E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori palestinez në Beograd sulmon Kosovën

10-06-2011 / Gazeta 55

Qëndrim absurd i përfaqësuesit të një populli që synon ta ketë shtetin e vet në OKB në sesionin e vjeshtës, njëlloj si Kosova. Duke shpallur aleancën e Palestinës me Serbinë, edhe pse ajo ka shpallur se s’do ta votojë në OKB, ambasadori u bën thirrje arabëve të mos e njohin Kosovën

Palestina, një strukturë politike që ka dekada që lufton për pavarësi e afirmim ndërkombëtar dhe që prej dekadash ka marrë edhe mirëkuptimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar e të Shqipërisë, e cila e ka njohur atë në mënyrë unilaterale prej dhjetëra vitesh, paska në Beograd një ambasador i cili i urreka edhe shqiptarët, edhe shtetin e ri të Kosovës. Në një intervistë për të përditshmen “Danas”, ambasadori i Palestinës në Serbi, Mohamed Nabhan, sulmon shtetin e Kosovës dhe u bën thirrje arabëve që të mos e njohin këtë “krijesë të Perëndimit”. “Zhvillimet në Palestinë dhe çështja e Kosovës, janë dy gjëra diametralisht të kundërta - thotë ambasadori palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan. “Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Serbisë, ndërsa Gaza dhe Bregu Perëndimor kurrë nuk kanë qenë në kuadër të Izraelit. Këto janë territore të okupuara ndërsa Serbia kurrë nuk e ka okupuar Kosovën. Paralelja do të ishte e arsyeshme në rast se serbët do të ishin okupatorë”- ka deklaruar ambasadori palestinez në intervistën për “Danas” të Beogradit. Ai vijon më tej se, “Perëndimi e ka njohur Kosovën, e jo vendet myslimane dhe arabe”. “Nëse Izraeli ka ndikim mbi Perëndimin, përse nuk e ka shfrytëzuar në kohën e shpalljes së pavarësisë? Nëse dikush beson në ndikimin e Izraelit në lidhje me Kosovën, është në iluzione. Kosova nuk e ka fituar statusin e shtetësisë falë vendeve arabe dhe myslimane e jo falë Izraelit. Arabët kanë mbështetur qëndrimin e Serbisë dhe ende e mbështesin”- vlerëson ambasadori palestinez, edhe pse sipas gazetës autoritetet serbe nuk do ta njohin shtetin palestinez.
Qëndrimi i çartur i këtij ambasadori është një kambanë që tërheq vëmendjen në fakt për anti-oksidentalizmin që po udhëheq botën zyrtare arabe, qëndrim që ka sjellë edhe valën e revolucioneve të jaseminit dhe të rrëzimit të këtyre kastave. Nuk është e qartë se ç’përfiton ambasadori palestinez i Beogradit nga këto broçkulla, sidomos kur edhe ka marrë sinjalin se sido që të jetë puna, në shtator, Serbia s’do votojë pro pranimit të Palestinës në OKB. Aspirata e lirisë, e pavarësisë dhe parimi i vetëvendosjes do të duhej të ishin ideale të mëdha bashkuese mes miqve të Palestinës në botë dhe miqve të shqiptarëve të Kosovës gjithashtu. Pushtimi sllav në Kosovë tashmë është thuajse 100 vjeçar dhe kjo situatë, duhej t’i thoshte diçka përfaqësuesit të intifadës që po synon të fitojë shtetësinë në kufijtë e 1967-s. Ky rast duhej të ishte një tregues i aleancës së gjerë të kombeve për vetëvendosje e liri, por intervista e Beogradit tregon se jo veç në qarqet sllave, por edhe tek bota arabe e islamike është e nevojshme ndërmarrja e qëndrimeve të thella, jo veç për laicitetin e shteteve, por së pari për rreshtimin e tyre në krah të popujve që kërkojnë liri e trajtim të barabartë, siç janë qytetarët e të gjitha etnive në Kosovë.

Kronika – Protestat anti-nomenklaturë që po trokasin edhe tek palestinezët

Bota arabe është tronditur nga protestat që po zgjasin me muaj të tërë. Po si do të reflektohet kjo valë e protestave ndaj Izraelit?
5 qershor, rajoni i okupuar prej Izraelit në Malin e Golanit.
Nga territori i Sirisë afrohen grupe njerëzish. Në duar mbajnë flamuj palestinezë dhe brohorasin parulla. Përpiqen të kalojnë barrierat në kufi. Forcat izraelite qëllojnë së pari me gaz lotsjellës, pastaj me plumba gome dhe në fund me plumba të vërtetë. Më shumë se 20 sirianë mbeten të vdekur. Zëdhënësi i qeverisë izraelite Mark Regev duket i mllefosur: “Ky është një provokim i qartë, s’di si ta quaj ndryshe. Ju thoni që nuk duhet të jemi këtu. Okay, ju mund të keni mendimin tuaj politik, por nuk keni të drejtë të sulmoni rojet tona kufitare. A do ta lejonte këtë një vend tjetër?”. Demonstruesit palestinezë duan të dërgojnë një sinjal: ata nuk janë më të gatshëm të pranojnë prapambetjen politike. Kërkojnë më shumë të drejta dhe kthimin e vendlindjes, nga e cila prindërit dhe gjyshërit e tyre janë dëbuar me dhunë prej vitit 1948. Protestat janë të motivuara edhe nga lëvizjet në vendet e tjera arabe. Në Tunizi, Egjipt, Jemen, Siri dhe vende të tjera njerëzit kërkojnë më shumë demokraci dhe reforma. Të njëjtat gjëra kërkojnë edhe palestinezët. Por revolucionet arabe i duken Izraelit të rrezikshme. Ai ka frikë nga rritja e ekstremizmit tek vëllezërit arabë. Ky është edhe shkaku pse Hosni Mubaraku është mbështetur deri në fund. Ai konsiderohej si garant për stabilitet në jug të vendit. Në veri Izraeli mund të ketë mbështetjen e presidentit të Sirisë Bashar al Assad. Ai sikur edhe babai i tij Hafez al Assad, angazhohet për ruajtjen e “status-quo”-së. Tani qetësia është tronditur. Demonstruesit kanë mbështetjen edhe të Damaskut, mendon historiani dhe eksperti për Lindjen e Mesme Eli Podeh. Interesi i qeverisë siriane është që të hedhë vajguri në zjarr. Pa dyshim që revolucionet e kanë influencuar gjendjen edhe në këtë rast. Qeveria e Sirisë është e interesuar edhe për zhvillimet në vendet tjera”- thotë ai. Reflektimi i protestave në trojet palestineze  Varrosja e palestinezëve. Varrosja e palestinezëve. Demonstratat dhe rënia e diktatorëve në Siri dhe Jemen nuk kanë mbërritur ende në Ramallah dhe Gazë. Në qytetet palestineze ka pasur deri tani vetëm demonstrata të vogla, që janë shuar shpejt prej regjimit të Hamasit. Por kjo mund të ndryshojë, mendon Podeh. “Ne duhet të kuptojmë që dëshira për ndryshime atje nuk ka të bëjë me pushtetin e Mahmoud Abbasit apo Hamasit, por do të drejtohet kundër okupimit. Kjo mund t’i nxjerrë njerëzit në rrugë në mënyrë masive. Demonstratat e mëdha janë pasojë e frustrimit dhe dëshpërimit. Në botën arabe ato janë të drejtuara kundër regjimeve të tyre. Ndërsa palestinezët janë të frustruar dhe dëshpëruar për shkak të okupimit, dhe kjo do t’i nxjerrë në rrugë”- pohon ai. Ekspertët sugjerojnë që Izraeli të nisë vet procesin politik me palestinezët, në qoftë se do të evitojë intifadën e tretë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›