E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Paloka: Procesi në PD po njolloset për shkak të simpative personale

28-07-2013 / Gazeta 55

Deputeti dhe anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Edi Paloka e konsideron garën për kreun e PD-së tërësisht transparente, të zhvilluar mbi bazën e rregullave të qarta demokratike. Paloka thotë se po tentohet të njolloset ky proces, ndërsa kujton se rregullat u pranuan nga të gjithë. Ai hedh poshtë pretendimet e nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi për një garë joreale, ndërsa e kritikon atë se po njollos procesin në PD. Kjo njollosje, sipas Palokës, bëhet për arsye subjektive, teksa përmend se Astrit Patozi dhe Sokol Olldashi janë miq të afërt. Paloka shpreh besimin se demokratët me në krye z.Basha do të dinë të bashkohen për forcimin e PD-së dhe çuarjen e saj drejt sfidave të mëdha.
“Procesi i zgjedhjeve në Partinë Demokratike, për mendimin tim ishte një nga proceset më të mira që mund të zhvillohej ndonjëherë. Kjo, për më tepër që u zhvilluan për herë të parë përmes parimit “një anëtar-një votë”, dhe u realizuan në një kohë relativisht të shkurtër për shkak të dorëheqjes së z.Berisha nga posti i kreut të partisë. Procesi zgjedhor ishte transparent dhe mbi bazë rregullash qartësisht demokratike, rregulla këto që u pranuan nga të gjithë. Për më tepër kjo njollosje bëhet për arsye subjektive. Arsyeja është e thjeshtë: Të gjithë e dinë që z.Olldashi është mik i afërt i tij, por kjo nuk e justifikon një qëndrim të tillë të nënkryetarit të PD-së. Më erdhi keq kur ndoqa intervistën dy orë të nënkryetarit të PD-së, i cili, në vend që të merrej me kundërshtarin politik Edi Rama dhe me PS-në, gjithë kohën u mor me sulme ndaj procesit zgjedhor të PD-së. Një humbje e thellë e PD-së në zgjedhjet e 23 qershorit, vërtet mund të të mërziste, dhe, nuk flet për një proces të rregullt të garës në PD, por për të kundërtën. Ndaj dëshiroj që të gjithë demokratët ta kalojnë këtë moment dhe të bashkohen për të ringritur sërish Partinë Demokratike. Të gjithëve u bëj thirrje që t’i lënë mënjanë simpatitë personale dhe të punojnë bashkërisht për rikthimin sërish të PD-së në pushtet”- theksoi Paloka. Ai u shpreh i bindur se nën drejtimin e Lulzim Bashës, PD do ringrihet dhe do rikthehet fuqishëm. “Unë i uroj z.Lulzim Basha që ta realizojë këtë mision dhe kam besim se do t’ia arrijë. Të gjithë duhet të punojmë për ringritjen e PD-së, për një PD edhe më të fortë pas humbjes së 23 qershorit, se vetëm të bashkuar bëhemi të pathyeshëm dhe ecim të sigurt drejt sfidave të mëdha, drejt fitores së madhe”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›