E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazlliç, kryeprokurorja Rama i tregon Kushtetutën Berishës

Ina Rama: Hetimet të mbështeten në prova e ligj, pa u ndikuar nga influenca jashtëligjore apo presione të çdo forme

TIRANË- Në kohën kur qeveria e kryeministrit Sali Berisha dhe ministrat e kabinetit të tij kanë shtuar presionin ndaj Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, kjo e fundit i kundërpërgjigjet indirekt këtyre akuzave duke iu dhënë kurajo të gjithë prokurorëve të vazhdojnë zbatimin e ligjit dhe të mos demoralizohen apo të bien pre e presioneve politike. Mesditën e djeshme, kryeprokurorja Rama shfrytëzoi momentin e hapjes së takimit me të gjithë prokurorët e rretheve, për t’iu përgjigjur të gjitha akuzave të mazhorancës për fillimin e hetimeve ndaj mikut të kryeministrit Berisha, Damir Fazlliç. Kryeprokurorja Rama, duke qenë e kujdesshme në përzgjedhjen e termave, nuk ishte e drejtpërdrejtë, e megjithatë i kujtoi politikës se institucioni që ajo drejton është i pavarur që bazohet në aktin më të lartë të një shteti, siç është Kushtetuta. “Detyra e prokurorisë është të ushtrojë ndjekjen penale duke e mbështetur veprimtarinë dhe vendimmarrjen për vënien para përgjegjësisë penale vetëm mbi prova të mbledhura në përputhje me ligjin. Qoftë veprimtaria e organit të akuzës, qoftë konkluzionet e nxjerra prej tij në vijim të hetimeve që zhvillohen duhet të jenë të mbështetura vetëm në prova e në ligj, të pandikuara nga influenca jashtëligjore apo nga presione të çfarëdo lloj forme qofshin ato”,-tha dje Prokurorja e Përgjithshme.

Dosja “Fazlliç” ka shënuar përplasjen më të ashpër mes ekzekutivit dhe Prokurorisë, ndaj edhe kryeprokurorja Ina Rama tentoi të bënte të qartë se mbrojtja e organit të akuzës është vetëm ligji. “Në kushtet kur e gjithë kjo veprimtari përplas organin e akuzës me shkelësit e ligjit apo dhe cenon interesat e subjekteve të ndryshëm që operojnë në shoqërinë shqiptare edhe me gjerë, mbrojtja që ky organ mund t’i ofrojë vetes së tij është ligji dhe vetëm zbatimi i ligjit”,-u shpreh kryeprokurorja Rama, para vartësve të saj. Sipas saj, Kushtetuta e Shqipërisë e cilëson organin e prokurorisë si një institucion të pavarur dhe që ka si qëllim të ushtrojë ndjekjen penale e të përfaqësojë akuzën në gjyq në emër të shtetit. “Ushtrimi i ndjekjes penale ndaj çdo personi që dyshohet se ka kryer një vepër penale, është jo vetëm e drejtë e organit të akuzës por, edhe një detyrim ligjor i tij. Në këtë sens, detyra kryesore e punës së organit të akuzës është që ndjekjen penale ta ushtrojë në përputhje me të gjitha normat ligjore që janë në fuqi në shtetin shqiptar”,-tha Rama, duke shtuar se askush nuk mund të ndëshkohet pa kryer një vepër penale, por detyra e prokurorisë është që kushdo që ka kryer një vepër penale të mos shpëtojë nga vënia para përgjegjësisë ligjore. Gjatë fjalës së saj 10 minuta, kryeprokurorja Rama vuri në dukje punën e vështirë të prokurorit gjatë këtyre ditëve të presionit politik, por shtoi se “kjo situatë do të përballohet me vendosmëri pa u ndikuar nga pengesat që po hasen gjatë punës, duke respektuar në çdo rast Kushtetutën dhe ligjet që janë në fuqi.

“Vëmendja dhe puna e çdo prokurori të përqendrohet në goditjen me rreptësi të të gjitha formave të kriminalitetit por, në mënyrë të veçantë, në goditjen e veprave penale që kryhen në kuadër të krimit të organizuar, korrupsionit dhe të krimit financiar”,-theksoi Ina Rama, duke pasur parasysh rastin Fazlliç, por pa e përmendur atë me emër.Sipas saj, prokurorët duhet të tregojnë kurajën dhe përgjegjshmërinë e nevojshme për të goditur fenomenet e mësipërme pavarësisht se në cilat struktura shfaqen ato përfshi këtu edhe vetë sistemin e drejtësisë. Në fund të fjalës së saj, kryeprokurorja Rama i bëri thirrje qeverisë dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë të bashkëpunojnë mes tyre, si domosdoshmëri për të luftuar fenomenet e kriminalitetit në vend, pavarësisht nga vështirësitë që shfaqen në momente të caktuara gjatë kryerjes së detyrës funksionale të prokurorisë.

PËRPLASJET

Ekzekutivi, presion organit të akuzës për hetimin e Fazlliç

TIRANË- Fundjavën e kaluar, dy institucionet e ekzekutivit, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme, u sulën pranë prokurorisë së Tiranës, duke bërë presion për shkak të fillimit të hetimeve ndaj mikut të kryeministrit, Sali Berisha, serbo-boshnjakut Damir Fazlliç. Fillimisht ishte zëdhënësi i ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, Fatmir Konja, i cili gjatë një konference për shtyp paralajmëroi prokurorët e çështjes Zamir Shtylla dhe zvprokurorin Elio Mazreku se do të ndiqen penalisht për shkak se kanë urdhëruar shefin e komisariatit të Rinasit, Urim Rexhepi, të ndalojë shtetasin Damir Fazlliç. Pak orë pas kësaj konference për media, ishin dy inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë, të cilët me urdhrin në dorë të firmosur nga ministri Enkelejd Alibeaj janë drejtuar në orën 19:00 të darkës së premte në zyrën e prokurorëve të çështjes për të verifikuar fillimin e hetimeve. Ishin drejtuesit e prokurorisë së Tiranës, të cilët nuk lejuan edhe pas 4 orë debatesh që të verifikohet dosja, pasi sipas tyre, nuk kontrollohen dosjet jashtë orarit zyrtar dhe nuk verifikohet vetëm një çështje, në rastin kur nuk ka ankues. Të nesërmen, (të shtunën) në mesditë, sërish dy inspektorët kërkuan të hyjnë në ambientet e prokurorisë për të verifikuar dosjen Fazlliç, por këtë radhë jo vetëm këtë dosje, por të gjitha ato regjistrime penale të bëra nga data 1 shtator deri më 10 tetor. Këto dy ndërhyrje ligjore, sipas qeverisë, dhe antiligjore sipas prokurorisë, janë bërë për të ushtruar presion për mbylljen e hetimeve .F.Vezaj

HETIMI

Fazlliç, prokurorët analizojnë faktet

TIRANË- Prokurorët Besnik Cani e Dritan Rreshka, bashkë me shefin e seksionit të Task-Forcës së luftës kundër krimit ekonomik, Altin Dumani, për disa orë kanë analizuar provat e mbledhura dhe ato që duhen mbledhur për zbardhjen e aferave të publikuara në media të serbo-boshnjakut Damir Fazlliç. Mësohet se për disa orë, prokurorët kanë raportuar te Prokurori i Rrethit, Genti Xholi, të gjitha veprimet procedurale e të ligjshme të kryera deri më tani nga hetuesit dhe prokurorët e çështjes për dosjen “Fazlliç”. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar verifikimit të llogarive dhe transfertave bankare të kryer në emër të shtetasit Damir Fazlliç dhe kompanive që ai drejton, si dhe të administratorëve të tij që kanë kryer veprime bankare për llogari të shoqërive ku ai është president. Gjithashtu, mësohet se janë dërguar 19 kërkesa në filialet e bankave dhe 24 shkresa janë drejtuar zyrave të tjera, si Hipoteka, Qendra Kombëtare e Regjistrimit të bizneseve, Tatim-Taksave, doganave, institucionit të Ministrisë së Ekonomisë e Financave dhe Këshillit të Ministrave në lidhje me vendimin e qeverisë për ngritjen e një parku energjetik në truallin e Porto Romanos në Durrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›