Shqipëria kaloi një test shumë të rëndësishëm me zgjedhjet, të ecim përpara me statusin

Presidenca lituaneze e BE, flet ministri i Jashtëm, Linas Linkevicius
Presidenca e Bashkimit Evropian është e gatshme të punojë me autoritetet shqiptare per ta mbyllur brenda 6-mujorit te saj dhënien e statusit te vendit kandidat. Në një prononcim për mediat, shefi i presidencës lituaneze, ministri i Jashtëm, Linas Linkevicius, shprehet se për t’ia arritur këtij qëllimi, nga Tirana zyrtare kërkohet tranzicion i qetë i pushtetit, përgjegjësi e të gjithë faktorëve politikë dhe vazhdim të reformave, të cilat janë jetike për institucionet demokratike dhe jetën e qytetarëve. “Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën tonë, siç e thashë, të jemi konstruktivë, pozitivë, jo neutralë, megjithëse zakonisht Presidenca duhet të jetë neutrale. Ne do të kemi një përfshirje pozitive në këtë proces. Shqipëria kaloi një test shumë të rëndësishëm, atë të zgjedhjeve, ne i kemi ndjekur ato nga afër. Tani ajo ka një tjetër test, një tranzicion të qetë. Në këtë rast, gjatë presidencës sonë ne besojmë se do të ecim përpara në mënyrë përfundimtare me statusin”, theksoi Linkevicius. I pyetur se çfarë nevojitet të bëhet nga Tirana në mënyrë që statusi i vendit kandidat të merret në dhjetor ai jep këtë përgjigje: "Por të gjitha partitë politike në Shqipëri duhet të marrin përsipër përgjegjësinë e tyre. Ato duhet të diskutojnë realisht me njëra-tjetrën, sepse kjo do të ishte e dobishme për të pasur një vizion dhe një platformë të përbashkët për të ardhmen e vendit. Të bien dakord për të bërë reformat e domosdoshme, në mënyrë që të jemi të sigurt dhe t’i jepet vendit një imazh i besueshëm për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Kështu që ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën. Gjithashtu ne jemi gati të japim edhe përvojën tonë nacionale, nëse kjo është e nevojshme, se si ne e krijuam konsensusin midis partive politike. Sepse këtu kemi diçka për të ndarë së bashku. Pra, unë shpresoj se suksesi do të vijë, por ai nuk është arritur ende përfundimisht dhe shqiptarët janë të aftë t’i përkushtohen këtij progresi". Në kuadrin e procesit të zgjerimit me vendet kandidate e potencial-kandidate, shefi i Presidencës së Bashkimit Europian së shpejti do të vizitojë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë, për të parë situatën politike nga afër e bashkërenduar punën me qeveritë përkatëse.