Edi Paloka zgjidhet kryetar i komanduar i grupit të PD

Deputeti i qarkut të Tiranës, Edi Paloka, është komanduar si kreu i Grupit Parlamentar të demokratëve. Forma e zgjedhjes së tij është komandimi, për shkak se sipas statutit të Partisë Demokratike kryetari i Grupit Parlamentar zgjidhet me votim të fshehtë nga anëtarët e Këshillit Kombëtar. Ky forum do të mblidhet vetëm pas zgjedhjeve të reja që do të bëhen në parti, sipas të gjitha gjasave në muajin dhjetor, kur të mblidhet edhe Kuvendi kombëtar. Emërimi i Palokës si kryetar i Grupit Parlamentar vjen pasi ai në katër vitet e kaluara mbajti pozicionin e nënkryetarit të Grupit, të cilin e drejtoi Astrit Patozi. Ndërkohë ministri në detyrë i Drejtësisë, Eduard Halimi është zgjedhur në pozicionin e nënkryetarit të Grupit. Jorida Tabaku është zgjedhur zëdhënëse, ndërsa Gent Strazimiri sekretar i grupit. Ndërkaq PD ka propozuar Edmond Spahon si kandidat për nënkryetar të Parlamentit.
- Edi Paloka, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike,
- Eduart Halimi zv/Kryetar i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike
- Gent Strazimiri, Sekretar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
- Jorida Tabaku, Zëdhënëse e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
- Edmond Spaho, kandidat i Partisë Demokratike për postin e nënkryetarit në Kuvendin e Shqipërisë
Sipas statutit të PD-së (neni 49), grupi parlamentar demokrat përfaqëson në parlament PD-në dhe siguron aty mbrojtjen e platformës, programit dhe interesave të kësaj force politike. Ai po ashtu, harton programin dhe përcakton mënyrën e veprimit e të angazhimit të deputetëve të tij në parlament dhe në zonat elektorale përkatëse; vendos për ndarjen e anëtarëve të tij në komisionet parlamentare; harton rregulloren e funksionimit të grupit parlamentar dhe i propozon Këshillit Kombëtar për çështje që janë kompetencë e këtij të fundit.