E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Hoxha nuk lejohet të hyjë në shtëpinë e të atit

INTERVISTA/ Ilir Hoxha shprehet se kërkonte t’iu jepte nga një gotë raki e karamele gjithë shqiptarëve

GJIROKASTËR- Megjithëse e planifikuar prej disa kohësh, ceremonia e 100-vjetorit të Enver Hoxhës në qytetin e tij Gjirokastër është zhvilluar jashtë shtëpisë së lindjes. Djali i tij, Ilir Hoxha, me bashkëshorten dhe të gjithë pjesëmarrësit nuk janë lejuar të hyjnë në godinën që tashmë është muze etnografik, edhe pse leja për ta përdorur për një ditë për ceremoni private ishte dhënë nga kryebashkiaku Flamur Bime rreth një muaj më parë. Ndërsa është detyruar që përkujtimin e babait të tij ta zhvillojë përpara shtëpisë bashkë me dhjetëra të ardhur jo vetëm nga qytetet shqiptare, Ilir Hoxha ka shprehur keqardhjen për këtë vendim. Në një intervistë për “Shekulli”-n ai rrëfen adhurimin për babanë dhe veprën e tij, ardhjen dhe pamundësinë e kryerjes së ceremonisë ashtu si ishte menduar, mesazhet e ardhura në këtë 100-vjetor nga të gjitha anët e kombit etj.

Jeni rikthyer në Gjirokastër. Çfarë simbolizon ardhja e sotme?

- Unë vij shpesh në qytetin e lindjes së babait tim, qytet që ai e deshi shumë. Por sot është një ditë e veçantë, pasi kam një detyrim ndaj qytetarëve të Gjirokastrës dhe jam këtu për ta përmbushur atë.

Ceremonia po organizohet në ambientet e jashtme, dhe jo siç ishte planifikuar. Përse?

- Kisha dëshirë që në këtë 100-vjetor, në shtëpinë ku u lind im atë, të takoja gjirokastritët, t’iu jepja një gotë raki e një karamele dhe të bisedoja me ta. Kjo ishte dëshira ime, dhe ndaj u drejtova dhe mora edhe lejen. Por sot nuk na kanë lejuar, e kanë quajtur këtë ceremoni si dhunim të institucioneve. Por familja e Enver Hoxhës asnjëherë nuk dhunon, ajo vetëm respekton.

Ndiheni i fyer nga ky fakt?

- Jo aspak. Thjesht më vjen keq.

Ju dhe bashkëshortja juaj jeni të vetmit të ardhur nga familja Hoxha në ceremoninë e organizuar. Po përsa u përket anëtarëve të tjerë?

- Unë jam këtu si përfaqësues i familjes së Enver Hoxhës.

Kohët e fundit daljet tuaja dhe të disa anëtarëve të tjerë të familjes suaj kanë qenë të shpeshta. Janë të rastësishme?

- Ne gjithmonë kështu kemi qenë aktivë, dhe jo vetëm në media. Por kur ky shtet na pengon, ne bëjmë thjesht detyrën tonë. Ky është fakti për të cilin mediat na fokusojnë shpesh.

Sot, në këtë ceremoni, ka të ardhur edhe nga viset e tjera jashtë Shqipërisë. Si e vlerësoni këtë fakt?

- Enver Hoxha është një figurë jo vetëm e Shqipërisë, por e të gjithë kombit shqiptar. Para disa ditësh isha në Kosovë në një ceremoni shumë të bukur kushtuar babait tim, ku u ngritën lart vlerat e këtij njeriu që ka bërë shumë për shqiptarët jashtë territorit administrativ, për minoritetet, kosovarët, çamët. Jo vetëm ka punuar, por ka pasur strategji dhe platforma të sakta për këto çështje. Vlerësime kanë ardhur nga të gjitha anët e botës: nga Amerika, Kanadaja, Zvicra, Italia etj. Na kanë mbërritur mesazhe që, përveç vlerësimit, kërkojnë që të vihet një kurorë nga ata në pamundësi për të qenë të pranishëm. Natyrisht, i vlerësoj shumë të gjitha këto fakte.

Gjatë këtyre viteve të fundit, figura e Enver Hoxhës është sulmuar shumë. Ju si djali i tij ndiheni në njëfarë mënyre të persekutuar?

- Jo. Unë natyrisht që jam në krahun e babait tim dhe do ta mbroj atë dhe kujtimin e tij në çdo moment e çdo situatë, pavarësisht gjithçkaje që mund të thonë apo deklarojnë. Por, vepra e e babait tim vazhdon të jetë e dukshme.

Cili është kujtimi më i bukur që keni me babanë tuaj?

- Kujtimet e bukura janë të shumta dhe nuk mund të veçoj asnjërën prej tyre. Ai ka qenë një prind i shkëlqyer e më tej një gjysh po aq i përkryer. Na ka mësuar të duam atdheun, popullin, të gjithë shqiptarët.

Enver Hoxha përkujtohet i ndarë

Komunistët e kanë përkujtuar të ndarë udhëheqësin e tyre Enver Hoxha. Ndërsa anëtarët e Partisë Komuniste Shqiptare kanë festuar më datën 12 tetor, dita e diel u ka takuar anëtarëve të Partisë së Punës së Shqipërisë, ndërmjet të cilëve edhe djali i madh, Ilir Hoxha me bashkëshorten Teuta. Adhuruesit e Hoxhës kanë ardhur në qytetin e tij të lindjes jo vetëm nga qytete shqiptare, por edhe nga Kosova e Greqia.

Adhuruesit

Kolonel Rexhep Krasniqi së bashku me dy miq të tij kanë mbërritur nga Prizreni enkas për ceremoninë përkujtimore. “Sot ndihem jashtëzakonisht i lumtur që ndodhem përpara shtëpisë ku u lind shoku Enver. E kisha parë në fotografi dhe filmime, dhe sot po e shoh nga afër. Kam marrë pjesë edhe në ceremoninë për 95-vjetorin e lindjes. Ne jemi rritur me shokun Enver dhe me Shqipërinë, dhe e duam atë. E duam se për herë të parë në historinë shqiptare një personalitet punoi për të gjithë kombin. Por jemi edhe të indinjuar që gjithë ata breza qëu rritën dhe u edukuan në atë sistem e injorojnë”,- shprehet Rexhep Krasniqi.

Nusja lexon letrën përshëndetëse të Nexhmies

Ceremonia përpara shtëpisë së lindjes së Enver Hoxhës ka vijuar me fjalimet e mbajtura, ku është cilësuar si profet dhe gjeni. Nuk ka munguar as përshëndetja e Nexhmie Hoxhës, të cilën në pamundësi të ardhjes e ka lexuar nusja e familjes, Teuta. “Hapja e ceremonive në 100-vjetorin e lindjes së Enverit i përket padyshim Gjirokastrës, në rrugët e së cilës brodhi si fëmijë i gëzuar e më vonë u ul në bankat e shkollës. Gjirokastra e pa djalin e saj komandant të partizanëve, kryetar të PKSH-së e më vonë të PPSH-së, arkitekt të ndërtimit të Shqipërisë e diplomat”,- thuhej në këtë përshëndetje.

Përhapja

“Rroftë Enveri” edhe në Librazhd

Në qytetin e Librazhdit, ashtu si dhe në Gjirokastër, janë shkruar parulla të shumta me bojë të kuqe në përkujtim të 100-vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës. Shumë prej tyre janë stampuar në fasadën e rrugës që del nga qyteti në drejtim të Elbasanit, pranë ish-bazës së armatës, e cila u shkatërrua në vitin 1997. M.B.

Kush ishte Enver Hoxha

Enver Hoxha ishte diktatori i Shqipërisë për 45 vjet, nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekje (1985), në cilësinë e Sekretarit të Parë të Partisë së Punës (Partia Komuniste). Ka mbajtur postin e ministrit të Mbrojtjes në vitet 1944-1953, të ministrit të Punëve të Jashtme në vitet 1946-1953 dhe të Kryeministrit në vitet 1946 - 1954. Sapo mori pushtetin, Enver Hoxha u përqendrua në një politikë të edukimit të popullatës, por duke mos lejuar asnjë veprim sadoqoftë të vogël opozitar. Qëndrimi i Hoxhës për opozitë ishte i prerë, gjë që çoi në eliminimin e më shumë se 600 udhëheqësve politikë.

Qeveria e tij gjatë sundimit 40-vjeçar burgosi, ekzekutoi ose shpërnguli mijëra udhëheqës, popull të thjeshtë, udhëheqës lokalë për çështje jomadhore, predikues fetarë myslimanë dhe të krishterë, katundarë, të cilët kundërshtuan kolektivizimin dhe bashkëpartiakë “jobesnikë”. Gjatë kohë së sundimit të Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës të gjitha objektet fetare u ndaluan për përdorim, ku shumica e këtyre objekteve, që ishin madhore u shndërruan në objekte kulturore dhe një numër i madh i tyre u shkatërruan. Me ndalimin e përdorimit të objekteve fetare, Hoxha ndaloi edhe përdorimin e besimit si të tillë, deri në atë shkallë sa ndaloi dhe përdorimin e emrave fetarë për emërtimin e fëmijëve. Ky qëndrim shkaktoi dhe protestë literale nga ana e udhëheqësve fetarë të të gjitha besimeve fetare në Shqipëri, qëndrim të cilin e pësuan me burgime të gjata. (Marrë nga Wikipedia)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›