E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Paloka: Jeta ime e re, mes Dasarës dhe Idës

TIRANË- Ai është një ndër demokratët e flaktë, që beson dhe mbron me fanatizëm idetë dhe vijën e partisë së tij. Kryeministri Berisha për batutë e ka quajtur “dashnori i përjetshëm” e në fakt deri dje ai ishte në qarkullim si mashkull i lirë, por thuajse dhe i pamundur për ta “robëruar” në burrë shtëpie. E sotmja është krejt ndryshe për Edi Palokën. Ai ka një familje të re, bashkëshorten Dasara dhe vajzën 2 vjeçe Ida, ka hequr dorë nga jeta e natës, ndërsa argëtimi momental i tij, antistresi, është marrja me kopshtari.

Si ka qenë fëmijëria e Edi Palokës, çfarë kujtoni më shumë nga ajo periudhë?
Një fëmijëri e zakonshme për ato kohë. Unë kam lindur në Tiranë në dhjetor të vitit 1965 dhe jam rritur pranë Zogut të Zi, një lagje që atëherë trajtohej si periferike apo lagje të fortësh. Unë u rrita në mes të “presionit” të një familjeje intelektualësh dhe presionit të lagjes për tu përshtatur le të themi, për tu bërë pak “rrugaç”. Nuk kam lënë gjë pa bërë nga ato që mund të quheshin shkelje apo prapsi dhe pikërisht fëmijëria ime më ndihmoi ta njoh jetën, ta shoh atë realisht. Një përvojë e domosdoshme edhe për më vonë. Nuk i jam ndarë asaj lagjeje. Shkollën 8-vjeçare e bëra te ”Hasan Vogli” ndërsa të mesmen te Politeknikumi.
Ç’ne kjo zgjedhje?
Politeknikumin apo Polikumin siç e quanim ne e zgjodha vetë me dëshirë. Të gjithë preferonin gjimnazet në atë kohë dhe të gjithë u çuditën me zgjedhjen time. Në fakt zgjedhjen e bëra jo vetëm sepse ishte pranë shtëpisë por dihej që Polikumi ishte shkolla më liberale në gjithë sistemin arsimor të asaj kohe.
Cila ka qenë prapsia më e madhe që mban mend në ato vite?
Prapsira? Nuk e di si mund të quhen, por në atë kohë “krimet” tona të vogla ishin gjuajtja me llastiqe apo “bixhozi” me kopsat e palltove të baballarëve që ne e quanim lojë me kopaca. Pranë shtëpisë, sapo kaloje unazën, në atë kohe kishte fusha të mbjella dhe frutore të cilat bëheshin pre “e vjedhjeve” tona. Ndonjëherë kemi “vjedhur” dhe në bahçet e komshinjve. Edhe sherret me fëmijët e lagjeve të tjera ishin pjesë e axhendës sonë për të vendosur supremacinë e “çunave të Zogut të Zi”. Bile shpesh bëheshim pjesë dhe e sherreve të më të medhenjëve të lagjes kur duhej të “përlesheshin” me lagjet e tjera.
Nga keto “prapesi “ cila ju ka mbetur me shume ne mendje?
Në fakt ajo që më ka mbetur në mend, nga ato që ju i quani prapsi, është një aksident, pasojën e të cilit e kam edhe sot. Në atë kohë në lagjen time ndërtohej një bibliotekë, e cila për vite me radhë u la karabina. Ne kishim sajuar një “lojë” absurde; hidheshim nga skela në skelë, nga kati i katërt i godinës deri në tokë. Një ditë duke bërë këtë rit, një shok më foli pikërisht në momentin që po bëhesha gati të hidhesha e isha në cep të tarracës. Një moment humba vëmendjen, humba ekuilibrin e reshkita. Rrash nga një lartësi sa kati i tretë me kokë mes copave të tullave.
Po shenjën ku e keni?
Është hunda, e cila që prej atëherë është pak e shtrembër.
Kë keni pasur më frikë në familjen tuaj, mamanë apo babain?
Babai në fakt ka qenë më i rëndë. Ai nuk fliste shumë, por atëherë kur e bënte unë i druhesha shumë. Kurse nëna më bërtiste thuajse përditë se ishte më në kontakt me mua, ishte e detyruar të përballej me ato prapësitë e vogla që bëja unë.
Që pas vdekjes së Enver Hoxhës, gjërat nisën të lëviznin, si i mbani mend ato kohë, dëshira për te veshur xhins apo ndonjë bisedë më liberale?
Unë në fakt xhinsin e kam veshur më herët kjo për meritë të babait tim, i cili edhe pse më bërtiste ndonjëherë, mundohej t’ia plotësonte të gjitha dëshirat të birit. E kur i solli nga jashtë, e mbaj mend që i kishte veshur poshtë pantallonave të veta, flas për vitet 1982-1983 që ishte paska e shtrënguar puna. Madje më kanë përjashtuar edhe nga shkolla për xhinsin e flokët, ditor kuptohet, pasi politeknikumi ka qenë më liberal në këtë aspekt. Ajo shkollë në fakt ishte pjesë e formimit tim pasi kishte më shumë liberalizim se në shkollat e tjera.
Ndërsa kujtoj që pas vdekjes së diktatorit fryma e ndryshimit nisi të ndihej mes qytetarëve. Ne si të rinj dëgjonin edhe bisedat e më të rriturve e na joshte e pamundura, liria. Mbaj mend për shembull vajzën e këngëtares së njohur Naile Hoxha, e cila në një grup miks shoqërie guxoi të fliste hapur për mendimet e saj, në një kohë që internimet e burgosjet për agjitacion e propagandë vazhduan deri më 1989-1990. Ne ishim një grup që flisnim me njëri-tjetrin që në vitet ’80 për revoltën e brendshme që kishim sigurisht në limite, ndërsa pas vdekjes së Hoxhës u hap edhe si modë në Tiranë që të rinj modern quheshin ata që flisnin kundra regjimit. Ne bënim festat tona, visheshim ndryshe, pra ishim pak më të veçantë nga pjesa tjetër. Mbaj mend që në të gjitha grupet shoqërore që kam qenë është menduar deri seriozisht si mund të ndryshonin gjërat. Shumë nga ata njerëz që ishin edhe inisiatorë për lëvizjen e dhjetorit apo dhe më parë, ishin pjesë e grupit.
Për shembull, kujtoni ndonjë?
Kanë qenë disa,djem të njohur në atë kohë në Tiranë pikërisht se ishin rebelë. Një pjesë e tyre vinin nga familje që kishin pasur një lloj pozite po më pas ishin persekutuar nga regjimi. Ilir Demalia apo Syci si e njihnin në Tiranë është personazh edhe sot. Mjaft të tjerë, djem me guxim që sot mund të jenë harruar se Tirana ka ndryshuar shumë, por në atë kohë ishin ata “çunat e Tirones” që bënin ndryshimin. Pothuajse të gjithë ata u larguan me ambasadat bile pjesa më e madhe e tyre ishin nga ata që thyen ambasadat e para.
Pak më parë thatë që ju gati gati projektonit dhe format si mund ti bënin ndryshimet e sistemit, kujt i referoheni, ndonjë ngjarje konkrete?
Pa u mburrur ajo protesta e heshtur e 28 janarit 1990 ka nisur te bordura ku rrinim ne. Pasi gjërat kishin nisur të lëviznin e Shkodra e Kavaja po tregonin haptazi pakënaqësitë, ne menduam se çfarë duhej të bënim për të ndryshuar. Çaushesku kishte vdekur, ndërsa Shqipëria po rrinte në vend.
Ku konsistonte kjo protestë e heshtur?
Thjesht përhapëm fjalën “kod” që me 28 janar do të ketë një koncert në ora 18.00 në sheshin Skënderbe. U përhap aq shpejt kjo ide, sa neve po na vinte çudi por edhe mirë për këtë. Dhe, ashtu siç e prisnim, më 28 janar kishte shumë njerëz në sheshin “Skënderbej”,por jo për koncert. Ne e kuptonim që ata ishin aty të gatshëm për të protestuar mbi lirinë e munguar. Sheshi ishte mbushur me sigurimsa dhe sampistë që kërcënonin njerëzit herë pas here. Ne u përpoqëm të tërhiqnim vëmendjen me ca lëvizje të çuditshme. Mbaj mend për shembull që djali i Ismet Bellovës, gazetar dhe komentator shumë i njohur dhe në atë kohë, bënte akrobacira që të bënte njerëzit të ndalonin e të grumbulloheshin në një vend por frika ishte e pranishme. Sidoqoftë në atë ditë pamë se ishim shume që mendonim njësoj. Nga shtatori i vitit 1990 me disa shokë menduam dhe formimin e një grupi ilegal kundër regjimit por për fat frika jonë se Shqipëria mund të mbetej jashtë ndryshimit u rrezua në dhjetor, me protestat e studentëve dhe formimin e PD.
Ju u angazhuat direkt në Partinë demokratike?
Unë në atë kohë sa kisha mbaruar fakultetin për gjeo-fizikë, pra në ’90-n. Në dhjetor isha pa punë pasi nuk vajta në Librazhd aty ku më emëruan. Më datë 9 dhjetor ka qenë ditë e diel, sapo dola nga shtëpia, një shok më thotë se kishte plasur nga studentët. Në fakt nuk e mora si të mirëqenë pasi lajme të tilla dëgjonim e sajonim vetë çdo ditë nga qejfi për të qenë të vërteta. Por me tej të tjerë persona më thanë që një natë më parë kishin dëgjuar zhurmë nga studentët. Aty e besova lajmin dhe dola për të parë çfarë po ndodhte. Policia kishte bllokuar rrugën e Elbasanit dhe kjo me bindi qe diçka kish ndodhur. I thashë policit që kisha shtëpinë aty dhe duhej te kaloja por ata insistuan duke më thënë të përdorja rrugën tjetër. Kështu që i dola nga pjesa e pasme e rrugës Budi. Studentët ishin mbledhur aty. Para tyre shteti kishte vënë në rreshtin e parë studentë të shkollës së Begsave, ata ishin si ne, kishin vetëm lopata xheniere me vete, më pas vinin të rreshtuar policët e thjeshtë dhe pas tyre forcat speciale. Kjo ka qenë dita ime e parë dhe me krijimin e Partisë Demokratike nuk jam shkëputur asnjëherë, qoftë në greva qoftë në demonstrata, i ndiqja, ku ishte rrëmuja shkoja vetë (qesh).
Jeni cilësuar si i papërmbajtur në Parlament, megjithatë, në rastin më të fundit në Parlament, pamë që ju goditën në fytyrë, por ju nuk reaguat. Si shpjegohet?
Përgjithësisht unë kam qenë i tillë gjithmonë, pasi nuk e kam duruar dhe nuk i duroj padrejtësitë. Dhe kur them që nuk i kam duruar padrejtësitë them për ato të bëra me qëllim, se njeriu mund të gabojë, mund të bëj një të keqe pa dashje dhe unë fal në raste të tilla. Por kur të bëhet një padrejtësi me qëllim, kur ai është i vetëdijshëm që po të bën keq, e prapë e bën atëherë revolta ime mund të shprehet dhe në forma më agresive. Por asnjëherë nuk mund të dali njeri që të thotë se Edi më ka rënë një herë në qafë pa të drejtë, gjithmonë kam reaguar kur mua më është bërë një padrejtësi dhe e tillë ka qenë edhe në parlament pavarësisht se mediat nisen më shumë pas skupit le të themi duke treguar vazot e hedhura e nuk i mëshojnë shumë shkakut pse ndodhi e gjitha kjo. Sa për rastin e goditjes unë sigurisht që nuk jam Jezukrishti, pavarësisht se jam katolik në besim nuk jam nga ata që e kthej faqen tjetër nëse më gjuajnë. Por ne atë rast unë s’mund të bija viktimë e asaj që deputetët socialistë po kërkonin, sepse jo vetëm në atë moment por edhe në momente të tjera deputetët e PS kërkonin sherr dhe mbase sipas mendimeve të tyre, njeriu që mund t’jua ofronte sherrin isha pikërisht unë. Edhe pse instinktivisht unë u bëra gati të reagoja, unë kisha përgatitur që më parë veten që nuk do të reagoja përkundrejt provokimeve të tilla.
Jeni katolik, besoni në Zot?
Besoj në Zot por nuk jam praktikant.
Edi Paloka tashmë ka një familje të re me një vajzë fare të vogël, por ndërkohë edhe një më të madhe nga një martesë e mëparshme. Si po e përjetoni ndryshimin e madh dhe si i administroni marrëdhëniet?
Po vajzën e parë, Kletën e kam në jashtë, studion për Juridik në Hagë, është në vit të dytë, dhe këtë e them me mburrje sepse ka fituar gjithçka vetë pa ndërhyrjen e babait dhe sinqerisht ndjehem krenar për të. Kurse vajza e dytë, Ida që sapo ka mbushur 2 vjeç më 13 maj, është absolutisht gëzimi i jetës sime, është gjithshçka për mua. Gjithë kohës mendoj për të, madje po e përkëdhel shumë, përkëdhelje për të cilat mund të pendohem më vonë, por praktikisht është çdo gjë për mua. Vërtet më tepër merret bashkëshortja imë me vajzën sepse ajo është gjithë ditën me të, pasi unë kam dhe punën e angazhimet e tjera, por mendjen e kam aty gjithë kohës, gjithçka rrotullohet rreth saj.
Cila është fjala që ajo të përkëdhel ty apo ta prish mendjen për qëllimin që do të realizojë?
Në fakt këtë e ka të keqe sepse tani i kërkon gjërat ”me dhunë”, jo me përkëdhelje. Na e ka pirë lëngun dhe kur kërkon një gjë që ne nuk ja japim në fillim ngre zërin që pastaj bërtet, bën sikur qan dhe tentativa e fundit është përplasja e këmbëve. Aty Ida e di shumë mirë që ne do reagojmë dhe si përfundim gjithnjë del e saja.
Nga karakteri duket sikur të ngjan ty?
Në fakt unë nuk kam qenë po jo kaq i përkëdhelur. Kam qenë vërtet edhe pak nevrik dhe shumë i lëvizshëm, sa për ca kohë, isha bërë tmerri i fisit kur të mitë me merrnin me vete nëpër vizita. Në dasmën e xhaxhait tim Alfredit më kanë lidhur në karrige që mos i prishja festën. Përkëdhelja gjithsesi nuk është gjë e mirë edhe pse një ditë do i bien të gjitha këto. Një ditë e kam kapur para pasqyrës duke bërë prova si do të na fuste ne të dyve në grackë. Dy vjeç merrte poza e bënte mimika të ndryshme si aktore e vërtetë. Thërrita gruan dhe i thashë të vinte ta shihte se çfarë na bënte ne ajo e vogla.
Si të thërret Ida?
Tani më thërret babi, më parë baba, Edi ndonjëherë, sepse gruaja ime ka qejf të më thërrasë në emër. Sa herë shef në televizor parlamentin thotë babi, kur kalon te selia PD-së thotë puna e babit dhe po ju tregoj një situatë të lezetshme. Nuk e di ku e ka mësuar këtë, por kur sheh Edi Ramën në televizor thotë; hiqe, hiqe babi, xhaxh i keq (qesh). Sinqerisht nuk e kemi mësuar ne prandaj më bën habi. Mbase ka dëgjuar dhe komentet e mia kur shoh lajme e me të veten ka kuptuar që atë xhaxhin babi nuk e ka qejf. Ose intuita e pafajshme e fëmijës ...
Sa kohë i kushton Idës?
Gjithë kohën që jam në shtëpi kur nuk kam ndonjë punë për të bërë.
Ku jetoni, në shtëpinë e vjetër?
Jo jetoj në shtëpinë e babit që është te rruga Fortuzi. Eshtë një shtëpi private, është një lagje më e qetë me pak më shumë gjelbërim dhe pak më larg betonizimit masiv të Tiranës.
Vajzat shkojnë me njëra-tjetrën?
Çuditërisht e duan shumë njëra tjetrën. Edhe kjo e vogla që kupton më pak, më ka bërë përshtypje që e ndjen mungesës e saj. Kleta tani është larg, jeton në Hagë dhe ne shpesh nga punët e përditshme edhe harrojmë të flasim, ndërsa kjo e vogla e kërkon, e thërret Kleta, Kleta nëpër shtëpi dhe gjen fotografitë e saj, është shumë e çuditshme dashuria që ndjen për të.
Dukej sikur Edi më parë nuk do të binte më pre e femrave, do ishte ai njeriu që do shijonte deri në fund lirinë e vet. Si ratë në “grackën” e bashkëshortes tuaj?
Në kurthin e femrave unë s’kam rënë asnjëherë, kanë rënë femrat në kurthin tim (qesh). Vërtet pas periudhës kur unë u divorcova e kisha të vështirë që të isha gati për një lidhje tjetër serioze dhe për një kohë të gjatë nuk e kam menduar, realisht, por jeta është e tillë. Kur ndjehesh mirë dhe kur e sheh që me një person mund të kalosh jetën pse jo.
Gruaja juaj është juriste?
Jo ka mbaruar Filozofi-Sociologji.
Kush lëshon më shumë pe në marrëdhënien tuaj?
Normalisht është ajo që lëshon më shumë pe, megjithatë edhe unë jam bërë më i qetë. Duhet ta pranoj që dikur nuk kam qenë i tillë, streset e ditës i zbrazja në familje, ndërsa tani përpiqem që gjërat e panevojshme mos ia ngarkoj familjes. Sigurisht që ka momente, megjithatë toleranca e Dasarës, është për tu vlerësuar.
Punon bashkëshortja?
Jo momentalisht merret me rritjen e vajzës, e cila ka nevojë për nënën e saj. Më parë ka pas dhënë mësim dhe ka qejf ti hyjë sërish ne pune, por deri sa të rritet vajza do qëndrojë ne shtëpi. (qesh).
Kur do bëj Edi Paloka një djalë?
Djalin e dua, absolutisht dhe deri sa te behet nuk do ndalen tentativat.
Shprehja; fëmija të lidh këmbët, si e zbërtheni ju vërtetësinë e saj, me ardhjen e Idës në jetë?
Është shumë e vërtetë kjo. Fëmija të bën ti mendosh gjërat më shumë, më thellë. Ajo është edhe faktor në zbutjen time të përgjithshme sepse thashë që një vendim që dje do e merrja për 5 sekonda, tani mendohem 10 herë para se ta bëj. Fëmija të bën të marrë vendime me më shumë pjekuri e jo instiktive.
Jeta natës?
Jeta natës ka mbaruar. Përballë Idës, asgjë s’ka më vlerën e mëparshme.
Thashethem apo e vërtetë pjesa që ti po merresh me kopshtari?
(Qesh) Kam një tarracë në shtëpi dhe kam filluar të merrem me të. Kam mbjellë shumë lule, bimësi, e ndjehem mirë aty, sikur çliroj energjitë negative. Shumicën e pasditeve i kaloj aty, duke u marrë me kopshtari me Idën që vjen vërdallë. Pjesën tjetër e kaloj në studion time.
Ida të ndihmon në punët e kopshtit?
Ida vetëm pengon gjithçka por është një pengesë e këndshme, për mua e domosdoshme.
Cila ka qenë dita më e vështirë që keni kaluar në jetë?
Ditë të vështira për fat të mirë apo të keq pasi edhe ato kthehen në përvojë, kam kaluar shumë duke marrë parasysh që merrem me politikë në një vend si Shqipëria, ku krizat politike kanë qenë të shpeshta si në 92 dhe në 97. Kam bërë nja 2 javë burg në vitin 2000 dhe këtë e mbaj mend si një moment të keq.
Pse u burgosët?
Në atë kohë unë drejtoja protestat e partisë demokratike që në një farë mënyre duhet ta pranoj që ishin të dhunshme. Ndërsa akuza që më bënë ishte fare pa bazë, pasi sipas organit akuzues unë kisha sulmuar i vetëm forcat speciale ditën kur u ndalua Sali Berisha, dhe i kisha masakruar, një gjë kjo e paimagjinueshme, sepse unë nuk isha supenjeriu. Megjithatë vlen të përmend se në gjyq, ata djem dëshmuan të vërtetën pra që asnjë gjë tillë s’kishte ndodhur.
Po dita më e bukur që keni pasur në jetë, veç lindjes së dy vajzave?
Për fat të mirë edhe ditë të bukura ka pasur shumë. Nuk dua ti politizoj gjërat, por shumë ditë të bukura lidhen sërish me politikë. Rrëzimi regjimit ka qenë për shembull një nga gjërat më të pa imagjinueshme, një dëshirë e mbajtur brenda vetes për shumë kohë. Kam pasur jetë të bukur pavarësisht sikleteve e periudhave të vështira që kam kaluar.
Cili është njeriu që ju mungon më shumë?
(preket) Padyshim është nëna ime. Duhet të dimë të sillemi e t’ju tregojmë se sa i duam sa i kemi gjalle...Kohët e fundit ajo e kishte merak të madh, donte të më shihte të martuar. Më ka mbetur pishman kjo gjë, të paktën ta kisha realizuar në atë kohë qe dhe ajo të gëzohej.

Intervista eshte botuar ne Gazeta Shqiptare me 21 qershor 2011
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›