjetrën, por në fakt kan qëllim të njëjtë. Deklarata e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daciqit për ndarjen e Kosovës ishte deklaratë të cilën e kemi dëgjuar edhe shumë kohë më parë. Ndërsa qasje e re për opinionin e gjerë ishte deklarata e kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq i cili gjoja na propozon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai u prononcua gjoja për zgjidhje historike ndërmjet shqiptarëve e serbëve. Kjo sipas tij po u arritka duke biseduar Beogradi dhe Tirana. Në një intervistë për një gazetë gjermane, Tadiq thotë se “Shqipëria e Madhe është projekt i rrezikshëm, por që serbet mund të jenë pjesë e kësaj zgjidhjeje, dhe të gjitha palët mund të fitojnë diçka”. Një deklaratë e tillë është mirë e elaboruar paraprakisht, për të vënë kështu një baraspeshë midis projektit shovinist serb për krijimin e Serbisë së Madhe, dhe gjoja projektit shqiptar për Shqipëri të Madhe. Nocioni “Serbi e Madhe” është nocion shovinist serb për grabitjen e tokave të huaja. Ndërsa nocioni “Shqipëri e Madhe” ekziston vetëm në kokat e shovinisteve të Serbisë që nga shekulli i kaluar e nuk është çrrënjosur as deri më sot. Nuk ka Shqipëri të Madhe, por ka Shqipëri Etnike. Ish-Jugosllavia ishte një krijesë fund e krye artificiale. Dhe në këtë projekt titist, pa të drejtë dhe me tradhti u fut edhe Kosova si dhe vise të tjera shqiptare. Jugosllavia ishte sajuar në Konferencën e Jajcës për të vazhduar me ate të Prizrenit me 1945, ku si pjesë e kësaj kontrate u bë edhe Kosova. Dihet se struktura etnike e Kosovës gjithmonë ishte homogjene, me një popull që ka origjinë, gjuhë dhe kulturë krejt tjetër nga sllavët, të cilët janë ardhacakë në Ballkan. Kosova dhe përgjithësisht shqiptarët, me anë të konferencave të ndryshme iu nënshtruan padrejtësive të mëdha nga ana e fuqive të kohës. Pikërisht me ndihmën e këtyre fuqive të mëdha dhe Rusisë si aleate e Serbisë, edhe u spastruan krahina të tëra shqiptare nga Nishi, Prokupla, Kurshumlia, Leskovci, Vranja dhe Toplica, duke i vrarë dhe duke i shpuar shqiptarët me bajoneta. Por edhe Tadiq si paraardhësit e tij bëhet sikur i ka harruar këto të dhëna, dhe shembujt historikë negativë që janë për ta i kthen në traditë. Nga një traditë e tillë serbët nuk hoqën dorë deri në fund të shekullit të kaluar dhe nuk po heqin dorë as sot. Për të bërë një spastrim të ri etnik, forcat fashiste të kryekriminelit Millosheviq vranë, masakruan dhe i dëbuan nga tokat e tyre stërgjyshore me mijëra shqiptarë të pafajshëm në luftën e fundit. Falë luftës për liri dhe pavarësi të shqiptarëve dhe miqve ndërkombëtarë, ky synim e ri serb nuk u realizua. Këtë politikë serbomadhe po e vazhdon edhe Boris Tadiq me propozimin e fundit. Akademisë sonë të Shkencave dhe njerëzve të politikës sikur u ka ngurruar goja, dhe asnjë fjalë të vetme deri me tash nuk e thanë se shqiptarët shumë natyrshëm duhet t’i bashkojnë trojet e ndara në 6 pjesë nga fqinjët grabitqarë. Vetëm një e gjashta pjesë e saj përfaqëson shtetin shqiptar. Presidenti serb me propozimin më të ri dëshiron ta mohojë shtetin e dytë të shqiptarëve, duke e konsideruar Kosovën si pjesë të Serbisë. Ose thënë ndryshe, Serbia me këtë plan mendon se më lehtë do të vijë deri te synimi për ndarjen e Kosovës. Me këtë propozim Tadiqi i hap rrugë edhe mbajtjes së referendumit shumë të kërkuar nga Millorad Dodik që Republika Serpska të shkëputet nga Bosnja. Kur dihet se marrëveshja e Dejtonit nuk është shumë e qendrueshme, sepse këto tri republika në shumë fusha edhe funksionojnë si të ndara, atëherë edhe apetitet e Serbisë për krijimin e Serbisë së Madhe, veç sa shtohen. Këto deklarata të fundit të kreut shtetëror serb shkojnë në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë këto deklarata të Tadiqit dhe Daçiqit janë mohim dhe tallje me bisedimet që po zhvillohen midis Prishtinës dhe një nëpunësi të thjeshtë të Beogradit. Kjo ofensivë politike e Beogradit e cila po zgjat që shumë kohë, dhe e cila që shumë kohë është duke na dëmtuar seriozisht, duhet të ndërpritet njëherë e mirë pas këtyre deklaratave. Se kur dhe si do të bëhet bashkimi i të gjithë shqiptarëve, është punë e Tiranës dhe Prishtinës, e nuk është punë dhe nuk do të varet nga serbi Tadiq, i cili shihet se nuk është liruar nga idetë e vjetra të paraardhësve të tij.
...