Benedikti XVI: Shtetet të përdorin energji të pastra, teknologjia të mos jetë në shërbim të interesave të pjesshme
Qeveritë duhet të përdorin energji të pastra, që respektojnë ambientin dhe nuk përbëjnë rrezik për njeriun. Kjo ishte kërkesa, që Papa u bëri dje ambasadorëve të rinj të Moldavisë, Guinesë Ekuatoriale, Belizesë, Sirisë, Ganës dhe Zelandës së Re pranë Selisë së Shenjtë, të cilët i priti në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale. Në fjalimin, që ua drejtoi të gjithëve bashkë, Benedikti XVI theksoi se kujdesi për ambientin nuk duhet të kushtëzohet nga qëllime politike ose ekonomike. Semestri i parë i këtij viti, vuri në dukje Ati i Shenjtë, është karakterizuar nga tragjedi të panumërta, që kanë dëmtuar natyrën, teknologjinë dhe njerëzit. Por, kryesore është njeriu e jo teknika, as interesat e palëve. Papa foli qartë para ambasadorëve, nga pesë kontinentet e botës, duke pasur parasysh universalitetin e temës së respektimit të ambientit: “Njeriu, të cilit Zoti i ka besuar administrimin e natyrës, nuk mund të dominohet nga teknologjia e të bëhet objekt i saj. Kjo vetëdije duhet t’i nxisë shtetet të reflektojnë së bashku mbi të ardhmen e afërt të planetit, mbi përgjegjësitë që kanë për jetën tonë e për teknologjinë. Ekologjia njerëzore është e domosdoshme. Adoptimi i një mënyre jetese që ruan ambientin, mbështetja e punës kërkimore-shkencore dhe shfrytëzimi i energjive të pastra, të padëmshme për njeriun e që e respektojnë gjithësinë, duhet të jetë përparësi politike dhe ekonomike”.
Është e nevojshme të rishikohet krejtësisht mënyra si e trajtojmë natyrën, në të cilën jo vetëm argëtohemi, apo e përdorim sipas qejfit, shpjegoi Papa. Nëse mungon një stil jete, që respekton besëlidhjen ndërmjet njeriut e natyrës, familja njerëzore është e destinuar të zhduket: “Të gjitha qeveritë duhet të impenjohen në mbrojtjen e natyrës e ta ndihmojnë në rolin e saj thelbësor për t’i siguruar mbijetesën njerëzimit. Kombet e Bashkuara duket se janë selia e natyrshme për një reflektim të tillë, që nuk duhet errësuar nga interesa politike dhe ekonomike verbërisht të pjesshme, me qëllim privilegjimin e solidaritetit përtej interesit personal”.
Duke u ndalur në rolin e teknologjisë, Benedikti XVI vuri re se shfrytëzimi i aftësive të saj shkon paralel me katastrofat ekologjike e shoqërore. Tepër shpesh harrohet se përparimi duhet të jetë në të mirë të njeriut e jo të teknologjisë, që është krijim i njeriut. Kemi arritur në absurditet, shpjegoi Papa, pasi mendohet se është teknologjia arsyeja e vetme e përparimit dhe e lumturisë, duke e kthyer kështu njeriun në mall: “Mjafton të shikojmë “dëmet” e përparimit dhe rreziqet që i sjell njerëzimit teknika e gjithëpushtetshme e në fund të fundit, e pakontrolluar. Teknika që e dominon njeriun, e privon nga humaniteti i tij. Krenaria që sjell ajo e ka çuar shoqërinë drejt një ekonomicizmi pa cak dhe drejt një lloj hedonizmi, që e përcakton me subjektivizëm e me egoizëm mënyrën e sjelljes”.
Është pra, urgjente, vazhdoi Papa, që shkencëtarët të dinë të punojnë për teknologjinë, duke pasur parasysh etikën e duke e ndihmuar natyrën të zhvillohet në atë drejtim, që ka dashur gjithnjë Krijuesi i botës. Ndërsa, nga ana e tyre, qeveritë duhet të nxisin një kulturë, që respekton përmasën shpirtërore e fetare të njeriut: “Respektimi i aspiratave të njeriut për drejtësi e paqe mundëson ndërtimin e një shoqërie, e cila promovon vetveten, kur mbështet familjen, ose kur refuzon, për shembull, primatin e financës. Një vend jeton nga plotësia e jetës së qytetarëve të vet, secili i vetëdijshëm për përgjegjësitë e për mundësitë në paraqitjen e bindjeve të veta si të vlefshme për të gjithë. Përveç kësaj, prirja e natyrshme drejt së vërtetës e së mirës është burim dinamizmi, që sjell dëshirën për të punuar së bashku në realizimin e së mirës së përbashkët”.
Papa ambasadorit të Sirisë: më shumë liri për njerëzit, “jo” veprimeve të njëanshme për Lindjen e Mesme/Veçanërisht domethënëse, fjala e Benediktit XVI për ambasadorin e ri të Sirisë pranë Selisë së Shenjtë, Husam Edin Aaala. Papa u ndal në revoltat e vendeve arabe dhe në situatën e vështirë në Lindjen e Mesme. Ngjarjet e fundit në jug të Mesdheut, nënvizoi Ati i Shenjtë, tregojnë dëshirën e njerëzve për një të ardhme më të mirë në fushën e ekonomisë, të drejtësisë, të lirive e të pjesëmarrjes në jetën publike. Nga ana tjetër, ato kërkojnë reforma të vërteta në jetën politike, ekonomike e shoqërore. Reforma të rëndësishme, të cilat është mirë, theksoi Papa, të mos realizohen në një ambient intolerance, diskriminimi, konflikti e dhune, por në respektimin e së vërtetës, të bashkëjetesës, të pajtimit, të të drejtave të ligjshme të njerëzve dhe të bashkësive. Këto janë parimet, që duhet të udhëheqin autoritetet e këtyre vendeve. Njëkohësisht, vërejti Benedikti XVI, duke pasur parasysh gjendjen në Lindjen e Mesme, duhet gjetur një zgjidhje globale për paqen në rajon, fryt i kompromisit ndërmjet palëve e jo zgjidhje e njëanshme, e imponuar me forcë. Papa nuk mungoi të përmendë rolin pozitiv të të krishterëve në shoqërinë siriane, si edhe marrëdhëniet paqësore ndërmjet të krishterëve e myslimanëve në vend, duke theksuar se konfrontimi mes bashkësive e përmasave të ndryshme të shoqërisë duhet të bëhet përmes dialogut, dëgjimit e bashkëpunimit. Në fund, Benedikti XVI e falenderoi popullin sirian për mikpritjen që u ka dhënë këto vite, refugjatëve të krishterë nga Iraku.
Marrë nga Radio Vatikani