Rusi: Vasali i Putinit rizgjidhet në krye të bashkisë së Moskës-opozita i cilëson të manipuluara
Zyrtarët në Rusi thonë se zgjedhjet për bashkinë e Moskës i ka fituar aleati i Kremlinit, Sergei Sobyanin, me një diferencë të madhe votash ndaj udhëheqësit të opozitës, Alexei Navalny, i cili po kërkon balotazh. Aktivisti kundër korrupsionit thotë se procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e djeshme kishte shumë shkelje serioze. Sipas rezultateve të publikuara dje, Sobyanin ka fituar 51 për qind të votave dhe rivali i tij, Navalny ka siguruar 27 për qind të votave.
Në zgjedhje morën pjesë edhe 4 kandidatë të tjerë, të cilët kanë mundur të sigurojnë shumë pak vota. Për të shmangur balotazhin, Sergei Sobjaninit kishte nevojë për më tepër se gjysmën e votave.Alexei Navalny tha sot se dukej qartë që kishte patur falsifikim të rezultatit dhe se rivali i tij e kishte siguruar shumicën përmes mashtrimeve. Zoti Navalny kërkoi rinumërim, duke paralajmëruar se mund t’u bënte thirrje banorëve të Moskës për të kryer akte të mos-bindjes civile, në se kërkesat e tij ligjore nuk do të merreshin parasysh. Kandidati i mbështetur nga Kremlini, Sobianin fitoi më shumë se 57,77 përqind të votave, në bazë të të dhënave që publikoi të dielën në darkë komisioni elektoral i Moskës. Udhëheqësi i opozitës, Navalni fitoi vetëm 21,56% të votave, që do të thotë një rënie e fortë nga ajop që sugjeronin anketimet menjëherë pas përfundimit të votimit, të cilat flisnin se ai kishte fituar 29% të votave. Më parë, të dielën në mbrëmje, ekipi elektoral i Navalnit u vuri pikëpyetje rezultateve të hershme elektorale. Sobianini ka fituar vetëm 46 përqind të votave, duke mos marrë 50 përqind të tyre, të nevojshme për të fituar pa një raund të dytë votimi, sugjeroi ekipi elektoral i Navalnit. Ai i dha Navalnit 35.6 përqind të votave. "Të dhënat tona në bazë të anketimeve të bëra menjëherë pas votimit flasin se do të ketë një raund të dytë votimesh në këto zgjedhje," u tha Navalni të dielën në darkë reporterëve në Moskë. Por nëse rezultatet e para jozyrtare konfirmohen, Sobianini del që i ka fituar zgjedhjet në raundin e parë, duke e përjashtuar mundësinë e një raundi të dytë.Navalni ka qenë udhëheqësi i parë opozitar prej shumë vjetësh që doli në zgjedhje për poste të larta në Rusi. Atë e dënuan me pesë vjet burgim më 18 korrik, me akuzën e përvetësimit të parave, por u lirua të nesërmen, pas protestave. Blogeri 37 vjeçar ndihmoi në vitin 2011 organizimin e demonstratave masive kundër partisë në pushtet "Rusia e bashkuar". Ai thotë se akuzat kundër tij dhe dënimi që pasoi me burgim e kanë burimin në përpjekjet e tij për të tërhequr vëmendjen në korrupsionin e nivelit të lartë. Kandidati i mbështetur nga Kremlini, Sergei Sobyanin, pritej gjerësisht t’i fitonte zgjedhjet. Ai ka shërbyer në të kaluarën si shef kabineti i Presidentit Putin.